Ballkani e kishte të domosdoshëm Kosovën shtet
Kosova ka qenë vështruar si medalja send: në njërën anë toka, në tjetrën populli. Ajo ishte trajtuar politikisht si një “Hënë” - satelit i Serbisë - duke u gjykuar vetëm nga ana e “ndriçuar” - territori. Por, qe edhe pamja e “padukshme”, e cila doli në pah, sidomos gjatë barbarisë serbe.
Dy anë kishte dhe çështja e saj. Bota, prej shumë vitesh, dinte mbi përpjekjet e Kosovës për t’u çliruar, për të qenë e lirë, e pavarur dhe pasë shtetin e vet, si kërkesë e shqiptarëve. Ndërsa, thuajse, nuk është cekur, për të zgjuar dukurinë heshtëse të zgjidhjes, të cilën, le ta shprehim në formën e pyetjes: Po, Ballkani, a nuk e kishte të domosdoshëm Kosovën shtet?
Dihet mirë që, Kosova shtet nuk u bë për inat të Serbisë. Gjithashtu, dihet mirë që, Kosova shtet nuk u bë për dëshirë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ndodhi edhe nga domosdoshmëria ballkanike për Kosovën shtet. Kushtet, për t’u kryer, nuk u krijuan vetëm me luftën e vitit 1999. Ballkani, i strukturuar politikisht, duhet thënë se ka dy kohë të vona: Me Jugosllavinë dhe Pa Jugosllavinë. Gjatë Jugosllavisë, të pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova u përpoq të arrinte statusin e Republikës. Por, për të gjitha arsyet e njohura, Kosova nuk përbënte një çështje ballkanike. Kërkesa e saj e zhvilluar, e argumentuar dhe e mbështetur me protesta, mori si përgjigje kundërshtimin agresiv të Serbisë, dhe u përmbyll me kompromis nga Federata, me të ashtuquajturën autonomi. Kosova nuk u bë Republikë vetëm për shkak të hegjemonizmit serb. Por, pa asnjë dyshim, Federata Jugosllave e pati të domosdoshme Kosovën Republikë, për të ndërtuar një barazpeshë, më organike, të shtetit të përbërë dhe të shqiptarëve me popujt e tjerë atje, përballë serbizmit. Mirëpo, siç është vërtetuar, dinamitin në zemër të Jugosllavisë, e vendosi Serbia, pikërisht ajo që e ngjizi Jugosllavinë. Kosova qe pasojë tragjike e mosdhënies së Republikës dhe, për shumë vjet, Serbia dhe politika ndërkombëtare, u rrotulluan rretherrotull zgjidhjes, me mëdyshjen hamletiane: Autonomi apo Pavarësi?
Përgjigjja, me gjymtyrën e dytë - Pavarësi, i përket kohës pas vdekjes së Jugosllavisë. Ballkani, territor i ngjeshur gjeografik, me këtë ngjarje madhore për të, menjëherë u vendos në një realitet të ri, shtetet e të cilit, ndaj Kosovës nuk mund dhe nuk duhej të interpretonin Republikën Federative Socialiste Jugosllave, me Jugosllavi të vdekur. Jugosllavia e pati të nevojshme Kosovën Republikë, dhe nuk e kreu, por Ballkanit iu bë domosdoshmëri Kosova shtet, që të ndalonte një Serbi hegjemoniste të mbështetur nga Moska, dhe që Ballkani të mos luante padrejtësisht rolin e shtetit të vdekur, të përcjellë në histori.
Gadishulli ynë nuk ka përmasat e një kontinenti, i kompozuar me shtete mesatare apo të mëdhenj. Përplasja serbo - shqiptare e plotë, nuk ishte as e vogël dhe as në humbëtirat e një Rusie a Kine, që lëkundjet e përftuara të mos ndjeheshin e të mos kishin pasojë të drejtpërdrejtë në shtetet përreth. Pranimi i zgjidhjes së përhershme ishte qetësim i fqinjëve, për t’i shpenzuar energjitë, jo për t’u mbrojtur nga të këqiat e një konflikti të pashuar e i përhapshëm, por për përshpejtim në rrugën e integrimit europian.
Vërehet një përfundim me vlerë në gadishull: me përjashtim të Bosnjë - Hercegovinës, e cila për njohjen e Republikës së Kosovës, ende mbahet peng nga Republika Serbe, strukturë e rëndësishme e atij shteti, të gjitha republikat e tjera të ish - Jugosllavisë, e pranuan domosdoshmërinë e Kosovës shtet, të cilat e njohën brenda pak muajve, filluar me Slloveninë e përfunduar me Malin e Zi dhe Maqedoninë. Eshtë për t’u habitur që, dy shtete ballkanike, Greqia dhe Rumania, nuk janë pajtuar me domosdoshmërinë e Kosovës shtet, duke u sjellë politikisht ndaj pavarësimit të saj, si të vijonte ende Republika Federative Socialiste e Jugosllavisë. Kjo ngecje pas në kohë e tyre, nuk është më çështje e Kosovës, por e pranimit të një realiteti tjetër, të një Ballkani pa perandorinë e vogël jugosllave. Greqia dhe Rumania, edhe pse përjetojnë klimë qetësuese, të sjellë nga Kosova shtet, nuk shprehen për këtë domosdoshmëri, ndërsa vuajnë mërzinë nacionaliste të Serbisë.
Nëse Kosova e kërkoi, e meritoi dhe e arriti shtetin e vet, dy vende të tjera në Gadishull e kanë pasur jetike këtë zgjidhje. E para, vetë Serbia. Beogradi humbi një rast të jashtëzakonshëm, për të kapërcyer sedrën e mundjes të nacionalizmit serb, me shpërbërjen e Jugosllavisë dhe luftërat e dënura. Serbia duhet ta njihte e para Kosovën shtet dhe të mbyllte problemin, sepse nuk kishte asgjë në anën e vet: as territorin, as popullin, as fuqinë për ta pushtuar dhe, sikur bashkësia ndërkombëtare t’ia linte për ta qeverisur, nuk mund ta nënshtronte më për ta administruar. Ky arsyetim arithmetikor i thjeshtë, mjafton si për të dhe tërë Gadishullin. Serbia, duke e humbur kontrollim mbi perandorinë e vogël, njëherësh ishte mundur edhe në Kosovë. E dyta, ishte Shqipëria. Duke mos ndjekur politikën e bashkimt të Kosovës, gjithçka qe thjeshtuar prej saj. Zgjidhja e vetme për të u bë pavarësia e Kosovës, futja në NATO dhe antarësimi në Bashkimin Europian. Krijimi i shtetit të Kosovës i hoqi asaj nga tavolina një çështje që i merrte shumë energji politike.
Koha vërtetoi se ishte krejt i pavend mendimi që, pavarësia e Kosovës krijon me shumë probleme se sa i zgjidh ato. Kokëçarje dhe konflikte do të kishte në Ballkanin e jugosllavizuar, dhe jo në Ballkanin e europianizuar. Është diskriminim, tipik i shkollës serbe, pikëpamja se Kosova shtet nuk i ka kapacitetet për t’u vetqeverisur, a thua se shtetet përreth saj nuk janë sa ajo dhe si ajo. Nëse ka ndonjë diferencë mes tyre, për këtë duhet fajësuar Serbia dhe mbështetur Kosova. Dhe, është mendim i marrë kur thuhet se Kosova shtet i ndihmoi Rusisë që ajo të njihte Osetinë e Jugut dhe Abhazinë. Këtyre u duhet thënë: Po pushtimin e ujërave Arktike, a mos Moska e kreu për shkak te Kosovës? Çeçenia, mos paska qenë një paradhënie për çfarë do të bënte Kosova më vonë? Sulmi mbi Gjeorgjinë, a nuk kishte ngjashmëri me sulmin e Serbisë mbi Kosovën? Po droja Ukrainase e Moldovase, edhe ato burojnë nga pavarësia e Kosovës?
Kosova shtet qetësoi vetveten dhe gjithë shtetet e Ballkanit. E trazuar vetndjehet vetëm Serbia. Por, Gadishulli, me katër anëtarë të BE-së - Greqi, Slloveni, Rumani dhe Bullgari, me kandidatë të tjera të mundshëm, të vendosur në rendin europian të demokracisë e zhvillimit, do të çojnë edhe në qetësimin e Serbisë. Kosova shtet dhe Ballkani i qetësuar janë forcë qetësimi edhe për Serbinë. Deri kohë më parë, ishte Kosova që kishte nevojë për mbështetjen e Ballkanit për pavarësi, tani është edhe Gadishulli i Ballkanit që ka nevojë për Republikën e Kosovës.