Ballkani | 29.06.2010

DW: Zoti Daum, Ju keni qenë i ngarkuari i parë ad interim i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipërinë komuniste. Cilat kanë qenë sfidat profesionale të një diplomati në një vend komunist?
Daum: Unë do të doja të filloja me kushtet jo politike, unë atëhere u njoftova brenda një afati shumë të shkurtër, mësova nga Zoti Gensher (ish-Ministër i Jashtëm) se ai kishte vendosur të më dërgonte mua si përfaqësuesin e parë të Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë. Në sfond dua të them se ne kishim marrëdhënie diplomatike me të gjitha vendet e Evropës. Evropa sot ashtu si edhe atëhere është fusha kryesore diplomatike e politikës së fqinjësisë dhe vendi i vetëm, ku ne nuk ishim të përfqësuar ishte Shqipëria. Kjo ishte arësyeja. Ne donim ta tërhiqnim Shqipërinë në rrjetin e marrëdhënieve politike të ndërsjella, të përgjegjësive të ndërsjella dhe unë dua ta theksoj hapur të varësive të ndërsjella, duke e nxjerrë kështu Shqipërinë nga një izolim të zgjedhur pjesërisht vetë apo edhe të imponuar. Genscher-i kishte të drejtë kur mendonte se zyrtarizimi i marrdhënieve nxit informacionet dhe se njerëzve u krijohet kështu mundësia të afrohen me njëri- tjetrin dhe së fundmi kjo do të duhet të çojë në ndryshime politike edhe pse ne këtë të fundit nuk e thamë kaq shkoqur. Dhe këtë ai ma tha mua. Kjo kishte të bënte me faktin se unë isha një diplomat jo tipik, i cili nuk kishte menduar për një karrierë ministeriale, por që kishte eksperiencë në detyra të vështira, në vende të vështira dhe që ishte përpjekur me forcat e veta të arrinte rezulate në terren pa pasur një ndihmë direkte nga qendra, për të ndërtuar një koncept politik apo financiar dhe së dyti unë kisha një bagazh intensiv kulturor, unë kisha shkruar disa libra dhe Genscher-i mendonte se ai që shkruan libra ka interes të angazhohet në një veprimtari të re. Ishin këto dy argumentat e tij: aftësia ime praktike të shkoja diku dhe që isha në gjendje të ndërtoja diçka të re si dhe aftësia e prezantimit intelektual.
DW: Si nisi puna Juaj në Shqipëri? A e njihnit Ju Shqipërinë, çfarë dinit Ju për Shqipërinë kur filluat detyrën Tuaj në Tiranë?
Daum: Unë pata më pak se një muaj kohë përpara se të filloja punën në Tiranë. Ditën e nesërme (pasi ministri i jashtëm më ngarkoi me këtë detyrë) unë fluturova për në Paris, ku bëra një kurs intensiv të gjuhës shqipe me një mësuese private dhe përpara se të nisesha për një udhëtim aventuresk për në Tiranë isha në gjendje të kuptoja shqip. Në atë kohë nuk kishte fluturime direkte, madje dëshira ime ishte të qëndroja edhe një muaj në Gjermani përpara se të filloja detyrën e re, por më duhej të nisesha menjëherë pasi konkurrenti politik, kryeministri i Landit të Bavarisë, Franz Josef Strauss kishte planifikuar një fluturim me avionin e tij për në Tiranë. Qeveria federale sigurisht që donte që përfaqësuesi i saj të ishte në Tiranë dhe kjo së fundmi funksionoi. Për udhëtimin nga Boni në Tiranë m'u deshën tri ditë, pjesërisht me tren, pjesërisht me avion dhe një pjesë të mirë duke pritur në aeroportin e Beogradit.
'Shqipen e mësova në një kurs në Paris'
Unë nuk dija asgjë për Shqipërinë, kisha dëgjuar për Enver Hoxhën, unë sigurisht e dija se ku ndodhej Shqipëria gjeografikisht, vetëkuptohet që unë kisha dëgjuar në shkollë për Skënderbeun, dhe kjo ishte e gjitha sa dija. Në kursin 14 ditor të gjuhës që zhvillohej nga ora 9 e mëngjezit deri në 8 të darkës në Paris kam dëgjuar shumë mbi Shqipërinë, por është një gjë krejt tjetër nëse një vend dhe njerëzit i përjeton drejtpërdrejt, nëse e shikon horizontin me sytë e tu, krahasuar me atë që dëgjon nga larg apo lexon nëpër libra.
DW: Kanë kaluar 20 vjet që kur Shqipëria është hapur dhe në këto 20 vite diskutohet dhe polemizohet vazhdimisht mbi atë se çfarë është biseduar dhe cilat tema janë prekur në negociatat mes diplomatëve gjermanë dhe përfaqësuesve të qeverisë e të partisë komuniste shqiptare përpara vendosjes së marrdhënieve diplomatike me Gjermaninë? A dini Ju më shumë rreth këtyre bisedimeve dhe temave të prekura në to?
Daum: Po, sigurisht që unë di disa gjëra, natyrisht që nuk ishin vetëm përfaqësues të partisë komuniste, por edhe përfaqësues të shtetit shqiptar, të qeverisë. Nga përfaqësueit e partisë komuniste ishte Sofokli Lazri, me të cilin mund të diskutohej, pasi pavarësisht bindjeve dhe qëndrimeve të tij politike, ai ishte një njeri inteligjent. Por nuk kam dijeni se cila është konkretisht polemika në Shqipëri, që unë mund të përgjigjem drejtpërdrejt.
Kur dëshiron diçka me pasion, përfytyron edhe gjëra jo të realizueshme
DW: Atëherë për ta saktësuar: vizita e Hans-Dietrich Genscher-it zgjoi tek shqiptarët një shpresë të madhe në ndihmën që Gjermania do t´i japë Shqipërisë, në popull u komentua se Gensche-ri ka premtuar si të thuash çekun e bardhë. A ishin këto ndihma të lidhura me kushte të caktuara, apo ishin këto shpresa të pabaza e disi naive?
Daum: Tani unë e kuptoj pyetjen tuaj shumë mirë, por është e vështirë të përgjigjesh. Së pari, pasi shpresat dhe naiviteti janë cilësi psikologjike. Nëse njeriu dëshiron diçka me pasion të madh, sidomos në një periudhë të vështirë, atëhere ai përfytyron apo shpreson në një rezultat që në realitet nuk mund të jetë i realizueshëm. Nëse ka shpresa që i korrespondojnë realitetit më e shumta mund të ketë vështirësi të përshtatjes me to. Pra pyetja nëse shpresat ishin të tepruara nuk është një çështje objektive, por është më shumë një çështje e përfytyrimeve apo endienjave njerëzore. Është sigurisht e vërtetë që në bisedat paraprake me Shqipërinë kishte dy interesa: regjimi komunist në Shqipëri ishte ekonomikisht në falimentim, ishte në një gjendje të tillë që me forcat e veta nuk mund të ekzistonte për një kohë të gjatë. Kishte ose nevojë për ndryshime, ose ashtu siç edhe shpresonte qeveria e atëhershme shqiptare për para nga jashtë, që do të lejonte që makineria të mund të vazhdonte të funksiononte akoma. Ne sigurisht që ishim gati ta ndihmonim Shqipërinë ashtu siç edhe kishim bërë me vendet e tjera të Evropës. Shuma, për të cilën bëhej fjalë ishin 40 milionë Marka në vit. Po ndihma nuk jepet asnjëherë me para në dorë, por në formën e projekteve. Pra kthimi në realitet i një premtimi për ndihmë kërkon një periudhë kohore. Kështu një nga projektet e para ishte riorganizimi tërësor i një ndërmarrjeje të mbarështrimit të gjedhit në perëndim të Tiranës. Kjo kishte të bënte me importimin e racave të lopëve të cilësisë së lartë, që japin shumë qumësht, me ndërtimin e stallave moderne, furnizimit me ushqime, të impianteve të transportit dhe të ftohjes për ruajtjen e qumështit etj. E gjitha kjo kërkon kohën e vet dhe realizimi i këtij projekti filloi rreth një vit pasi unë kisha mbërritur në Tiranë. Pra nuk është se paratë erdhën menjëherë. Ky ishte interesi i palës shqiptare.
Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Hans Dietrich Genscher, ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë dhe Helmut Kohl ish-kancelari i Gjermanisë
Pala gjermane synonte integrimin e Shqipërisë në dialogun evropian
Interesi i palës gjermane ishte të integronte Shqipërinë në strukturat e dialogut evropian, që vepronte nën Këshillin për Bashkëpunim dhe Zhvillim Evropian (sot OSBE). Shtetet komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore ndërkohë ishin përfshirë në këtë organizëm, por Shqipëria mungonte. Qëllimi i këtij bashkëpunimi ishte që fillimisht ministrat, zyrtarët të kishin mundësi të udhëtonin më shumë, të kishin shumë më tepër kontakte, por që më vonë edhe të tjerë përfaques nga ekonomia apo kultura, pra sa më shumë njerëz të shikonin vende të tjera evropiane, të shikonin se si punohet dhe veprohet atje, që t´i bashkoheshin strukturave të shumta që ofrojnë liri, por edhe një strukturë së cilës duhet t´i përmbahesh. Pra pala shqiptare synonte të merrte para ose projekte nga Gjermania, kurse ne synonim ta afronim Shqipërinë në ato dhjetra apo qindra organizma dhe struktura që ishin aktive në mbarë Evropën.
DW: Pra pati bisedime paraprake dhe u vendosën në vazhdim marrdhëniet diplomatike gjë që ndodhi