E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballkani i droguar

Disa prej shteteve të Ballkanit janë shndërruar në vende transite të trafikut të drogës, që destinacion ka shtetet e Evropës Perëndimore, e më së shumti, Italinë.

Në fakt, këto shtete si Serbia, Kosova, Maqedonia apo Shqipëria, janë pjesë e një zinxhiri të gjatë vendesh nëpër të cilat kalon droga, për të mbërritur deri në shtetet perëndimore, që janë edhe vendet konsumuese të saj.

Kështu thuhet ndër të tjera në një raport të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krime (UNDOC), për vitin 2010.

Sipas këtij dokumenti, vetëm tregu i heroinës në vendet e Evropës Perëndimore është i barabartë sa prodhimi i përgjithshëm bruto (GDP) i Kosovës, Serbisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë, marrë së bashku, ose në total, 20 miliardë dollarë amerikanë në vit. Megjithëkëtë, në këtë dokument thuhet se të gjitha vendet janë të prekura nga ky lloj trafikimi.

Sipas raportit, tregu i drogës është një kërcënim për vendet e Ballkanit si për Kosovën, Serbinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Maqedoninë dhe Shqipërinë.

Madje dokumenti përmend edhe arsyet përse trafikimi i drogës është në këtë nivel aq të lartë.

“Një numër i konflikteve të pazgjidhura ose tensioneve ndëretnike pamundësojnë bashkëpunimin rajonal dhe reagimin urgjent e efektiv për parandalimin këtij trafikimi”, shkruan në këtë dokument.

Duke ofruar ide për zgjidhjen e këtij problemi, raporti përmend së paku një mundësi, të cilën Kombet e Bashkuara mund ta përdorin në luftimin kësaj dukurie.

Sipas dokumentit, në zonat ku janë prezente trupat paqeruajtëse të OKB-së, mund të arrihet një përparim i menjëhershëm, në këtë drejtim.

“Një numër i madh i paqeruajtësve të OKB-së veprojnë në rajonet e prekura nga trafikimi, duke përfshirë Afrikën Perëndimore, atë Jugperëndimore, Azinë Qendrore, dhe Evropën Juglindore- në Kosovë”, thuhet në dokumentin prej dhjetëra faqesh.

Aty shkruan se policia e OKB-së duhet të jetë në pozitë të mirë që të koordinojë aktorët ndërkombëtarë në promovimin e paqes dhe të përfshihet në hartimin e masave parandaluese për të ndërtuar planin përkatës.

Por duket se nuk janë vetëm shtetet e Ballkanit të prekura aq shumë nga trafikimi i drogës.

Dokumenti jep një pasqyrë se prej nga vjen dhe si vjen droga, e cila i kalon shtetet e Ballkanit.

Logjistika e drogës, e cila si vend të origjinës ka kryesisht Afganistanin, kalon edhe Iranin, i cili ka një vijë të gjatë kufiri prej 132 kilometrash, një pjesë e të cilit për shkak të konflikteve, është e pakontrolluar.

Një pjesë e sasisë së drogës vazhdon rrugën drejt vendeve të Kaukazit, të cilat për shkak të problemeve që kanë, nuk mund të kontrollojnë si duhet trafikun e drogës brenda territoreve të tyre.

Si shembull për këtë, raporti përmend Gjeorgjinë, përmes së cilës, trafiku i drogës ka shënuar rritje drejt Evropës, përmes Detit të Zi.

Sa i përket rrugës së drogës në drejtim të Ballkanit, raporti thekson se ajo kalon nëpër territorin e Turqisë, saktësisht në pjesën ku ajo ka më pak autoritetet shtetëror, sepse kontrollohet nga grupet etnike kurde.

Madje, kjo pjesë përfshin një rrip të gjatë kufiri që kontrollohet nga kurdët, ndërmjet Turqisë, Iranit dhe Irakut.
Ky grup merr drogën dhe përmes rrjetit të tyre e dërgojnë drogën drejt Evropës.

Raporti përmend një dokument të Agjencisë për Krime Serioze të Britanisë së Madhe të vitit 2009, ku thekson se rrjetet e trafikut nga Turqia vazhdojnë të kontrollojnë furnizimin me heroinë të Evropës.

Kjo do të thotë se rrjetet e Turqisë e sjellin drogën deri në kufijtë e Bullgarisë ose Greqisë, ku pastaj kujdesin për të e marrin grupet e Ballkanit. Pavarësisht kësaj, shteti turk lavdërohet në dokument për luftën që është duke e bërë ndaj drogës, por kritikohen shtetet e Ballkanit. “Relativisht pak është shënuar përparim nga shtetet e Ballkanit në luftimin e këtij trafikimi”, thuhet në raportin e UNDOC-së.

Madje për këtë jepen edhe shifra. Sipas tyre, në vitin 2008, 11 shtete të Evropës Juglindore, duke përfshirë edhe Greqinë dhe Qipron, nuk kanë mundur as për së afërmi të konfiskojnë lëndë narkotike sa ka bërë Turqia apo edhe Irani.

Thënë më ndryshe, çdo kilogram droge i zënë nga këto shtete, është e barabartë me 6 kilogramë që janë kapur nga Turqia apo 11 kilogramë nga Irani.

Madje shumë shtete, me raportet e tyre për konfiskime të lëndëve narkotike, lënë të nënkuptohet se droga kalon nëpër territoret e tyre, vëren dokumenti.

Si shembull negativ merret Mali i Zi, i cili për tërë vitin 2008, ka kapur vetëm 18 kilogram heroinë, Bosnja e Hercegovina 24 kilogramë, Maqedonia 26, Hungaria 28, Shqipëria 75, Austria 104, Sllovenia 136, Kroacia 153 dhe Serbia 207 kilogramë.

Sa u përket rrjeteve të trafikimit, dokumenti thekson se është shumë e qartë se disa prej tyre e kanë hierarkinë e ndërtuar në Shqipëri.

“Grupet shqiptare kanë një strukturë të atillë që në mënyrë të veçantë e bën të vështirë infiltrimin. Kjo pjesërisht e shpjegon arsyen përse ata vazhdojnë të kontrollojnë disa tregje të heroinës në Evropë”, theksohet në dokument. Në raport thuhet se grupet shqiptare janë më të dukshme në Greqi, Itali dhe Zvicër. Madje, Italia vazhdon të mbetet vendi më i rëndësishëm për trafikantët e Ballkanit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›