Bankat: Bizneset klientë jokorrektë, vonojnë shlyerjet e kësteve të kredive
Ervin KOÇI
Bizneset janë kthyer në klientët më problematik për bankat private në vendin tonë, për sa i përket shlyerjes së kësteve të kredive. Edhe pse janë më të pakët në numër se sa klientët individë ose ata familjarë, përsëri shumat e marra nga kompanitë e bizneseve në bankat e nivelit të dytë janë shumë të konsiderueshme. Për pasojë moslikujdimi në kohë i kësteve të kredive që janë marrë në banka, u ka vështirësuar këtyre të fundit së tepërmi punën duke rritur ndërkohë edhe nivelin e portofolit të kredive me probleme. Treguesi i kredive me probleme nga bizneset ka arritur në rreth 10.1 për qind të totalit të portofolit të kredive. Ky tregues ndërkaq sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë për individët përllogaritet rreth 7.3 për qind. Kreditë e këqija janë në pjesën dërrmuese të tyre të bartura nga bizneset, të cilat kalojnë nivelin e mbi 60 për qind dhe kjo pikësëpari e lidhur edhe me problemet e ekonomisë, e cila për shkak të efekteve të krizës botërore, është ngadalësuar. Familjarët zënë rreth 30 për qind të kredive të këqija dhe institucionet shtetërore rreth 4 për qind të tyre. Duhet thënë se kreditë e këqija nuk janë krijuar gjatë kohës së krizës që të gjitha, por ato gjatë kësaj kohe janë rritur në mënyre të ndjeshme me rreth 7 pikë përqindjeje.
Problematika
Kreditë me probleme përfshijnë të gjitha kreditë me vonesa që tejkalojnë një muaj nga afati i shlyerjes. Statistikat e publikuara nga BSH-ja tregojnë se si rezultat i rritjes së shpejtë të kredive me probleme me 16.8 për qind apo 5.3 miliardë lekë, në kushtet kur portofoli i kredive shfaq rritje modeste prej 1.05 për qind, treguesi i kredive me probleme ndaj totalit të portofolit arriti 8.73 për qind, nga 7.55 për qind në fund të muajit mars të këtij viti. “Cilësia e portofolit të kredisë sipas monedhave, ndryshe nga zhvillimet e tremujorit të parë të vitit, dallon përkeqësimin më të shpejtë të portofolit në monedhë të huaj, duke tejkaluar nivelin për lekun dhe duke e çuar treguesin në 8.84 për qind nga 8.5 për qind për kredinë në lekë”, - thekson raporti i BSH-së për 6-mujorin e parë të këtij viti. Analiza e cilësisë së kredisë sipas degëve të ekonomisë dallon sektorët e industrisë përpunuese dhe të tregtisë, riparimit të automjeteve dhe artikujve shtëpiakë, veçanërisht për shkak cilësisë së dobët të portofolit të kredisë dhënë këtyre sektorëve dhe peshës së konsiderueshme të tyre në ekonomi. Kështu, në muajin korrik, kreditë me probleme zunë 9 për qind të portofolit, ndërsa ne qershor ishin 8.7 për qind. Ndërkaq, kreditë e humbura kapën shifrën 11.1 miliardë lekë, ose rreth 85 milionë euro në muajin gusht, shumë kjo rreth 487 milionë lekë më shumë se sa ajo e muajit korrik. Treguesi i kredive me probleme në muajin gusht të vitit të kaluar, sipas të dhënave të BSH-së, ishte vetëm 4.1 për qind e totalit të portofolit të kredive. Gjithashtu, vihet re një rritje e kredisë “overdraft” për bizneset, që do të thotë se kërkesa për likuiditete vijon të ketë qëndrueshmëri. Gjatë tremujorit të dytë të vitit në vijim të trendit të atij paraardhës, kredia për bizneset është rritur më shpejt, konkretisht me 1.3 për qind ose 3.3 miliardë lekë, kundrejt rritjes me vetëm 0.5 për qind ose 750.6 milionë lekë të kredisë për individët.
Bankierët
Sipas Shoqatës së Bankave, pavarësisht se këto hua nuk mund të quhen të humbura, pasi ato janë të mbuluara me provigjone, rritja me ritme të shpejta e kredive toksike rrit riskun e sistemit bankar. Referuar raportit statistikor të BSH-së, në fund të vitit 2007 treguesi i kredive të këqija ishte 3.31 për qind e portofolit, ose në vlerë absolute, 97.2 miliardë lekë të vjetra, ose rreth 97 milionë dollarë (me kursin aktual të këmbimit). Për sa i përket treguesit në përqindje, vihet re se kemi pothuaj një trefishim të kredisë së keqe në harkun kohor të një viti (qershor 2007-qershor 2009). Ndërsa në vlerë absolute, kredia e keqe është rritur më shumë. Rritja e kredisë së keqe në vlerë absolute në harkun kohor të një viti në sistemin bankar shqiptar është 300 për qind. Përkeqësimi i portofolit të kredisë në sistemin bankar shqiptar është një fenomen i pritshëm, i influencuar edhe nga situata financiare globale që ka dhënë efektet e saj të dukshme në sistemin bankar dhe në ekonominë shqiptare. Nga ana tjetër, bankat e nivelit të dytë kanë ulur ndjeshëm kreditë e dhëna gjatë pjesës së parë të këtij viti.
Kreditë e këqija, 300 milionë dollarë më shumë se vjet
Në fund të verës së këtij viti (gusht 2009), pesha e kredive të këqija që gjenden në bankat në Shqipëri arriti në 16,7% nga 10,2% që ishte vjet në fund të gushtit. Bankat e nivelit të dytë në Shqipëri kanë mundur të rimarrin më shumë se 1/3 e depozitave që atyre iu larguan në fund të vitit që kaloi, çka do të thotë se sistemi bankar në vend ka qenë shumë pranë problemeve të pazgjidhshme në fillim të këtij viti. Realisht kreditë që janë humbur përfundimisht dhe që bankat nuk kanë më asnjë shans, sipas vetë atyre, t’i marrin më, janë rreth 9,5% e totalit të kredive. Kjo do të thotë se qindra miliona euro janë humbur prej bankave. Sasia e kredive në Shqipëri kap një vlerë prej më shumë se pesë miliardë dollarësh dhe kuptohet lehtë se sa e madhe është sasia e kredive të këqija që nuk mund të kthehen. Megjithatë bankat në Shqipëri kanë fitime të konsiderueshme dhe kreditë e këqija janë të rikuperueshme lehtë. Bankat e nivelit të dytë i ndajnë në katër kategori llojet e kredive të këqija dhe kreditë që mund të kthehen ose që kanë shanse të kthehen qoftë edhe pjesërisht, janë rreth 7%. Kreditë, të cilat kanë vështirësi për t’u kthyer, por për të cilat bankat nuk e kanë humbur shpresën, kapin një vlerë prej rreth 31 miliardë lekësh ose më shumë se 300 milionë dollarë amerikanë, ndërkohë që kreditë që nuk kanë asnjë shans të kthehen, arrijnë deri në 400 milionë dollarë.
Treguesit Tremujori I ‘09 Tremujori II ‘09
Hua standarde 86.09 85.49
Hua në ndjekje 6.44 5.78
Hua nënstandarde 3.94 4.19
Hua të dyshimta 1.83 2.41
Hua të humbura 1.70 2.13
Mbulimi me provigjone 4.58 5.32
Konfindustria: Kompanitë piramidale, rrezik për ekonominë
Konfindustria shpreh shqetësimin për praninë në rritje të të ashtuquajturave "zinxhir të kompanive piramidale të fshehura" në ekonominë shqiptare, që për nga përmasat përbëjnë një "bombë me sahat" për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. Konfindustria mbështet krijimin e regjistrit të detyrimeve të ndërsjella të kompanive si një nga veprimet e duhura për të luftuar fenomenin shqetësues të "piramidave të fshehura" në ekonominë shqiptare, si dhe vënien në dijeni të të dhënave të regjistrit të mësipërm pa përjashtim për bankat, bizneset dhe qytetarët. "Duke mbështetur krijimin e regjistrit të detyrimeve të ndërsjella të kompanive, në të njëjtën kohë Konfindustria kundërshton ndërhyrjen e shtetit nëpërmjet mosrimburësimit të TVSH (Tatimit të Taksës së Shtuar) për kompanitë debitore në transaksionet ku shteti nuk është pjesëtar/palë", tha Gjergj Buxhuku, administratori i përgjithshëm i Konfindustrias.
Fasonët ndryshojnë drejtuesit, bordi i ri kërkon paketë fiskale
Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve ka zgjedhur bordin e ri drejtues me kryetar Flamur Hoxha, që zëvendëson Edmond Rusmalin. Mbledhja e Përgjithshme e Anëtarëve ka trajtuar disa nga problemet më të rëndësishme që shqetësojnë biznesin eksportues të veshjeve dhe këpucëve dhe ka dalë me përfundimin se ky organizëm do t‘i drejtohet qeverisë shqiptare me një paketë ligjore për të zgjidhur disa nga problemet më të rëndësishme që pengojnë ecurinë e kësaj sipërmarrjeje. "Përjashtimi nga TVSH-ja për biznesin eksportues të veshje/konfeksioneve dhe këpucëve dhe përjashtim nga tatim-fitimi për një periudhë të pacaktuar, kushtëzuar kjo nga faktorët e krizës që kanë përfshirë këtë sektor", janë dy nga kërkesat e fasonëve. Kërkesat e tjera lidhen me çmimin e ri të dritave të propozuara nga industria e tekstileve në vend.
20 Tetor 2009