E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksa e makinës, llogaritja me formulën e doganës së vjetër



Pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për taksën e shitjes së makinave të përdorura, shumica e përdoruesve kanë vendosur të shesin automjetet e tyre. Bëhet fjalë për makinat e vjetra, të cilat me ligjin e ri do të taksohen më shumë se ato që importohen pas miratimit të ligjit. Por për të gjetur se sa para shtesë do të paguhen, duhet të llogaritet se sa është dogana e vjetër për makinën. Kjo pasi janë me mijëra raste, kur pronarët e makinave nuk i kanë blerë ato nga importi, pra nuk janë blerësit e parë në Shqipëri, por kanë blerë makinat të targuara. Pra makina, ka hyrë në Shqipëri, është zhdoganuar, i është shitur një blerësi dhe ky i fundit, pas përdorimit disa vjeçar e ka shitur sërish. Gazeta po llogarit sot se sa para do të paguajë blerësi i dytë i makinës në rast të shitjes së saj, pas hyrjes në fuqi të taksës së makinave të përdorura. Formula është e thjeshtë në parim. Vlera e pagesës është sa diferenca mes taksës së re dhe doganës së paguar për makinën. Por shitësi, nuk është se e ka paguar vetë doganën. Për këtë arsye, ai duhet të dijë si llogaritet dogana për makinën që ai do të shesë.
Shembulli
Më e thjeshtë kjo llogari bëhet po të marrim një shembull.
Sipas statistikave, shumica e makinave në Shqipëri janë mbi 10 vjeçare. Kështu një individ ka blerë një makinë me naftë 2000 kubik, prodhim i vitit 1995. Makina ka hyrë në Shqipëri në vitin 2005 dhe është zhdoganuar në atë vit. Individi e ka blerë makinën në vitin 2008, pasi është përdorur në Shqipëri. Sot, në vitin 2010 ai vendos ta shesë makinën. Për të gjetur sa para do të paguajë për shtetin, atij i duhet të llogarisë doganën e paguar në vitin 2005. Me ligin e vjetër, dogana e një makine nafte me motor 2000 kubik dhe me vit prodhimi 2000, do të llogaritej me formulën, taksë fikse x cilindrat x koeficient për vit prodhimi. Në rastin tonë, 25000 lekë (taksa fikse për naftën) x 2000 (kubatura e motorit) x 0.0048 (koeficienti për makinat mbi 10 vjet). Me ligjin e vjetër, dogana që do paguhej do të ishte 240 mijë lekë. Pra kjo është shuma e paguar nga blerësi i parë.
Me ligjin e ri, që ka hyrë në fuqi, nuk ka më doganë, por taksë për automjetet e përdorura. Sipas formulës, kjo taksë llogaritet, cilindrat x koeficient fiks për vit prodhimi x taksë fikse për llojin e karburantit. Në rastin tonë do të kishim, 2000 (kubatura e motori) x 0.5 (koeficienti fiks) x 15 (vitet e prodhimit të makinës) x 25 (koeficienti për naftën). Me ligjin e ri, taksa e makinës do të ishte 375 mijë lekë. Pagesa që duhet të bëjë individi për shitjen e makinës është diferenca mes taksës së re dhe doganës së paguar në vitin 2005. Pra nga 375 mijë lekë që është taksa e re, zbriten 240 mijë lekë që ishte dogana e vitin 2005. Në rast shitjeje sot të makinës, individi do të paguajë 135 mijë lekë për llogari të shtetit. Me anë të këtij shembulli, të gjithë ata që kanë blerë makina me targa, mund të llogaritin vetë se sa është dogana e paguar nga shitësit e makinës dhe sa do të jetë taksa që do të paguajnë ata vetë, në rast të shitjes së makinës. Nga llogaritje del qartë se makinat e vjetra, nuk kanë ndonjë leverdi të madhe të shiten. Ligji i ri i financave përcakton qartë se blerja e makinave të reja do të kushtojë më lirë, por cenon rëndë shitjen e makinave të përdorura. Në një vend si Shqipëria, ku shumica e makinave janë mbi 10-vjeçare, ka shumë mundësi që njerëzit të mbajnë deri në pamundësi riparimi makinat e vjetra, sesa t’i shesin ato dhe të paguajë tarifa milionëshe për të mbushur arkën e financave.

dy llojet e taksave

Dogana e vjetër e makinave

Taksa fikse x cilindrata e motorit x koeficienti i viteve të përdorimit;
“Taksa fikse” për çdo autoveturë dhe mjet tjetër, me benzinë, caktohet 20 000 lekë dhe për çdo autoveturë dhe mjet tjetër, me naftë, 25 000 lekë;
“Cilindrata e motorit” është vëllimi i dhomës së djegies së motorit, i shprehur në centimetër kub (cm3);
“Koeficientët e viteve të përdorimit” janë si më poshtë:
i) deri në 2 vite përdorimi 0,0016;
ii) mbi 2 deri në 4 vite përdorimi 0,0024;
iii) mbi 4 deri në 7 vite përdorimi 0,0029;
iv) mbi 7 deri në 10 vite përdorimi 0,0032;
v) mbi 10 vite përdorimi 0,0048.

Taksa e re e makinave të përdorura

Cilindrata në cm3 x koeficienti fiks për çdo vit përdorimi x taksa fikse për llojin e karburantit.
“Cilindrata e motorit” është vëllimi i dhomës së djegies së motorit, i shprehur në centimetër kub (cm3);
“Koeficientët e viteve të përdorimit” është 0.5 për çdo vit
“Taksa fikse” për çdo autoveturë dhe mjet tjetër, me benzinë, caktohet 20 dhe për çdo autoveturë dhe mjet tjetër, me naftë, 25

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›