Apologjia e Papunës
FEJTON
Për vlerat e punës është folur, flitet, do të flitet dhe është shkruar, shkruhet, do të shkruhet shumë. Ajo që më ka rënë mu (bash) në sy në këtë çështje, është se sa pak vend zë bashkë udhëtarja e përhershme e punës, shoqja dhe aspak kundërshtarja e saj, papuna në gjithësinë e çështjeve jetësore. Papuna nuk është saktësisht të mos qenit i punësuar, por është një kategori më vete e angazhimit dhe e përpjekjes personale. Papuna nuk është as papunësia, pra mungesa e punës. Ajo mund të përcaktohet jo si mungesë e diçkaje, por si ekzistencë e mirëfilltë.
Papuna gjithashtu nuk mund të përfshihet në një nga pafundësitë e llojeve të punëve të llojllojshme që çmendja njerëzore ka shpikur për të dëshmuar epërsinë e trupit ndaj shpirtit. Pikërisht çmendja njerëzore ka shpikur shprehje të tilla si: “pa punë jeta s’ka kuptim” (në vend të: “pa jetë, puna s’ka kuptim”).
Sa thënë se është shprehja që rëndom përdorin pa punëtorët në vendin tonë: “Paradite papunë, pasdite pushim”. Mos ta keqkuptojmë këtë shprehje domethënëse. Papuna nuk është papunësi dhe as punë, por është një institucion shoqëror tashmë në këtë vend, një kategori vlerash, që nuk e pëlqen tamam- tamam, as punën dhe as papunësinë. Më saktë, pa punëtorët në shumicën e tyre, nuk është se urrejnë çdo vlerë të punës dhe të papunësisë. Jo. Kurrsesi. Natyrisht kjo varet edhe nga lloji i shoqërisë. Për shembull, pa punëtorët e vendit tim, kanë dobësi për një anë të veçantë të punës: rrogën, dhe në të njëjtën kohë një dobësi të madhe për një anë të veçantë të papunësisë: rehatllëkun.
Ka edhe anë të tjera më pak apo më shumë të rëndësishme të cilat pa punëtorët shqiptarë pëlqejnë si tek njëra si tek tjetra. Tek puna pëlqejnë ryshfetin dhe privilegjet, tek papunësia pëlqejnë tangarllëkun dhe javashllëkun. Në përgjithësi pa punëtorët janë shumë përzgjedhës, apo eklektikë siç mund t’i thoshim me një fjalë greke. Pa punëtorët dhe pa punonjësit kanë vendet e tyre të papunës, dhe i gjen (teorikisht) nëpër zyra, shkolla, institucione, inspeksione etj,ku pa punojnë me zell të madh.
Në se s’ke punë tjetër, apo në se të duhet se s’bën t’i gjesh ndokund, gjëja e parë që duhet të bësh është të gjesh se ku e kanë zyrën apo në përgjithësi vendin e papunës. Së dyti, dhe kjo gjëja e dytë është shumë e rëndësishme, të gjesh kafen apo qebaptoren më të afërt me vendin apo zyrën e papunës. Pastaj në kafe, mos u trishto, sepse edhe në se të duket e vështirë se si do t’i dallosh nga të tjerët, është e thjeshtë. Pa punëtorët i kanë përveç barkut disi të dalë si kacek edhe duart plot me çelësa, në mesin e të cilëve ndodhet çelësi i zyrës apo i vendit të papunës.
Duhet theksuar se pa punonjësit e urrejnë jashtëzakonisht shumë papunësinë, madje aq shumë e urrejnë sa që janë gati të bëjnë gjithçka vetëm që të kenë një vend papune. Pikërisht kjo është arsyeja pse shumë buxhetorë dhe në përgjithësi pa punonjës të tjerë, arrijnë deri aty sa të mos e kenë për gajle që të japin ryshfet deri në një apo dy vite të rrogës, vetëm e vetëm që të kenë mundësi të ushtrojnë hobin e vet të dashur, papunën.
*Autori është doktorant ne histori ne Universitetin e Lisbonës