E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjedh 6 milionë euro, Indrit Aliu: Më falsifikuan firmën



Trazhgim Sokolaj

Prokuroria e Tiranës i njofton akuzën të dyshuarit për vjedhjen me anë të mashtrimit të 6 milionë eurove nga 11 tregtarë dhe biznese të ndryshme në Tiranë. Njësia Task Force në Prokurorinë e Tiranës, e cila është duke përfunduar hetimet ndaj të dyshuarit Indrit Aliu, i ka njoftuar atij akuzën në prani të avokatit, pak ditë më parë. Pasi i është bërë e ditur se akuzohet për vjedhje me anë të mashtrimit në shuma të mëdha, Indrit Aliut i është kërkuar të japë deklarime në lidhje me akuzën. Pa hyrë në hollësi në lidhje me akuzën, i dyshuari për vjedhje me anë të mashtrimit në 11 raste, ka pohuar se mandatarkëtimet dhe dokumentet që zotërojnë të paktën gjashtë persona të cilëve ai u ka marrë hua sasi të mëdha parash, janë të falsifikuara. "I pandehuri Indrit Aliu ka pretenduar pas njohjes së akuzës, se është falsifikuar firma e hedhur në emër të tij në mandatet e arkëtimit dhe në faturat e lëshuara për shumat financiare", kanë thënë burimet nga hetimi i çështjes në Prokurorinë e Tiranës. Hetimi ndaj Indrit Aliut filloi një vit më parë, pasi katër persona dhe biznese të ndryshme denoncuan të dyshuarin, në cilësinë e presidentit të kompanisë "Dejs & Partners Consulting". Ndërkohë që Indrit Aliu ishte larguar nga Shqipëria, ndaj tij u depozituan 11 kallëzime penale, nga të cilat 6 u plotësuan me dokumente, që provonin se ai kishte marrë shuma parash dhe vlera materiale nga biznesmenë dhe kompani, në formën e huave të cilat më pas nuk i kishte kthyer. Sipas hetimeve të prokurorisë, shuma më e vogël që i dyshuari ka përfituar në një rast ka qenë 10 mijë euro nga një dyqan celularësh. Ndërkohë në total, dëmi financiar i shkaktuar të dëmtuarve, sipas prokurorisë është rreth 6 milionë euro. Pak muaj më parë, Indrit Aliu, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, u ekstradua nga Greqia ku mbahej prej muajsh i arrestuar për llogari të Prokurorisë së Tiranës. Pas mbërritjes në Tiranë, prokuroria i ka njoftuar akuzën të dyshuarit, i cili pritet të dalë para gjykatës brenda pak javësh, pasi prokuroria është duke përfunduar hetimet për vjedhjet që dyshohet se janë kryer me anë të mashtrimit nga i pandehuri. Ai u prezantohej të dëmtuarve herë si zyrtar i një ministrie e herë si biznesmen i besueshëm, dhe u premtonte tenderë dhe në këmbim të tyre u kërkonte paradhënie 1-20 për qind të shumës që do të fitonin. Sipas prokurorisë, viktima të të pandehurit kanë rënë shtetasit me iniciale A.B., R.B., S.R., B.N. dhe L.K., me aktivitete të ndryshme biznesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›