E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballkani në rrjetën e Brukselit, të Uashingtonit dhe Moskës



Albert Gjoka

Pak kohë më parë, gjatë një ligjërate që mbajti në Tiranë, ish-ministri gjerman i shtetit, Kristof Xëpel, lëshoi një mesazh të çuditshëm: Është më mirë që Europa ta pranojë në gjirin e saj rajonin e Ballkanit në një periudhë sa më të shkurtër, sesa ta lërë në këtë gjendje që ndodhet sot. Nëse nuk e integron në familjen e saj, atëherë Ballkani do të jetë një rrezik potencial për rendin dhe qetësinë e vetë BE-së. Ky është konkluzioni që del edhe nga një studim i përgatitur nga Instituti Gjerman për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare. Autori i këtij studimi, Dushan Reljiç, ka marrë në shqyrtim pozicionimin e Ballkanit Perëndimor në raportet me Brukselin, Uashingtonin dhe Moskën. “Suksesi i BE-së në rolin e tij vetëpërcaktues si një fuqi orientuese e zgjidhjes së konflikteve në Ballkanin Perëndimor varet në një shkallë të gjerë nga kuptimi i qartë i interesave dhe veprimeve të dy aktorëve të jashtëm të rëndësishëm: SHBA-të dhe Rusia”, - thuhet në studimin e përgatitur nga zoti Reljiç. Sipas tij, “Rusia ka qenë më shumë kundërshtare e Perëndimit, sesa aleate në kursin e ndjekur ndaj Ballkanit Perëndimor gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, qëkur nisi shpërbërja e Jugosllavisë. Ai thotë se kriza e Kosovës dhe lufta e NATO-s kundër Jugosllavisë shkaktuan çarjen e thellë në marrëdhënien e Rusisë me Perëndimin. Madje ai thotë se vizita që pritet të bëjë në fund të muajit tetor presidenti rus, Dimitri Medvedev, po jep sinjale të vazhdimit të interesave të Moskës në rajon. “Rusia është duke luftuar që të kufizojë ndikimin amerikan në Ballkanin Perëndimor dhe të rrisë mekanizmat e tij”, - thotë eksperti i çështjeve gjeopolitike. Sipas tij, dy mënyrat për të arritur qëllimet e Rusisë janë që të vazhdojë të mbështesë luftën e Serbisë për të mbrojtur pretendimet e saj legale për Kosovën dhe të ndërtojë gazsjellësin “South Stream”, i cili do të rrisë më tepër peshën e Rusisë për sigurimin e energjisë për Europën.
Ballkani në rrjetë
“Rusia nuk i është futur konkurrencës me BE-në në integrimin e Europës Juglindore. Në të vërtetë, Rusia u është bashkuar ambicieve të këtyre vendeve për të hyrë në BE brenda strategjisë së saj rajonale”, - thotë raporti. Sipas tij, “përparësitë e integrimit të BE-së janë të qarta për Moskën, për shkak të lidhjeve të ngushta kulturore dhe historike dhe afiniteti për Moskën në disa pjesë të popullsisë dhe elitave politike në rajon: Vendet e Ballkanit Perëndimor janë më të hapura për të rritur bashkëpunimin me Rusinë sesa me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore apo vendet baltike”. Reljiç konstaton se “shtetet e Ballkanit Perëndimor e shohin Rusinë një partnere ekonomike tejet atraktive, pjesërisht për shkak se ato varen tek ajo për energji. “Nëse këto vende më vonë do të bëhen anëtare të BE-së, - sipas përllogaritjeve të Rusisë, një gjë e tillë mund të sjellë përparësi politike dhe ekonomike për Moskën. Fakti se qeveria ruse është duke menduar përgjatë kësaj linje zhbllokuese të BE-së, në anën tjetër, Rusia duket si një forcë bllokuese dhe kundërshtare e palëkundur në Ballkanin Perëndimor. BE-ja mund të përfshijë Rusinë në projektet e përbashkëta politike, të cilat do të rrisin sigurinë në Ballkan dhe në Europë.
Në vend të fundit
“Ballkani Perëndimor po bëhet gjithnjë e më shumë një ‘stekë’ e çarjes amerikano-ruse, duke i dhënë më pak mundësi BE-së për të ndjekur parimet e politikës së saj të jashtme, siç janë nxjerrë në pah, për të mbështetur zgjidhjen konsensuale të konflikteve, forcimin e ligjeve ndërkombëtare dhe ndjekjen e bashkëpunimit efektiv shumëpalësh”, - thotë studimi. Autori i tij, Dushan Reljiç, thotë se linja e përgjithshme e politikës europiane ndaj Ballkanit Perëndimor duhet të jetë e tillë: “Nuk duhet të lejojë hapësira që shihen si shesh përplasjesh mes Rusisë dhe SHBA-ve. Kjo për shkak se është e rëndësishme për sigurinë europiane dhe përgatitjet për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE”. Ai përmend edhe udhëtimin së fundi të zëvendëspresidentit amerikan Xho Bajden në Europën Juglindore në maj të vitit 2009, ku përmend faktin se Uashingtoni është i shqetësuar për rritjen e destabilitetit në Ballkan. “Nuk ka dyshime se SHBA dhe Rusia kanë interesa legjitime në paqen dhe stabilitetin e Europës dhe do të vazhdojnë të përfshihen edhe në zhvillimet e pjesës juglindore të kontinentit”, - thotë eksperti i çështjeve rajonale. Por, ai i propozon një ide BE-së që ta përfshijë Rusinë, sa më shumë të jetë e mundur, në zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor, por pa sakrifikuar identitetin europian dhe solidaritetin transatlantik. Sipas Deljiç, një linjë e tillë veprimi nuk do të jetë e pëlqyeshme për lojtarët e fuqishëm të BE-së, por ajo mund të jetë një garanci e mirë për ndryshime pozitive në rajon”.
Tri zgjidhje për BE-në
Studimi gjeopolitik i mbështetur nga organizata gjermane thotë se Bashkimi Europian ka tri instrumente me të cilat menaxhon zhvillimet në Ballkanin Perëndimor:
Së pari, me përfaqësuesit e saj në Bosnjë dhe Kosovë, si dhe duke përfshirë të gjitha shtetet e rajonit në planin e përbashkët politik për zgjidhjen e konflikteve në Ballkan; së dyti, përmes dobishmërisë së IPA-s (Instrumenti i Para-Anëtarësimit), me cilin realizohet bashkëpunimi i BE-së me vendet e Ballkanit përmes ndihmës ndërkombëtare për zhvillim, që mund të përshpejtojë dhe lehtësoje transformimet ekonomike, politike, administrative dhe shoqërinë civile; së treti, përmes konsultimeve diplomatike me dy aktorët e tjerë të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor: SHBA-të dhe Rusinë. Për të fuqizuar marrëdhëniet BE-Rusi dhe për të stabilizuar rajonin, eksperti thotë se kjo mund të arrihet nëse do të realizohet projekti i gazsjellësit “South Stream”. Sipas tij, nëse marrëdhëniet SHBA-Rusi mbetet të paqëndrueshme, lidhjet ekonomike midis Rusisë dhe BE-së fortifikohen nga “South Stream” dhe projekte të tjera të ngjashme që mund të motivojnë të dyja palët, për të lënë mënjanë pakënaqësitë e reja dhe për të zgjidhur tërësisht konfliktet ekzistuese në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

“South Stream” dhe mesazhi i Medvedevit për Tiranën zyrtare

Tashmë është pranuar njëzëri se çelësi i Marrëveshjes mes Tiranës dhe Athinës për ndarjen e ujërave në Kanalin e Korfuzit ka të bëjë me gazsjellësin “South Stream”, i cili do të kalojë nëpër ngushticë, dhe konkretisht në territorin aktual të Shqipërisë. Ende nuk është pohuar zyrtarisht, por të gjitha hartat dhe planet e Gazpromit, me ortakët e tij, kanë skicuar linjën që do të furnizojë ¼ e Europës me gaz përmes territorit detar të Shqipërisë, i cili përfundon në takën e Italisë. Por, presionet dhe deklaratat e bëra, fillimisht nga shoqëria civile dhe më pas nga opozita në lidhje me këtë marrëveshje, po vënë në pikëpyetje disa gjëra. Reagimi i maxhorancës ka qenë, pa mëdyshje, për të respektuar paktin që kryeministri Berisha ka firmosur me ish-kreun e qeverisë së Athinës, Karamanlis. Pikërisht në këtë moment, presidenti rus, Dimitri Medvedev, dërgoi një mesazh të qartë për qeverinë shqiptare në momentin e pranimit të letrave kredenciale të ambasadorit tonë në Moskë. “Dialogu ruso-shqiptar është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e Ballkanit”, - tha shefi i Kremlinit. Më tej, ai u bëri thirrje autoriteteve shqiptare për lëvizje pragmatiste dhe në interes të dyanshëm. Gjithsesi, diplomacia dhe ushtria shqiptare po i qëndrojnë fort Marrëveshjes, duke e mbrojtur në aspektin teknik përputhjen e saj me konventat ndërkombëtare, pa shqyrtuar detaje të tjera që kanë të bëjnë me interesat ekonomike të vendit tonë, si dhe pa iu rikthyer konventave apo marrëveshjeve të mëparshëm për kufijtë që kanë ekzistuar para saj.

20 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›