Ballkani dhe programi i qeverisë gjermane
Parlamenti gjerman debatoi të martën edhe për politikën e jashtme e të sigurisë. Deputetët e opozitës e kritikuan ministrin e Jashtëm, Guido Westerwelle, ndër të tjera edhe për mospërmendjen e vendeve të Ballkanit.
"Nuk ka vende të vogla në Evropë"
Fjalimi i parë programatik i ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Guido Westerwelle, ishte relativisht i shkurtër dhe parimor. Politikani liberal foli për vazhdimësi në politikën e jashtme dhe të sigurisë, në marrëdhëniet me Francën, Gjermaninë dhe Poloninë, ato transatlantike dhe në politikën evropiane, duke e vënë theksin tek vendet e vogla.
“Nuk ka vende të vogla në Evropë. Respekti para të gjithë anëtarëve të Bashkimit Evropian duhet dhe do të karakterizojë politikën time”, - premtoi ministri i ri, duke parasysh këtu më shumë anëtarët e vjetër të Bashkimit Evropian, si Holandën, Belgjikën, Luksemburgun.
Zgjerimi i BE-së përmendet vetëm përciptazi
Pikërisht mungesën e fokusimit ndaj vendeve të Lindjes dhe Rusisë e kritikoi Gernot Erleri, ish-ministri i Shtetit për Evropën, i cili në legjislaturën e tanishme është në radhët e opozitës.
Erleri kritikoi ndër të tjera edhe faktin që në marrëveshjen e koalicionit zgjerimi i BE-së përmendet vetëm përciptazi, pa folur konkretisht se për cilat vende bëhet fjalë. “Ky ndryshim në (politikën e jashtme), jo vetëm që po ndiqet me shqetësim në vendet e Ballkanit, por është edhe i rrezikshëm”, - tha politikani socialdemokrat dhe shtoi: “Ju mbani përgjegjësi të plotë për pasojat e tij në Ballkan”.
Kristiandemokrati Andreas Schockenhoff e mori në mbrojtje politikën e rezervuar të qeverisë aktuale ndaj zgjerimit të BE-së: “Përvoja e keqe me hyrjen e parakohshme të Bullgarisë dhe Rumanisë na paralajmëron se duhet të jemi më në dijeni për gjendjen e kandidatit, para se të marrim vendim për pranimin e tij”, - tha ai. Schockenhof përshëndeti faktin, që ministri i Jashtëm, Guido Westerwelle, nuk është dorëzuar para presionit të kryetares së radhës së BE-së, Suedisë, për t'u pozicionuar në lidhje me Maqedoninë dhe Islandën.
Politikën ndaj Ballkanit e kritikoi edhe deputeti i Të Gjelbërve, Fritjof Schmidt. “Ku janë iniciativat për t'u ofruar një të ardhme shteteve pasardhëse të ish-Jugosllavisë që janë ende të tronditur nga lufta?”, - u ankua ish-deputeti i Parlamentit Evropian.
Vetëm ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg, i përmendi vendet e Ballkanit, sidomos Kosovën, në kuadër të bilancit të angazhimit të deritanishëm të trupave gjermane në botë. Ai e vlerësoi pozitivisht reduktimin e trupave gjermane: “Në Kosovë ne arritëm të krijonim një shtet të ri në rrugë paqësore, që ende është i varur nga ndihmat dhe ka një rrugë shumë të gjatë përpara, por sukseset tona të atjeshme na kanë mundësuar uljen e pranisë ushtarake”, - tha Zu Guttenberg.