Ksamil, komuna: S’kemi para për kufirin ujor të motorëve
SARANDE/ SHPRESA DINE
Ndonëse ka mbetur vetëm një muaj nga sezoni i verës, në plazhet e populluara të Ksamilit apo Lukovës nuk janë marrë masat për mjetet në ujë. Kërkesat e shumta për të dalë në det të pronarëve të tyre apo pushuesve nuk janë realizuar dot, pasi pushtetarët vendorë nuk kanë bërë kufizimin e hapësirës. Mosrealizimi ende i kufizimit të sipërfaqes ujore ka qenë një ndër problemet e diskutuara në takimin e djeshëm të shtabit të emergjencës, organizuar nga nënprefekti i Sarandës, Gjergji Mano. Veç tij është diskutuar dhe shqetësimi i ndotjes akustike nga diskot, mungesa e shërbimit mjekësor nëpër plazhe, mosfurnizimi i periferisë me ujë të pijshëm, mostërheqja e mbeturinave në Ksamil e Lukovë, mungesa e sinjalistikës rrugore, etj. Problemin e kufizimit të sipërfaqes ujore, nënprefekti Mano e ka quajtur kufizim në letër, pasi çalon në praktikë. Ai tha dje se ka shumë mangësi në komunën e Lukovës, ndërsa nuk është bërë asgjë në komunën e Ksamilit. "Ende nuk shihet asnjë mjet motorik të lëvizë në ujë, ndërkohë kur ka rreth 50 kërkesa", u shpreh Mano. Sipas tij, duhen parë ata persona, që ndërsa kanë marrë leje për peshkimin selektiv, i përdorin mjetet e tyre si motorë uji. Për nënkryetarin e bashkisë, Robert Maçi, afati për daljen e motorëve të ujit në det për qytetin e Sarandës është shumë i shpejtë, për dy ditë, ditë këto që do të jenë për ndërtimin e korridorit për vendosjen e mjeteve ujore. Deri tani janë bllokuar në Sarandë dy motorë uji, pronë e dy plazhistëve nga ky qytet, të cilët kanë dalë në det pa lejen përkatëse, si dhe u bllokuan 4 mjete pa dokumentacionin e duhur. Pëllumb Fata, nënkryetari i komunës së Ksamilit, ka pranuar vonesën në komunën e tij për kufizimin e sipërfaqes ujore, me pretendimin se nuk kanë fonde për realizimin e saj, ndërsa ka kërkuar nga policia e rendit të ushtrojë funksionin e vet për parandalimin e ndotjes akustike që vjen nga zhurmat që prodhohen nga diskot në këtë qytezë. Shefi i Komisariatit të Sarandës, Besim Palamani, u shpreh se më korrekte për penalizmin e diskove që ndikojnë në ndotjen akustike është marrja e masave administrative. "Gjoba prej 30 mijë lekësh për një disko nuk është fare problem, se sa fitimi që është më i madh. Për rrjedhojë gjoba duhet të jetë më e rëndë", u shpreh ai. Mungesa e sinjalistikës rrugore, veçanërisht në rrugën e Ksamilit, u trajtua nga drejtori i njësisë rajonale të Qarkullimit Rrugor, Latif Kullaj. Ndërkohë ai kërkoi bashkëpunim, i cili tani mungon, me Policinë Bashkiake, për veprime të ndryshme të policisë së rendit në mbarëvajtjen e sezonit turistik.