Prifti garanton punonjësit e ARMO-s në reformë, se do t’i marrin pagat
Ish-punonjësit e ARMO-s të dalë tashmë në reformë si rezultat i privatizimit të kësaj shoqërie kanë mbërritur dje në zyrën e ministrit Prifti, për të kërkuar zgjidhje për mospagesën e asistencën që iu takonte. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Dritan Prifti, ka pritur në ambientet e ministrisë një përfaqësi të punonjësve të dalë në reformë nga privatizimi i ARMO-s dhe ka dëgjuar gjithë shqetësimet e tyre. Punonjësit shprehën shqetësimin që janë paguar vetëm për 8 muaj si asistencë pas privatizimit. Ata kërkuan të paguhen dhe për 4 muaj, si dhe të paguhen për vjetërsinë në punë sipas vendimit të qeverisë mbi privatizimin e ARMO- s. Ministri Prifti sqaroi ish-punonjësit se njihet me çështjen dhe se gabimet teknike në llogaritje të bëra nga ARMO (shtetërore) dhe METE në kohën e privatizimit kanë sjellë problemet në pagesa. Megjithatë, çështja është drejt zgjidhjes. Në një marrëveshje që pritet të firmoset mes METE-s dhe kompanisë “Taçi Oil”, parashikohet që “Taçi Oil” dhe qeveria të paguajnë faturën përkatëse për të përmbushur këtë detyrim të merituar ndaj punonjësve të dalë në reformë. Marrëveshja ishte parashikuar të firmosej javën e kaluar, por për shkak të problemeve ligjore të z. Rezart Taçi mbeti pa firmosur. METE i garanton ish-punonjësit e ARMO-s, që pavarësisht nga zhvillimet me presidentin e “Taçi Oil”, detyrimi ndaj tyre do të shlyhet brenda vitit 2009. Shumë punonjës të kompanisë ARMO pas privatizimit të saj dolën në reformë dhe ata do të paguheshin për 1 vit me asistencë. Por siç ata i kanë rrëfyer ministrit Dritan Prifti, nuk kanë mundur të marrin gjithë pagat që iu janë premtuar dhe iu takojnë me ligj. Kompania ARMO tashmë është privatizuar nga konsorciumi “Rafenery Associates of Texas, Anika Enterprises and Mercuria Energy Group”. Pronarët e rinj aktualisht po realizojnë një investim, që vetëm në dy vitet e parë do të arrijë në 100 milionë euro, që do të bëjë të mundur prodhimin e naftës eurodizel. Në janar të këtij viti hodh në treg pas 30 vitesh naftë eurodizel. Kompania ARMO u privatizua në fund të vitit të kaluar dhe 3 muaj pas privatizimit të saj, ARMO hodhi në treg naftë të cilësisë së lartë. Nafta vendase ka një përqindje shumë të vogël squfuri, çka bën që cilësia e saj të jetë shumë më e mirë se eurodizeli i importit. ARMO u privatizua kundrejt një vlere prej 128 milionë eurosh. Kompania që ka privatizuar ARMO-n parashikon që të investojë një shumë prej 240 milionë dollarësh gjatë 5 viteve. Zbatimi i biznes-planit, përveç parashikimeve të ndryshme kontraktuale, garantohet edhe nëpërmjet penaliteteve që palët kanë parashikuar në rast moszbatimi të tij. Kontrata i detyron blerësit e ARMO-s të mos shesin aksionet e tij pa miratimin e ministrisë për një periudhë pesëvjeçare.