E Diel, 1 Nëntor 2026

Japonia ofron 106 milionë euro që Tirana të mos përmbytet nga shirat



Ervin KOÇI

Tirana ka mundësinë që të shpëtojë nga përmbytjet e reshjeve të dimrit dhe nga shpërthimet e ujërave të zeza që herë pas here mbulojnë rrugët. Një projekt i posaçëm i cili financohet nga qeveria e Japonisë i është ofruar qeverisë shqiptare me qëllim rehabilitimin e sistemit të kanalizimeve për kryeqytetin. Për këtë qëllim Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi dhe zëvendëspresidenti i firmës “Tokio Engineering Consultants Co. LTD”, Masasumi Mijamato, firmosën dje në Tiranë kontratën e shërbimit të konsulencës për projektin "Përmirësimi i Sistemit të Kanalizimeve për Tiranën e Madhe". Vlera e kësaj kontrate është 9.9 milionë euro për realizimin e projekti dhe supervizimit për fazën e parë, si dhe studimi i fizibilitetit për fazën e dytë. Afati i kësaj kontrate është 12 muaj dhe i paraprin punimeve reale të ndërtimit me një vlerë prej 106 milionë euro, financim i siguruar nga qeveria japoneze nëpërmjet “JICA”-s. Ministri Olldashi, falenderoi qeverinë japoneze për mbështetjen që i ka dhënë këtij projekti, si dhe shprehu bindjen se me përfundimin e këtij projekti do të përmirësohet ndjeshëm sistemi i kanalizimeve në qytetin e Tiranës, që sot derdhen në Lumin e Lanës.
Projekti

Derdhja e ujërave të zeza në lumin e Lanës, bën që shpesh në qendër të kryeqytetit dhe në zonat përreth të përhapet një erë e rëndë fekalesh, sidomos në ditët kur ka reshje. Kjo gjë rëndohet më tepër kur kryeqyteti përfshihet nga reshje të dendura shiu sidomos në stinën e vjeshtës dhe të dimrit, të cilat në jo pak raste janë kthyer në problematike për banorët dhe aktivitetet e përditshme të kryeqytetit. Projekti “Përmirësimi i Sistemit të Kanalizimeve për Tiranën e Madhe” synon pikërisht eliminimin e këtyre anomalive që vijnë prej bllokimit ose mos kapacitetit të përballimit të kanalizimeve në të kryeqytetit. Nga ana tjetër projekti synon ndërjen përfundimtare të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe sistemin e dredhjes së tyre, me ato të ujërave të bardha dhe kulluese. Një problem i tillë është shumë i hershëm për kryeqytetin, ku në jo pak raste në lagjet e tij, shpërthimi i tubacioneve dhe kanaleve të ujërave të zeza ka sjellë ndotjen e tubacioneve të ujit të pijshëm.

Problemet

Në mjaftë raste banorët e kryeqytetit kanë qenë të detyruar të ngrijnë zërin për problemin e ndotjes së ujit të pijshëm dhe shpërthimit të ujërave të zeza në lagjet e tyre. Sipas tyre, situata është alarmante, pasi mbijetesa me ujërat e zeza mund të bëhet shkak për një sërë infeksionesh. Më të predispozuar të prekur nga këto infeksione janë fëmijët e vegjël, të cilët janë më të pakujdesshëm gjatë kohës që luajnë në oborr. Pusetat e lagjeve janë mbushur me lloj- lloj materialesh, të cilat bëjnë që ujërat të mos kalojnë nëpërmjet kanalizimeve. Një çështje tjetër është se mjaft ndërtime të reja janë ndërtuar sipër kolektorëve, çka bën që ndërhyrja të jetë më e komplikuar. Ardhja e sezonit të dimrit nxjerr në sipërfaqe problemet që kanë me ujërat e zeza dhe mosfunksionimin e pusetave apo kanalizimeve në disa zona të Tiranës. Shirat e tepërt bëhen shkak për përmbytje të disa zonave të kryeqytetit, sidomos në ato zona ku ka ndërtime të reja. Gjatë vitit të kaluar mjaft zona u përmbytën nga ujërat e shiut, ku u shfaqën edhe problemet me ujërat e zeza. Pjesë e këtyre problemeve kanë qenë zona e “Don Boskos”, “Komuna e Parisit”, “Profarma” etj. Një ndër problemet që ka vënë në dukje Bashkia e Tiranës për përballimin e kësaj situate është vjedhja e vazhdueshme e hekurave të pusetave, të cilat sapo zëvendësohen vidhen. Në këtë mënyrë, ndodh bllokimi i tyre dhe si pasojë shkaktohen shpërthime të ujërave të zeza apo bllokimi i rrugëve nga uji i shiut.

Prifti: Shtohet prodhimi vendas i energjisë me 8 për qind

Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti dhe zëvendësministri Leonard Beqiraj inspektuan pak ditë më parë dy prej veprave industriale në vend, Petrolifera Italo-Albanese dhe TEC-in e Vlorës. Ministri Prifti shprehu vlerësime ndaj këtyre investimeve, si vlera jo vetëm ekonomike, por edhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. “Të dyja këto vepra garantojnë jo vetëm zhvillimin ekonomik, por edhe social të vendit, duke krijuar një mjedis miqësor për llogari të biznesit, për banorët përreth, si dhe për shtetin shqiptar duke garantuar dhe lehtësuar detyrimet fiskale të klientëve duke ulur koston administrative për shtetin”, - tha ai. Ministri Prifti konsideroi terminalin si një nga më modernët në pellgun e Mesdheut, gjë që do të mundësojë tërheqjen e kompanive më të njohura në Evropë në fushën e tregtimit të karburanteve. Gjithashtu, pas 30 vitesh vihet në funksion TEC-i i Vlorës duke rritur kapacitetet prodhuese të energjisë me 8 për qind të prodhimit total vendas. Një investim mbi 130 milionë euro i financuar nga Banka Botërore dhe BERZH-i që do të ndikojë direkt në përmirësimin dhe zhvillimin e turizmit në vend. Prifti ofroi për pjesëmarrësit mbështetje në lidhje me problemet apo pengesat që mund të hasin gjatë menaxhimit të këtyre projekteve.

Çmimi i naftës rritet sërish në bursat ndërkombëtare

Çmimi i naftës ka arritur aktualisht në mbi 79 dollarë për fuçi, duke shënuar rekordin i ri për këtë vit. Ky është një nga treguesit e parë të rimëkëmbjes ekonomike që po pëson bota, e cila reflektohet edhe në balancimin e çmimit të naftës, i cili gjatë krizës ra në nivele shumë të ulëta. Shkaqet e saj kanë qenë jo vetëm zhvlerësimi i monedhës amerikane, por edhe kriza financiare botërore, e cila shkaktoi rënie të dukshme të kërkesës për karburant, e cila u reflektua edhe me degradim të tregut të çmimeve.
Javën e kaluar çmimi e tejkaloi barrierën pesë muajshe, prej 65 deri 75 dollarë për një fuçi, si pasojë e rënies së vlerës së dollarit dhe mundësitë e rritjes së ekonomisë globale. Ndërkohë në pikat e tregtimit të karburantit në Tiranë, 1 litër naftë u shit dje mesatarisht deri në 120 lekë, ndërsa 1 litër benzinë deri në 126 lekë.

20 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›