Festivali i të Rinjve, ministria “rrudh” buxhetin
alma mile
Më pak para, më pak shfaqje dhe një tematikë e kufizuar. Ky do të jetë edicioni i këtij viti për Festivalin Teatror i të Rinjve. Mbështetja e artistëve të rinj, krijimi i mundësive për shfaqjen e talenteve..., tanimë duket se janë kthyer thjesht dhe vetëm në ca slogane, që rimerren e ripërsëriten, sa herë që bëhet fjalë për politika kulturore. Dhe faktet flasin pikërisht për këtë. Dje u hap zyrtarisht konkursi i artistëve të rinj, apo njohur ndryshe si Festivali i Regjisorëve të Rinj. Përfaqësuesi i Ministrisë Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Nikolla Lena, dhe regjisori Adonis Filipi parashtruan piketat, ku do të mbështetet ky aktivitet teatror. Ky festival, i cili zhvillohet në vjeshtë, është parë gjithnjë si një mundësi më shumë për të rinjtë e sapodiplomuar në fushën e regjisë skenike, aktrimit, apo skenografisë, por që fatkeqësisht sa vjen dhe rrudhet. Këtë vit, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që është edhe financuesja e këtij projekti, akordon një fond prej më pak se 4 milionë lekësh të reja, për të gjithë festivalin. Një fond ky, që do të ishte i pamjaftueshëm edhe për një vepër të vetme. Dhe me këtë fond parashikohet që të financohen 4 vepra. Nëse do të kthehemi pas dhe të shohim edicionet e shkuara, duket qartë se ky fond sa vjen e zvogëlohet, dhe nga 7 milionë lekë, që ka qenë vite më parë, zbriti në 6, 5 e tani më pak se 4 milionë lekë (më saktë 3.935 000 lekë). Organizatorët e festivalit justifikohen me idenë që artistët e rinj duhet të luftojnë vetë për të gjetur sponsorë, por kjo, në një ambient që nuk është edhe fort i dhënë pas artit, aq më tepër edhe në kushtet e një krize financiare, kjo nuk është edhe aq i thjeshtë. Regjisori Adonis Filipi, një nga anëtarët e jurisë, i cili e di fare mirë se çdo të thotë të ngresh një vepër, u shpreh se do të ishte e udhës që të akordoheshin më shumë fonde nga ana e shtetit.
E natyrisht zvogëlimi i buxhetit ka sjellë edhe uljen e numrit të shfaqjeve, i cili nga 9 që ishin dikur, ka zbritur në 5, apo 4 të tilla. Mjaft të kujtojmë që një vit më parë, me një fond gjithsesi të limitur, prej 5,5 milionë lekësh u realizuan 6 shfaqje, ndërsa këtë vit kemi dy shfaqje më pak. Nëse mbështetje dhe më shumë mundësi, nënkupton më pak para, atëherë vitin që vjen ky festival rrezikon të përfundojë me 3, apo 2 shfaqje, deri në momentin që ministria ta shohë të udhës të mos e sponsorizojë më këtë festival dhe të rinjtë t’i gjejnë vetë të gjitha fondet, nëse do të jenë të interesuar. Por edhe këto pak fonde, ministria ka vendosur t’i menaxhojë vetë këtë vit. është ajo që ka zgjedhur juritë përzgjedhëse dhe po ajo që vendos kriteret e konkurrimit. E ndërsa ofrohen më pak para, ofrohet edhe më pak fushë veprimi. Veç kritereve të përvitshme, si mosha e konkurrentëve, cilësia, etj., këtë vit, do të kenë prioritet veprat që kanë në qendër figurën e Nënë Terezës. Sigurisht që të nderosh një figurë, si ajo e shenjtores shqiptare, është pa dyshim diçka e mirë, por ky “kriter” rrezikon cilësinë e festivalit. Meqenë që kjo tematikë do të ketë prioritet, janë të gjitha gjasat që shumica e pretendentëve për të marrë pjesë në festival, të trajtojnë pikërisht këtë temë. Por edhe nëse kjo nuk ndodh, rregullat e lojës për pjesëmarrësit nuk janë të njëjta, përderisa fillon qysh në ditën e tij të parë me “parapëlqime”. Ndoshta do të kishte qenë e udhës që i gjithë festivali t’i kushtohej Nënë Terezës, që edhe gara të ishte e barabartë për të gjithë.
Projektet fituese do të shpallen në muajin shtator, ndërsa do të shfaqen ashtu si çdo vit në muajin tetor, përgjatë javës së festivalit, që këtë vit, duket se do të zgjasë vetëm 4 ditë. Ashtu si e do tradita, festivali do të kulmojë me natën e shpalljes së trofeve. Janë plot 7 çmime që do të shkojnë për shfaqjen, regjisorin, skenografin, aktorin... më të mirë. Ekziston mundësia që shfaqja më e mirë të marrë pjesë në aktivitete teatrore ndërkombëtare.
MTKRS merr frenat e organizimit
Prej vitesh organizimi i Festivalit të të Rinjve i është besuar Teatrit Kombëtar, si institucioni që disponon ambientet, infrastrukturën, por edhe njerëzit për ta menaxhuar. Këtë vit duket se MTKRS do t’i marrë vetë të gjitha meritat. Për të vlerësuar projektet që do të paraqiten, fillimisht pjesëmarrësit në garë e më tej fituesit kanë ngritur dy juri. Atributin për përzgjedhjen e jurive, këtë vit e mori MTKRS, ndërsa vitet e shkuara ata janë zgjedhur nga Teatri Kombëtar. Dhe kjo ndodh pikërisht, kur MTKRS po lobon për Ligjin për Artin, ku parashikohet ngritja e një Qendre Arti, e cila do të merret me projektet dhe do të çlirojë Ministrinë nga “barra” e shpërndarjes së fondeve. Por që me rastin e parë, MTKRS bën të kundërtën. Ajo rimerr në duar frerët e organizimit, vendos kritere, zgjedh juri, menaxhon para.