E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani: “Të dënuarit po bashkëjetojnë me lagështirën”



Inspektimi i radhës nga komisionerët e Avokatit të Popullit e ka gjetur sërish Burgun e Burrelit me shumë probleme. Të gjitha problematikat e konstatuara, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i ka renditur në një shkresë zyrtare ku kërkon zgjidhje nga autoritetet që mbajnë përgjegjësi. Sipas rekomandimit të Dobjanit, inspektimi u zhvillua më datë 24.09.2009 dhe kishte si qëllim vëzhgimin në vend të kushteve dhe ambienteve të të paraburgosurve dhe të dënuarve, si dhe trajtimin e tyre nga administrata e atij institucioni gjatë kryerjes së veprimtarisë së saj. Në këtë burg janë 176 persona, nga të cilat 29 të paraburgosur dhe të dënuar, përkatësisht në burgun e sigurisë së lartë 81 persona dhe burgun e sigurisë së zakonshme 76 persona. Sipas Dobjanit, në ambientet e ajrosjes së të dënuarve dhe të paraburgosurve mungonte tenda mbrojtëse për krijimin e kushteve të përshtatshme për të qenë sa më e shfrytëzueshme, si në kohën e stinës së nxehtë të verës, ashtu dhe kohës me shi. Grupi inspektues ka konstatuar se në dhomat ku mbaheshin të paraburgosurit nuk kishte ajrim të nevojshëm, kurse në disa sektorë që mbaheshin të dënuarit, si në sektorin “B” etj., dhomat ishin me shumë lagështi. Madje kushtet vështirësoheshin edhe më tej kur në disa nga dhomat e paraburgimit, të paraburgosurit i mbanin ushqimet mbi krevate dhe mjedisi ku ata qëndronin nuk mbahej pastër. “Të dënuarit ngritën pretendimin se çmimi i ushqimeve dhe kartave telefonike që ata blinin në dyqanin e burgut ishte më i lartë se ai i produkteve që shiteshin në treg jashtë burgut. Nga grupi i ekspertëve u inspektua dhe dyqani i burgut, i cili jo vetëm që ishte shumë i vogël për artikujt që mbante, por u vu re se nuk kishte të shpallura çmime të mallrave që tregtonte. Mallrat, sidomos zarzavatet dhe frutat, nuk ishin cilësore. Sipas shitësit, domatja shitej 80 lekë/kg, por të dënuarit sqaruan se e blinin atë me 100 lekë/kg. Po kështu dhe karta telefonike shitej 400 lekë, ndërsa karta me çmimin 650 lekë u shitej të dënuarve me çmimin 700 lekë”, - thuhej në rekomandimin e Dobjanit. Nëpërmjet kësaj shkrese, Avokati i Popullit kërkon për të disatën herë marrjen e masave për të dënuarit që vuajnë dënimin në Burgun e Burrelit.

20 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›