Ballkanizimi i Obamës
Evropianët, sipas studiueses holandeze Ruth Oldenziel, vazhdimisht e kanë parë Amerikën si një lloj pasqyre për të kuptuar veten. Edhe shqiptarët shpesh kanë parë drejt Amerikës për të kuptuar ku janë e ku duan të shkojnë. Nga këndvështrimi shqiptar në Ballkanin e trazuar, madje, Amerika është më tepër se një superfuqi. Nëse Evropa Perëndimore është shpresa konkrete, Amerika është ëndrra abstrakte. Ajo është gati një koncept më vete–koncept i lidhur me aspirata historike shqiptare të cenuara, vizione titanësh gjatë Luftës së Ftohtë, dhe me dëshirën për t’iu larguar korruptimit të tranzicionit. Pra kemi një Amerikë made in Albania. Kjo Amerika jonë jo se nuk ka lidhje me Amerikën përtej oqeanit, ku jetojnë e punojnë mijëra shqiptarë, por se mund të funksionojë paralelisht me të.
Edhe politikanët shqiptarë e kanë kuptuar prej kohësh fuqinë e kësaj Amerike për konsum të brendshëm. Prandaj jemi bombarduar vazhdimisht gjatë viteve me deklarata nga Rruga e Elbasanit, me darka, me dreka, me kronika të sikletshme takimesh nëpër lajme, me ftesa të ardhura nga konventa e Obamës, apo me bëma nëpër seancat dëgjimore në Kongresin Amerikan dhe gjatë Mëngjesit të Lutjeve. Në tregun politik shqiptar, perceptimi i mbështetjes amerikane është një valutë e pazëvendësueshme. Një dorë shtrëngim amerikan nuk është protokoll, por profeci.
Ky nuk është ndonjë fenomen ekskluzivisht shqiptar, edhe pse në Shqipëri ka ushqyer një nevojë të thellë për mbështetjen e një shteti-prind të rreptë. Tek e fundit, Amerika e merr seriozisht rolin e saj si udhërrëfyese nëpër botë. Mbetet një fuqi e painjorueshme. Madje edhe tek kritikët më të ashpër, që nga bolshevikët e maoistët e deri tek një udhëheqës i moshuar që shihte filma Western në një vilë tek Blloku, tundimi drejt Amerikës ka qenë i parezistueshëm.
Por ndodh që në periferinë shqiptare Amerika e fantazuar të ngatërrohet me atë konkreten. Përmasat më qesharake të kësaj ngatërrese dalin në pah tek shpjegimet e hollësishme nëpër kafene të planeve sekrete amerikane për Shqipërinë. Por ky ngatërrim duket edhe në trajtimin që i është bërë kohët e fundit garës presidenciale në SHBA.
Ajo që mund të quhet ballkanizim i Obamës nuk ka fare lidhje me Obamën. Madje nuk ka lidhje as me zgjedhjet presidenciale në SHBA apo alternativat demokrate e republikane. Ballkanizimi i Obamës është një tendencë e të shpjeguarit të proceseve Amerikane jo sipas kontekstit ku zhvillohen, por vetëm sipas kontekstit e dinamikave ballkanike. Kështu, për shembull, pothuaj të gjitha analizat shqiptare mbi kandidatët presidencialë fillojnë e mbarojnë tek pyetja se cili është pro-shqiptar e cili ka lidhje me lobin serb. Ky mund të ishte reflektim i një interesi legjitim kombëtar nëse vërtetë do të kishte për bazë sondazhe serioze, studime të programeve e qëndrimeve të së dy kandidatëve, apo ndonjë debat organizuar nga institutet kërkimore që vegjetojnë në Tiranë. Në fakt, deklaratat vazhdojnë të bazohen tek kafja, thash-themi, dhe informacioni pa burim në internet.
Situata që na prezantohet për atë çka mendojnë shqiptarët - a thua mendojnë të gjithë njësoj, si një trup i vetëm i telekomanduar - për liderët amerikanë është një rrëmujë e vërtetë. Duam Bill-in. Pro-Bush. Me Hillary-n. Pro-Irak. Disa sqarojnë me një kompetencë të habitshme kush është pro-shqiptar e kush nuk e kalon klasën e shqiptarizmit në Uashington. Obama dyshohet. Biden është pro. Palin pikëpyetje.
Nga kjo rrëmujë del e qartë vetëm një gjë: shqiptarët janë përgjithësisht pro-amerikanë dhe nuk shqetësohen shumë për ndryshimet mes republikanëve dhe demokratëve. Tek e fundit, nuk ka aq orë dita sa të merresh edhe me mbrapshtësitë shqiptare edhe me politikën e brendshme amerikane. Mbetet përgjegjësia e atyre që flasin në publik të përpiqen ta hapin, jo ta mbyllin, horizontin e analizës përtej Ballkanit. Grupet e interesit janë të rëndësishme në Uashington, por analiza e garës presidenciale nuk mund të fillojë e mbarojë tek shqiptarizmat e kandidatëve, a thua se shqiptarizmat në Uashington i ka mbetur mangët hapësirës shtet-ndërtuese shqiptare.
Ballkanizimi i Obamës nënkupton tre gjëra për imagjinatën politike ne sferën shqiptare. Së pari, se ne vazhdojmë të mos kemi besim në kapacitetet tona shtet-ndërtuese e diplomatike duke pritur që t’i shohim të mirat apo të këqijat nga Uashingtoni.
Së dyti, se imagjinata politike është ende e mbyllur në kafazin e vet provincial ku përkatësitë etnike duhet të prodhojnë detyrimisht qëndrime të caktuara politike. Shqiptarët vazhdojnë të përfytyrohen si një masë e njëtrajtshme. Së fundmi, se politika vazhdon të kuptohet kryesisht si luftë prapaskenash, dhe se nuk jemi në gjendje të ndërtojmë një diskutim ideologjik mbi baza programesh e vizionesh.