E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sistemi i ri i adresave, në janar nis hedhja në sistem e të dhënave



Në janar të vitit 2010 do të nisë zyrtarisht hedhja e të dhënave të para të sistemit kombëtar të adresave. Ministria e Brendshme ka shpallur ndërkohë tenderin për përzgjedhjen e programit më të volitshëm për këtë sistem të ri dhe të konfirmuar adresash duke vënë kusht se programi duhet të jetë funksional brenda datës 25 dhjetor të këtij viti. “Objekti i prokurimit (n.q.s. ka lote i ndarë sipas loteve) ‘për krijimin e programit
për Regjistrin Kombëtar të Adresave’. Fondi limit (n.q.s. ka lote, ndarë sipas loteve): 9 999 720 (nëntë milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e shtatëqind e njëzetë) lekë, (pa TVSH). Afati për mbarimin e punimeve/për dorëzimin e mallit/kryerjen e Shërbimit: deri në 25 dhjetor 2009. Data e zhvillimit të tenderit: data 03.11.2009, ora: 10:00”, - përcakton shpallja publike e kësaj ministrie.
Adresat
Sistemi i adresave do të pësojë disa ndryshime, të cilat bëhen në kuadër të projektit të modernizimit të shërbimit të gjendjeve civile. Ndryshimet zyrtare të detajuara janë bërë nga Ministria e Brendshme dhe kanë plotësuar gjithë kuadrin e nevojshëm ligjor të ratifikuar nga Parlamenti këtë vit. Në ligjin për sistemin kombëtar të adresave thuhet se ndryshimet dhe shtesat e votuara këtë vit u kërkuan nga nevoja për plotësimin e mangësive të vëna re në ligjin paraardhës dhe vizionin e ri që ka të bëjë me informatizimin e sistemit të gjendjes civile në tërësi. Adresa do të përbëhet nga gjashtë elemente, të cilat janë emri i qarkut, në përbërje të të cilit ndodhet bashkia apo komuna, ku ndodhet ndërtesa, emri i bashkisë ose komunës ku ndodhet qyteti ose fshati, emri i qytetit ose fshatit ku ndodhet ndërtesa, emri i rrugës, bulevardit, rrugicës, sheshit ose parkut ku ka dalje ndërtesa, numrin e ndërtesës, numri i hyrjes, kur ka më shumë se një hyrje, si dhe numri i apartamentit, këta janë numra natyrorë të ndarë ndërmjet tyre me shenjën e pikës, si dhe kodi postar.
Garantimi
Informatizimi i sistemit të gjendjes civile dhe nevoja për saktësimin e adresave ka bërë që ligji i ri të sanksionojë mënyrën e krijimit të administrimit të një sistemi adresash, për identifikimin e çdo ndërtese dhe trualli të lirë, duke evidentuar lidhjen e individit me territorin. Gjithashtu, një risi parashikimi i përkufizimeve për adresën, pjesët e territorit publik, regjistri vendor dhe kombëtar, me qëllim njohjen e përmbajtjes së tyre për zbatimin me lehtësi në praktikë. Ligji i ri parashikon gjashtë elemente të domosdoshme të adresës, përfshirë për herë të parë edhe kodin postar, si element përbërës të saj, në përputhje të plotë me praktikat e vendeve të tjera të BE-së. Në përcaktimin e elementeve përbërës të adresës është mbajtur parasysh radhitja, numri dhe mënyra e shkrimit të tyre për krijimin e një adrese të thjeshtë në përdorim nga të gjithë. Tashmë është shtuar si detyrë për seksionet dhe zyrat e urbanistikes në bashki ose komuna numërtimi i hyrjes dhe i apartamenteve nën juridiksionin e të cilave ato ndodhen. Për herë të parë sanksionohet krijimi dhe mirëmbajtjen e regjistrit vendor dhe kombëtar të adresave. Gjithashtu tabelat për emërtimin dhe numërtimin të jenë standarde për të gjitha njësitë e qeverisjes vendore. Të gjitha këto cilësi garantuese dhe që japin një saktësi të lartë mbi sistemin kombëtar të adresave nuk mund të përditësohen dhe të kontrollohen veçse në mënyrë të kompjuterizuar.

Mbyllen hetimet

14-vjeçari do të përgjigjet në Gjykatë për vrasjen e të vëllait

Prokuroria e Tiranës mbyll hetimet për vrasjen e ndodhur disa muaj më parë, duke e dërguar për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Tashmë 14-vjeçari, Granit Marku do të përgjigjet para Gjykatës
se përse vrau të vëllanë për 500 lekë. Ngjarja ka ndodhur në mars të këtij viti dhe prokurorit të çështjes nuk i janë dashur shumë kohë për të kopsitur dosjen në fjalë. Sipas prokurorisë, grindja në familjen Marku ka ardhur pasi Graniti i ka kërkuar të atit 500 lekë të rinj që i duheshin për pare xhepi. I ati mësohet se nuk ia ka dhënë lekët dhe Graniti ka nisur të shajë në shtëpi dhe të kërcënojë për lekët. Vëllai i madh, Alfredi, mësohet se ka ndërhyrë për të ftohur grindjen, por ndërhyrja e tij e ka nevrikosur akoma më shumë Granitin. Janë zënë të dy dhe për një shpullë që i ka dhënë vëllai i madh, 14-vjeçari ka nxjerrë një biçak që e mbante me vete dhe e ka qëlluar. Familjarët e kanë marrë në gjendje të rëndë Alfredin dhe e kanë dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak. Ndërkohë, mjekët nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për të mbajtur në jetë 23-vjeçarin, i cili ka ndërruar jetë si pasojë e dëmtimeve të rënda të marra nga goditjet me thikë, komplikacionet e shkaktuara prej tyre dhe hemorragjia.

20 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›