E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasje në Tiranë, ekzekutohet tek dera e shtëpisë 38-vjeçari



Një 38-vjeçar është ekzekutuar me armë tek dera e shtëpisë në Tiranë. Ngjarja ndodhi në mbrëmjen e ditës së djeshme në periferi të kryeqytetit, në Shishtufinë. Sipas burimeve nga policia, viktima është Arben Visha, babai i tre fëmijëve. Ai është qëlluar me pistoletë, duke gjetur vdekjen. Autori i krimit pas vrasjes është larguar nga vendngjarja, duke iu shmangur arrestimit. U ngrit një grup hetimor, i cili po punon për zbardhjen e kësaj vrasjeje.

Ngjarja

Rreth orës 19:30, 38-vjeçari Arben Visha ka qenë duke u futur në banesën e tij në rrugën kryesore afër urës në Shishtufinë. Ndërsa ishte pak metra larg portës, ai është qëlluar me armë, duke u rrëzuar në tokë. Sipas dëshmitarëve, janë dëgjuar pesë krisma pistolete. Viktimës i është dhënë ndihëm e parë, duke e dërguar atë në spitalin e Tiranës, por si pasojë e plagëve të marra, ai nuk ka mundur të mbijetojë. Ndërkohë, vrasësi është larguar në rrugicat e lagjes, duke i shpëtuar arrestimit. Sipas banorëve të lagjes, viktima ishte baba i tre fëmijëve. Ai ishte banor i zonës. Viktima emigronte herë pas here në Greqi për të punuar, pasi kishte familjen për të mbajtur. Ai priste sërish që të largohej për në vendin fqinj.

Hetimet

Policia e Tiranës ngriti një grup pune për të hetuar në lidhje me këtë ngjarje. U këqyr vendi i ngjarjes, ndërkohë që u morën dëshmitë e para. Grupi hetimor sekuestroi edhe pesë gëzhoja pistolete, të dala nga arma e krimit. Po punohet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të vënë në pranga autorin e krimit. Sipas burimeve nga policia, janë disa pistat ku po hetohet për ngjarjen. Një prej tyre është një konflikt i viktimës me autorin e krimit. Sherr i momentit, por edhe hakmarrje. Viktima ka qenë i akuzuar për vrasjen e një personi para disa viteve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›