Cërvenkovski: Rrezikojmë NATO-n dhe BE
Presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski deklaroi se nuk ka unitet midis institucioneve shtetërore për çështjen e emrit dhe sipas tij vendi po rrezikon anëtarësimin në NATO dhe BE.
“Me keqardhje them se në vend të harmonizimit të qëndrimeve, takimi me kryeministrin Gruevski përfundoi me dallime midis nesh për çështjen e emrit.Gruevski po e përshkruan veten në rolin e opozitës dhe po përpiqet ti ikë përgjegjësisë për çështjen e emrit. Ai po tenton që të inskenojë një skenarë me të cilin të gjitha përgjegjësitë t`i hedh mbi mua”, theksoi presidenti Cërvenkovski, duke njoftuar faktin se kryeministri Gruevski më parë kishte pranuar propozimin Republika e Maqedonisë(Shkupi), ndërsa tani këtë po e mohon.
Presidenti Cërvenkovski tërhoqi vëretjen se Maqedonia po rrezikon procesin e anëtarësimit në NATO dhe BE.
“Nëse gjatë 3 apo katër javëve nuk arrihet në një zgjidhje për emrin, atëherë minimalisht për një vit Maqedonia do të jetë në gjendje status quo dhe duhet të harrohet NATO dhe BE”, deklaroi presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, duke shtuar se nuk ka arritur që të njihet me propozimin e kryeministrit Gruevski lidhur me zgjidhjen e çështjes së emrit.
Presidenti Cërvenkovski deklaroi se në takimin e sotëm, kryeministri Gruevski nuk ka pranuar shumë propozime të tij, mes të cilave edhe mundësinë për takim të sërishëm midis palëve negociuese të Shkupit dhe Athinës. “Shihet qartë se qëllimi i Gruevskit është që t`i bëjë obstruksione procesit për çështjen e emrit”, theksoi Cërvenkovski.
Ai i bëri thirrje kryeministrit që të jetë më i përgjegjshëm, më serioz dhe të jetë në nivelin e sfidave lidhur me procesin e ardhshëm për çështjen e emrit. “Për të qenë president apo kryeministër, nënkupton të sillen vendime, madje të jenë ato edhe të rënda”, deklaroi presidenti maqedonas.
Sipas tij, në interes të vendit është që të vazhdojnë kontaktet me ndërmjetësin Nimic, sepse kontaktet e tilla do t`i shfrytëzojë Greqia. (INA)