Berat, prezantohet projekti për mjedisin
BERAT - Qyteti i Beratit së shpejti do të ketë një sistem të ri të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha. Projekti që ka të bëjë me sistemimin e qytetit, për sa i përket ndotjes mjedisore, u prezantua dje në prefekturën e Beratit. Sipas raportit të mbajtur nga sekretari i prefekturës, Petrit Sina, projekti do të mbështetet në ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe ato të bardha, zëvendësimin e kolektorëve, ruajtjen e mjedisit nga ndotjet, si mbetjet spitalore, mbetjet e ish- zonave industriale, si dhe ndotjen e ajrit. "Kolektorët e ujërave të zeza i kanë derdhjet e tyre në lumin Osum, shumë pranë zonës së banuar. Lumi Osum përshkon qytetin tonë përgjatë gjithë gjatësisë së tij, gjë që e bën mundësinë e ndotjes më të madhe. Aktualisht ujërat e zeza shkarkohen nga 7 kolektorët nga materniteti e deri tek kombinati. Grykat e kolektorëve dhe pusetave kryesore dezinfektohen herë pas here, për të mos krijuar vatra të insekteve apo brejtësve, megjithatë kjo nuk mjafton. Zgjidhja definitive kërkon ndërhyrje imediate në sistemimin e kanaleve të ujërave të zeza si dhe përpunimin e tyre në impiante speciale", u shpreh Sinaj.Gjithashtu një vëmendje e veçantë i është kushtuar pastrimit të lumit Osum, i cili është mbingarkuar nga mbetjet. Në këtë projekt është parashikuar edhe ndërhyrja në infrastrukturën e shkatërruar të qarkut të Beratit, në kurorën e qytetit që është tejet e shkatërruar, etj. Në takim u theksua me të madhe edhe ndotja e ajrit dhe ajo akustike. E dhënë në shifra konkrete, në Berat brenda një dite qarkullojnë rreth 6 mijë mjete të tonazheve të ndryshme, të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në ndotjen e ajrit. Mbetjet spitalore, rreth 600 metër kub në vit konsiderohen si një tjetër rrezik për qytetarët. Në sajë të këtij projekti, ato nuk do të hidhen më në lumin Osum, por do të digjen. d.xh