Ballkani | 28.07.2010

Presidenti Bamir Topi ka shfrytëzuar takimin e lamtumirës me ambasadorin Borchardt, për ta falënderuar atë për punën dhe aktivitetin e tij diplomatik disavjeçar në shërbim të rritjes dhe thellimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Në bazë të një njoftimi për shtyp që ka shpërndarë presidenca e republikës Bamir Topi ka vlerësuar dhe mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Federale të Gjermanisë në rrugëtimin integrues të vendit tonë në NATO dhe më vonë në Bashkimin Evropian. Kryediplomati gjerman ka përshëndetur kreun e shtetit dhe institucionet për mbështetjen e pakursyer dhe bashkëpunimin e frytshëm, që ia bënë më të lehtë përmbushjen e misionit të tij diplomatik në të mirën reciproke të dy popujve dhe vendeve tona.
Në një intervistë që ka dhënë për Deutsche Welle-n para pak kohe ambasadori Borchardt është shprehur dhe për mbështetjen që Gjermania i jep Shqipërisë, që për dy vitet 2010 e 2011 kap një vlerë totale prej 78,2 milion eurosh. Fondet do të vijojnë të shkojnë kryesisht në fushat e zhvillimit të qëndrueshëm social të ekonomisë, eficiencës së energjisë, menaxhimit të ujit të pijshëm, menaxhimit të ujërave të zeza dhe mbetjeve inerte- ka deklaruar për DW ambasadori gjerman, Bernd Borchardt, e cili përfundon këto ditë mandatin e tij në Shqipëri.
Autor: Arben Muka
Redaktoi: Elert Ajazaj