E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria në optikën e investimeve dhe të investitorëve gjermanë

Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Borkard, flet për investimet dhe sektorët përparësorë ku do të përqendrohet interesi i sipërmarrësve të vendit të tij

Gjermania është një nga donatorët më të mëdhenj për Shqipërinë. Investimet publike gjermane kapin shifrën e afro 800 milionë eurove të dhëna në vit, ndërsa investimet private mbeten akoma në nivele të ulëta. "Bizneset private kërkojnë garanci ligjore dhe, mbi të gjitha, ato janë të interesuara për blerje trojesh", - shprehet ambasadori gjerman në Shqipëri, Bernd Borkard. Por, sipas ambasadorit gjerman në Shqipëri, problemi i pronësisë ka shërbyer si një pengesë për të thithur investitorë të huaj, e konkretisht sipërmarrësit gjermanë. I shoqëruar nga një grup gazetarësh nga mediat kryesore të vendit, ambasadori gjerman ka ndjekur nga afër realizimin e disa projekteve në Kavajë, Kuçovë, Berat, Fier, të përqendruara kryesisht në problemet e ujit dhe shërbimet sociale. Në një intervistë dhënë për gazetën “Albania”, ambasadori gjerman, Bernd Borkard, ka vlerësuar realizimin e projekteve të shtetit të tij, i bindur se ato kanë qenë efikase dhe se paratë kanë shkuar në destinacionin e duhur. Ai konfirmon se qeveria gjermane do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë me financime për projekte të ndryshme, ndërsa shton se interesi i investitorëve gjermanë është shtuar ndjeshëm për të ardhur në Shqipëri. Sektorët që i sheh me shumë interes dhe për të cilat do t’i ftonte investitorët gjermanë të vinin në vendin tonë, janë ato të energjisë dhe turizmit. Duke pasur pranë një ambasador të një vendi të fuqishëm perëndimor, nuk mund të rrinim pa e pyetur për situatën politike dhe bojkotin e opozitës, por ai, si gjerman i vërtetë, i qëndron rreptësisht qëllimit për të cilin ka ardhur dhe nuk pranon të flasë për politikën.
Ndërkaq, arkeologjia është një nga fushat që ka tërhequr vëmendjen gjermane në vendin tonë. Një grup arkeologësh gjermanë janë duke kryer gërmime në qytetin antik të Apolonisë. Këto investime do të zgjerohen më tej në të ardhmen, pasi krijimi i dhomës së bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, në tetor të vitit 2008, ka si qëllim shtimin e prezencës gjermane në Shqipëri.

Z. ambasador, a mendoni se janë përdorur me efikasitet financimet e qeverisë gjermane deri tani dhe a kanë shkuar në destinacionin e duhur?

Ato janë shumë efikase. Jam shumë i bindur për këtë që po them. Mendoj se projektet janë realizuar siç duhet. Siç e patë dhe ju gazetarët në projektin e furnizimit dhe të pastrimit të ujërave të zeza në Kavajë, ai ishte një projekt i përfunduar dhe shumë efikas. Për më tepër, ky projekt merr vlerë kur është krejt afër plazhit, çka do të thotë që nuk kemi ndotje në det. Ne kemi grumbulluar vitet e fundit eksperiencë të pasur dhe e vlerësojmë shumë të mirë këtë eksperiencë. Një sektor i ndihmës është mbështetja e firmave shqiptare. Po kështu është ndihmuar për rehabilitimin e shkollave apo kopshteve në zona të ndryshme. Një projekt që ne e pamë nga afër ishte rehabilitimi i kopshtit “Natyra” në Kuçovë.

Çfarë u sugjeroni sipërmarrësve gjermanë kur vijnë të investojnë në Shqipëri?

Investitorët që interesohen për Shqipërinë janë të ndryshëm dhe u përkasin sektorëve të ndryshëm. Nëse do të flasim për sektorin e energjisë, unë do t’i ftoja të vinin sepse ata kanë shumë për të bërë në këtë fushë. Mund të bëhet shumë për energjinë dhe sidomos për energjinë e rinovueshme. Besoj se do të ishte tërheqëse nëse do të merreshin edhe me sektorin logjistik. Me hapjen e autostradës që lidhet me Kosovën (rruga Durrës-Kukës-Morinë) besoj se bregdeti shqiptar po bëhet shumë më tërheqës. Në mëngjes, në hotelin kur ne ishim në Berat, takuam disa turistë gjermanë. Ata më thanë se vitin tjetër do të vijnë dhe dy-tri herë të tjera. Ata bëjnë udhëtime në vendet me histori, pasi janë të dhënë mbas monumenteve. Pikërisht vizita për këtë synim i intereson një numri të shumtë vizitorësh në Gjermani.

Në cilat qytete janë përqendruar kryesisht projektet e financuara me fonde gjermane? A do të zgjerohen ato në të ardhmen?

Financimet e bëra nga “KfW” janë disa; mund të përmendim projektin e impiantit të pastrimit të ujit të pijshëm në Kavajë, si dhe impiantin e pastrimit të ujërave të zeza po në këtë qytet, që kapin një vlerë investimi 3.6 milionë euro. Projekti i impiantit të ujërave të zeza në Kuçovë është një projekt që do të fillojë së shpejti prej 7 milionë eurosh dhe bashkë me projektet e furnizimit me ujë në Berat kapin vlerën e 11.25 milionë eurove. Një projekt tjetër është ai i sistemit të pastrimit të kanalizimeve të ujërave të zeza në qytetin e Korçës që do rikonstruktohet tërësisht, përmes një fondi prej 15 milionë eurosh, e cila është dhënë në formë të huaje nga banka gjermane “KfW”. Po kështu, “KfW”, me financimet e saj, po realizon dy projekte të rëndësishme të energjisë në vend. Me një shumë prej 90 milionë eurosh janë nënshkruar dy marrëveshje të financimit për shërbime ekspertize për linjën e transmetimit 400 kilovolt Tiranë-Prishtinë, Kosovë dhe unaza 110 kilovolt për Jugun e Shqipërisë, midis qeverisë shqiptare dhe bankës shtetërore gjermane “KfW”. Këto projekte për ndërtimin e linjave Tiranë-Prishtinë prej 400 kilovoltësh dhe unaza 110 kilovolt për Jugun e Shqipërisë, janë projekte me rëndësi strategjike për zhvillimin e Shqipërisë. Janë realizuar disa projekte të furnizimit me ujë dhe impiantet e kanaleve të ujërave të zeza si në Korçë, në Krujë, Kukës, Pogradec, Kavajë, Lushnjë. Ndërsa pritet të realizojmë projekte të tjera, siç është ai për mbrojtjen e mjedisit në liqenin e Ohrit dhe në detin Adriatik, në Shkodër, Kuçovë, Berat. Krahas këtyre kemi dhe disa projekte bashkëpunimi me partnerët tanë, por që janë projekte të shërbimeve sociale, ndaj kam qenë i lumtur që ne përuruam një kopsht fëmijësh dhe që kemi dhënë kontributin tonë në këtë pikë. Ka qenë një fushë ku ne prej vitesh kemi investuar në Kuçovë në rinovimin e kopshteve dhe çerdheve dhe deri tani ka rezultuar se kemi pasur rezultat. Ne po e zgjerojmë gradualisht hartën e ndihmës gjermane, kemi projekte për në Lushnjë, Fier, Gjirokastër, në Sarandë, në hidrocentralin e Bistricës, gjithashtu në përmirësimin e rrjetit elektrik në Jug të Shqipërisë.

Bisedoi: Ervin Koçi

20 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›