Masakra e Vidohovës, babai i vëllezërve në Apel për vendimin
KORçE - Babai i tre vëllezërve të vrarë në fshatin Vidohovë, janarin e këtij viti kërkon apelimin e vendimit të Gjykatës së Faktit në Korçë. Pas krimit të trefishtë, kjo gjykatë dënoi me 25 vjet burg autorin Besim Karaj. Xhevahir Mulliri është paraqitur dje në Gjykatën e Apelit dhe kërkoi që të apelojë vendimin pasi sipas tij, vrasësi meritonte një dënim më të rëndë. Por kërkesa e babait të tre djemve të vrarë, Taulant, Xhilian dhe Etlevan Mulliri, nuk është marrë parasysh nga Apeli duke argumentuar se vendimit të shkallës së parë i ka kaluar afati i duhur për të shqyrtuar sërish. Edhe prokuroria nga ana e saj nuk e ka apeluar këtë vendim. Ndërsa familja e viktimave nuk është paraqitur në kohë për apelim të vendimit të faktit dhe kërkesa e tanishme për të rihapur çështjen në Apel për gjykimin e Besim Karajt nuk ka marrë aprovim. Xhevahir Mulliri u shpreh se vonesa për të apeluar vendimin e dënimit me 25 vjet heqje lirie të Besim Karajt ka ardhur pasi ai nuk kishte pasur dijeni për vendimin e Gjykatës së Korçës, për shkak se seancat ishin mbajtur me dyer të mbyllura. Kështu e ka justifikuar ai mungesën e apelimit në kohë të vendimit. Më parë, familja Mulliri zhvilloi një protestë publike me tre arkivole të improvizuara, duke i nxjerrë ato në qendër të qytetit të Bilishtit, si dhe para komisariatit të policisë së këtij rrethi. Kjo protestë u zhvillua në shenjë kundërshtimi për vendimin e Gjykatës së Faktit, por në atë kohë familja Mulliri nuk bëri përpjekjet në kohë që të apelonte ndërkaq edhe vendimin, për mundësinë e zhvillimit të një procesi të dytë gjyqësor ndaj Besim Karajt edhe në Apel. Karaj ekzekutoi me armë automatike tre vëllezërit nga Vidohova për nder. Ai pranoi në polici krimin e rëndë duke pohuar se kishte dashur të vriste vetëm një nga vëllezërit, i cili kishte lidhje intime me gruan e tij. Burime nga Gjykata e Apelit bënë të ditur se kërkesa e Xhevahir Mullirit nuk u pranua, për shkak të tejkalimit të afateve për apelim. g.a