E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetohen naftëtarët

Në Kosovë nuk është rastësi nëse një litër naftë apo benzinë e gjen me çmime të ndryshme, varësisht prej pikave të shitjes. Në kryeqytet, një litër benzinë kushton për dy-tre centë me shtrenjtë se në pikat e shitjes në qytete të tjera të Kosovës, apo edhe e kundërta. Gjithashtu, lëvizjet e shpeshta të çmimit tanimë janë bërë të zakonshme. Sa herë që ka ngritje të çmimit të derivateve në bursat ndërkombëtarë, naftëtarët kosovarë menjëherë bëjnë “turr” dhe i rrisin çmimet. Ndërkaq, kur çmimet ulen, ata heshtin, dhe ia “grahin” me të vjetrën, derisa nuk i shesin rezervat.

Kjo laramani në çmime, por edhe mbajtja e tyre në nivel të lartë përkundër rënies se çmimit të derivateve në bursën ndërkombëtare herë pas here, është bërë bazë e mjaftueshme për hetim nga Komisioni Kosovar i Konkurrencës.

Ky institucion i pavarur, i cili me ligj heton rastet kur shkelet konkurrenca, ka filluar hetimet ndaj kompanive të naftës në Kosovë, për mundësinë e ekzistimit të një marrëveshjeje të fshehtë mes tyre, për kurdisje të çmimeve.

Kryetari i këtij Komisioni, Osman Ejupi, thotë se ka vend për hetime dhe se Komisioni që ai udhëheq, është në monitorim e sipër të këtij rasti.

“Jemi në monitorim të kësaj çështjeje, sepse konsiderojmë se shpeshherë ngritja e çmimeve në bursën ndërkombëtare nuk reflektohet drejtpërdrejt edhe në ngritjen, respektivisht zbritjen këtu në vend”, thotë Ejupi.

Në rastin e parë, pra kur atje ngrihen çmimet, kjo ndodh menjëherë edhe në Kosovë. Ndërsa, në rastin tjetër, kur në bursë ulen çmimet e derivateve, pikat e shitjes në Kosovë nuk i lirojnë çmimet derisa t’i shesin rezervat.

“Kjo na bën të kuptojmë që në këtë segment duhet të punojmë”, thotë Ejupi, duke shtuar se shumë shpejt Komisioni do të dalë me rezultate.

Tani për tani, çmimi i naftës me pakicë nëpër pika të shitjes sillet nga 1.02-1.07 centë, derisa benzina kushton 1.04 – 1.08 centë.

Nga ana tjetër, kryetari i Shoqatës së naftëtarëve të Kosovës, Nazmi Bytyqi, mohon ekzistimin e një marrëveshjeje të tillë mes kompanive të naftës.
Ai këtë e argumenton me ekzistimin e çmimeve të larmishme, varësisht prej pikave të shitjes dhe vendit apo qytetit ku gjinden ato.

“Se ka marrëveshje të fshehtë, kjo nuk qëndron. Çmimet janë të ndryshme nëpër pika të shitjes”, thotë Bytyqi.

Megjithatë, e pranon se mund të ketë aty këtu ndonjë marrëveshje mes dy-tri kompanive rreth çmimit, porse kjo, sipas tij, nuk është e kundërligjshme.

Bytyqi i mohon edhe pretendimet e tjera të Komisionit për Konkurrencë, se pikat e shitjes nuk i kanë ulur çmimet, pavarësisht uljes në bursën ndërkombëtare.

“Kur ka ndryshime në bursë, bien edhe këto në nivel të Kosovës”, thotë ai.

Shoqata e naftëtarëve edhe më herët ka insistuar që të arrihet në treg një çmim unik, mirëpo, sipas Bytyqit, kjo ka zgjatur vetëm dy javë, pasi kompanitë ia kanë “grahur” sërish me të veten.

Ndryshe nëse konstatohet se ka kurdisje në çmime, KKK-ja në bazë të Ligjit për konkurrencë, kërkon dhe e shpall atë marrëveshje si të pavlerë. Deri tani, ky komision ka arritur ta shfuqizojë një marrëveshje, përkatësisht atë për çmimin e bukës. Ndërkaq, është duke hetuar edhe mundësinë e ekzistimit të dy marrëveshjeve të tjera, asaj për polisat kufitare dhe për mbajtjen e kamatave të larta mes bankave.

Përveç kësaj, me ligj, Komisioni aplikon edhe ndëshkime me gjobë, prej 25 deri 100 mijë euro.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›