E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ia shohin hairin autostradës

Në muajt e fundit, qyteti i Kukësit ka njohur rritje ekonomike. Hapja e autostradës dhe rritja e bashkëpunimit me bizneset kosovare ka bërë që të vërehet një rritje e numrit të bizneseve, çka flet për tendencën e rritjes së ekonomisë me uljen e numrit të papunëve. Drejtues të Zyrës rajonale të tatim-taksave në Kukës tregojnë se peshën kryesore e zë biznesi i vogël, i përqendruar kryesisht në bare, lokale shërbimi dhe kioska të vogla, që përbëjnë mbi 80 për qind të numrit të biznesit privat në Qarkun e Kukësit, i cili rëndom cilësohet si biznes familjar. Gjatë kohëve të fundit, ndërtimi dhe vënia në funksion e tunelit të Kalimashit ka bërë që në Kukës të shtohet qarkullimi i njerëzve dhe automjeteve, por edhe ekskursionistëve nga gjithë Shqipëria. Kjo ka sjellë një shtim të numrit të hoteleve, por edhe rritje të nivelit të shërbimit social në tërësi.

Po ashtu, gjatë dy vjetëve të fundit, niveli i papunësisë në Kukës ka pësuar mjaft ndryshime. Punimet e autostradës kanë thithur një numër të madh punëtorësh, të cilët janë banorë të zonave përreth. Nga të dhënat e Zyrës së punësimit, rezulton se në Kukës, në sektorin privat janë të punësuar mbi 3500 persona, të paktën kjo është një shifër që u referohet punëtorëve të siguruar, dhe kjo shifër përbën 20 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2009. Ndërkaq, është rritur ndjeshëm kërkesa për hapje biznesesh të reja. Deri tani kanë paraqitur kërkesën për leje ndërtimi të paktën 30 biznese, një pjesë e të cilave tashmë kanë nisur nga puna. Këto janë kryesisht restorante, motele dhe shërbime teknike për automjete, ku janë punësuar të paktën 100 persona. (Shqip)

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›