E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen boti i gazit, vdes 9-vjeçarja

Berat/ autoboti ishte duke kryer veprime në pikën e gazit kur hapja e saraçineskës ka shkaktuar shpërthimin

Vajza Artenisa Cani, sapo kishte mbaruar shkollën dhe ndodhej rastësisht tek puna e të atit

BERAT- Shpërthimi i një autoboti me gaz ka shkaktuar një tragjedi në Berat. Një vajzë nëntë vjeç ka gjetur vdekjen nga flakët ndërsa dy prindërit e saj dhe drejtuesi i autobotit me gaz kanë marrë djegie të rënda. Vajza e vogël, Artenisa Cani, sapo kishte mbaruar shkollën dhe ndodhej rastësisht tek puna e të atit. Ngjarja ka ndodhur në orën 11.30 në fshatin Lapardha. Situata mund të ishte përkeqësuar nëse nuk do të ndërhynte policia pasi pika e gazit ndodhej në mes të një zone të banuar nga rreth 200 shtëpi.

Shpërthimi

Dëshmitarë okularë nga vendi i ngjarjes pohuan se në momentin e shpërthimit një autobot me gaz ishte duke u shkarkuar në pikën e përpunimit. Të dhënat e para tregojnë se shkaku i shpërthimit është zjarri i rënë gjatë mbushjes të impiantit stativ të pikës me pakicë të tregtimit të gazit në fshat. Burime të policisë dhe dëshmitarët në vendin e ngjarjes pohojnë se ka qenë një shpërthim i menjëhershëm, i shoqëruar edhe nga një flakë e madhe e mbuluar nga një re tymi. Kjo ka shkaktuar panik tek të gjithë banorët e fshatit Lapardha, të cilët janë larguar nga shtëpitë e tyre sa më larg vendit ku është dëgjuar shpërthimi. Si pasojë e këtij shpërthimi janë djegur nga flakët e zjarrit pronari Beqar Cani, 40 vjeç, Suzana Cani, 35 vjeçe, drejtuesi i autobotit Dashamir Ago, 52 vjeç. Ndërsa ka ngelur e shkrumbuar në vend në godinën ngjitur me impiantin e gazit, fëmija nëntëvjeçare Artenisa Cani, nxënëse e klasës së tretë. Ajo ndodhej rastësisht te puna e të atit. Menjëherë tre të djegurit janë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Beratit ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore.

Flakët

Burimet policore pohojnë se brenda pak minutash në vendin e ngjarjes kanë shkuar disa makina zjarrfikësesh. Ata kanë arritur që të shmangin shpërthimin e mëtejshëm të impiantit të gazit që do të krijonte një tragjedi të vërtetë pasi ky impiant ndodhet në mes të lagjes me rreth 200 shtëpi banimi. Një prej efektivëve të policisë ka hyrë në mes të flakëve dhe ka mundur që të mbyllë saraçineskën e autobotit duke ndaluar rrjedhjen e mëtejshme të gazit dhe më pas ka larguar mjetin nga vendi ku vazhdonte shpërthimi. Por zjarrfikësve u është dashur më shumë se dy orë për të bërë të mundur shuarjen e plotë të flakëve në impiantin dhe në godinën ngjitur me të. Kur situata është qetësuar, zjarrfikësit janë përballur me trupin e pa jetë të një fëmije të vogël, e cila është identifikuar më pas si Artenisa Cani.

Shkaku

Ekspertët e zjarrfikësve dhe të policisë kriminale që kanë shkuar në vendin e ngjarjes kanë filluar procedurat ligjore për zbardhen e mëtejshme të ngjarjes të shpërthimit të gazit, e cila solli vdekjen e një vogëlusheje si edhe djegien e tre personave të tjerë. Sipas ekspertëve të policisë të zjarrfikësve, mendohet se zjarri ka shpërthyer në linjën e furnizimit të impiantit të gazit tek fllanxha dhe saraçineska kryesore që furnizon me gaz depozitën nga makina, pikërisht në këtë moment u konstatua se është punuar për të zbërthyer fllanxhën njëpolëshe tek rubineti kryesor me çelës dhe levë dhe me goditje. Po kështu, sipas të njëjtave burime, mendohet se ky moment mund të ketë qenë edhe gabimi njerëzor pasi në këtë çast në tubacionimendohet se ka qenë i mbushur me gaz dhe ka pasur shpërthim të menjëhershëm. Tubi i furnizimit nga makina autobot e mbushur me 20 mijë litra gaz që mbush depozitën stacionere ka shpërthyer dhe ka përhapur gaz dhe një shpërthim flake që ka përfshirë të gjithë godinën ngjitur me depozitën e gazit dhe komplet impiantin. Fatmirësisht flaka nuk ka prekur cisternat 15 mijë litërshe të gazit.

VIKTIMA

Artenisa Cani, nëntë vjeç, vajza e pronarit të pikës së gazit

TË PLAGOSUR

Beqar Cani 40 vjeç, pronari i pikës së gazit

Suzana Cani 35 vjeçe, nëna e vajzës së vdekur

Dashamir Ago 52 vjeç, drejtuesi i autobotit me gaz

Dyshimet për një gabim njerëzor por edhe hetimi i lejes së impiantit të gazit në mes të fshatit

Ekspertët, dy pistat e hetimit të ngjarjes

BERAT- Sipas ekspertëve, shpërthimi i fuqishëm për momentin ka sjellë hutimin e personave përgjegjës dhe punonjësve. Në vendin e ngjarjes janë gjetur gjatë ekspertizës dy çelësa dhe një levë poshtë fllanxhës mbushëse të cisternës. Është gjendur një makinë e shkrumbuar e pronarit Cani. Po në vendin e ngjarjes oficerët e policisë gjyqësore kanë saktësuar një palë këpucë të djegura, një kapele të djegur, një bluze e disa sende të tjera të cilat janë saktësuar në dosjen përkatëse në cilësinë e provës materiale. Ekspertët e policisë gjyqësore kanë përpiluar dhe dosjen përkatëse ku kanë marrë nën hetim për momentin personat që kanë qenë dëshmitarë okularë të ngjarjes. Po të njëjtat burime oficerët e policisë gjyqësore që kanë përpiluar dosjen do të hetojnë në disa pista për të nxjerrë shkakun kryesor të rënies të zjarrit që mori jetën e një fëmije 9-vjeç. Pista e parë, sipas tyre, është hetimi nëse impianti i gazit i vendosur në qendër të fshatit ku rrezikoheshin nga shpërthimi rreth 200 familje është ose jo brenda kushteve teknike. Nëse ky impiant gazii ndërtuar në qendër të fshatit ka lejen e ndërtimit të këtij subjekti të rrezikshëm. Ekspertët e policisë pohuan për gazetën se, nëse nuk do të ishte e menjëhershme ndërhyrja e policisë dhe e zjarrfikësve për largimin e makinës autobot që vazhdonte t’i digjej tubi i mbushur me gaz rreth 1.7 metër e gjatë i ndezur në flakë dhe që vazhdonte të digjej, rrezja e shpërthimit do të ishte më shumë se 150 metra që do të thotë se brenda kësaj rreze do të përfshiheshin nga flakët të gjitha banesat dhe gjithçka rreth tyre. D. Jaho

Ibrahim Kollona ka qenë i vetëm në shtëpi dhe nuk ka mundur që t’iu shpëtojë flakëve që kanë përpirë ndërtesën

Korçë, digjet i gjallë 53- vjeçari i paralizuar

KORÇË- Digjet i gjallë një 53- vjeçar i paralizuar, pas një zjarri që ka përfshirë banesën e tij. Ngjarja tronditëse ka ndodhur në Pazarin historik të Korçës në një nga hanet që ende popullohet me qiraxhinj. 53- vjeçari Ibrahim Kollona ka qenë i vetëm në shtëpinë e tij, teksa nuk ka mundur t’i mbijetojë vdekjes, që ka ardhur në mënyrë të beftë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, viktima që është djegur pjesërisht dhe ka vdekur nga asfiksia, nuk ka pasur mundësi tëlargohet, ndërsa zjarri mendohet të jetë shkaktuar nga një cigare. Kollona, banor i lagjes 8 të qytetit ku jetonte prej më shumë se 20 vjetësh, në Hanin e Gjelit, në pritje për tu trajtuar me banesë nga bashkia e qytetit, përveçse jetonte në një varfëri të tejskajshme bashkë me katër fëmijët e tij, ka vdekur dhe në një mënyrë tragjike.

Nga hetimet e para është mësuar se ai ka qenë duke ndezur një cigare e cila mendohet të ketë shkaktuar dhe zjarrin fatal në banesë. Godina e amortizuar nga njëra anë, por dhe mungesa e ndërhyrjes në kohë ka vështirësuar evitimin e tragjedisë. 53- vjeçari i sëmurë me zemër dhe i paralizuar prej disa muajsh lëngonte në shtrat, ndërsa është djegur në pjesën e gjymtyrëve duke mbetur i vdekur në vend. Ndonëse ai është përpjekurtë lëvizë nga shtrati ku qëndronte shtrirë, nuk ka mundur dot të bëjë vetëm disa hapa. Ai nuk ka mundur t’i shpëtojë zjarrit që ka djegur bashkë me të dhe një pjesë të mirë të shtëpisë. Nga hetimet parapraket dyshohet që zjarri të ketë ardhur nga një cigare e Kollonës, por nuk përjashtohet mundësia edhe e një luhatje tensioni. Gjithsesi ekspertët që kanë shkuar në vendin e ngjarjes nuk e kanë përcaktuar ende shkakun e saj. Përsa i përket viktimës, sipas ekspertëve ligjorëtë cilët kanë kryer dhe autopsinë në Morgun e Korçës, ai ka vdekur si rezultat i asfiksisë, ndonëse dhe djegiet në pjesën e gjymtyrëve kanë qene mjaft serioze. Zjarri i cili ka rrezikuar dhe një sërë banesash të tjera në Pazarin historik të Korçës është fikur pas ndërhyrjes të një zjarrfikëse.

Xhaxhai i vajzës: Do shkonte në shkollë pasdite dhe në atë moment që mori flakë autoboti, po mësonte në zyrë

Tmerri në spital, prindërve nuk iu tregohet vdekja e vajzës

TIRANË- Vajza u shkrumbua ndërsa prindërit e saj ndodhen në gjendje të rëndë për jetën ndaj dhe ende nuk kanë mësuar fatin tragjik të saj. Askush nuk guxon t’iu tregojë bashkëshortëve se vajza e tyre 9-vjeçe ka ndërruar jetë. Behar e Suzana Cani ndodhen në pavijonin e djegies në spitalin “Nënë Tereza”. Tragjedia në familjen e tyre ndodhi mesditën e djeshme në fshatin Lapardha të Beratit kur autoboti pronë e tyre mori flakë. Për pasojë mbetën të plagosur burrë e grua Behar e Suzana Cani si dhe shoferi i autobotit Dashamir Aga. Flaka dogji dhe një zyrë brenda së cilës ndodhej vajza e çiftit Cani, 9-vjeçarja A.Cani. Ajo u shkrumbua nga flakët dhe u gjet e vdekur nga policia vetëm pasi u shua zjarri.

“Vajzakishte për të shkuar në shkollë në orët e pasdites dhe në atë moment që mori flakë autoboti, ajo po mësonte në zyrë. Ndërsa prindërit e saj ndodheshin jashtë kur ra flaka. Menjëherë vëllai im Behari shkoi pranë autobotit dhe bëri të mundur ndalimin e rrjedhjes së gazit pasi rrezikonte të shpërthente i gjitha autoboti”, -tregoi për “Shekullin” vëllai i të dëmtuarit, Ylli Cani. “Kur kam mbërritur unë gjeta vëllai tim Beharin të dilte nga një banesë i djegur pjesërisht, më pyeti menjëherë për vajzën pasi e dinte që ajo ndodhej pranë vendit ku mori flakë autoboti, i thashë që është mirë dhe bashkë me bashkëshorten e tij e shoferin shkuam në spital me makinë të rastit”, shpjegon më tej Ylli Cani, i cilindodhej në hollin e pavijonit të djegies në spitalin “Nënë Tereza” në kryeqytet. Bashkë me të ndodhen edhe të afërm të tjerë më pas do të nisen në Berat për të përcjellë në banesën e fundit vajzën 9-vjeçare. Asnjëri prej tyre nuk ka guxuar t’iu tregojë prindërve se vajza ka gjetur vdekjen pasi gjendja e tyre shëndetësore mund të përkeqësohej. “Vajza është mirë” janë fjalët që u thonë të afërmit prindërve të vajzës të cilët pyesin vazhdimisht për të. Mësohet se Behar Cani ka djegie në 55 për qindtë trupit ndërsa dëmtime të rënda ka në të dyja duart. Për një mjekim më të specializuar të afërmit thonë se ai do të niset për në Itali. Ndërsa bashkëshortja e tij Suzana Cani ndodhet në gjendje të rëndë po jashtë rrezikut për jetën. Djegie në pjesën më të madhe të trupit ka pësuar edhe shoferi i autobotit i cili gjithashtu ndodhet në pavijonin e djegies në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›