Harruan në qeli të dënuarin, paditen
Tiranë- Harruan për më shumë se 2 muaj në burg një të dënuar për armëmbajtje pa leje dhe tashmë po ndiqen penalisht. Ministria e Drejtësisë ka paditur penalisht në Prokurorinë e Përgjithshme dy prokurorë në rrethin e Shkodrës, për abuzime me detyrën.
Sipas burimeve zyrtare mësohet se kallëzimi penal është bërë për Prokurorin e Gjykatës së Apelit Shkodër,dhe prokurorene Gjykatës së rrethit.
Materialin denoncues e ka përgatitur Ministria e Drejtësisë, pas një kontrollit të ushtruar nga grupi i inspektimit të saj në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe në Gjykatën e Apelit Shkodër me objekt verifikimin e fakteve mbi gjykimin, dënimin dhe kohëzgjatjen e qëndrimit në burg të të dënuarit Arben Ndoja.
Sipas konkluzioneve të grupit të ekspertëve të kësaj ministrie, i dënuari Arben Ndoja ka qëndruar padrejtësisht në burg për me shume se 2 muaj. Ndërkohë dy të paditurit, sipas ministrisë nuk kanë zbatuar një pjesë të urdhrit për “Për ekzekutimin e vendimeve penale dhe mbikqyrjen e vuajtjes së dënimit me burgim” të lëshuar nga Prokurori i Përgjithshëm.
Pas kontrollit, Ministri i Drejtësisë arritinë konkluzionin se janë zbuluar fakte që përbëjnë veprat penale të heqjes së padrejtë të lirisë të parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal, të shpërdorimit të detyrës të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe të kryerjes së veprimeve arbitrare të parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal.