Zona e Porto Romanos së shpejti do të jetë një port i hapur ndërkombëtar
Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi sot disa ndryshime në marrëveshjen e koncesionit, të formës “BOT”, për ndërtimin dhe shfrytëzimin e pontilit të naftës, gazit e nënprodukteve të tyre, në zonën bregdetare të Porto-Romanos, Durrës, e ratifikuar nga Kuvendi në vitin 2004. Ecuria e marrëveshjes koncensionare ndërmjet qeverisë shqiptare dhe koncensionarit Romano Port sh.a. për qeverinë ndiqet nga tre ministri: ministria përgjegjëse për ekonominë, ministria përgjegjëse për portet dhe ministria përgjegjëse për çështjet mjedisore. Sipas aktkolaudimit tekniko-ekonomik të paraqitur nga koncensionari rezulton se ka përfunduar së ndërtuari investimi i miratuar sipas lejes së ndërtimit dhe është marrë leja e shfrytëzimit për objektin. Gjithashtu, koncensionari Romano Port ka paraqitur pranë Organit Shtetëror të Autorizuar (OSHA), dokumentacionin e plotë zyrtar që provon sipas legjislacionit përfundimin e këtij objekti së bashku me linjat dhe pajisjet nën presion. Aktualisht në përputhje me Kodin Detar ministria e PPTT-së, si dikasteri përgjegjës në fushën e porteve ka detyrimin ligjor të nisë procedurat për shpalljen port të këtij ndërtimi të kryer në Porto-Romano dhe për ta kategorizuar atë "Port i hapur ndërkombëtar". Veprimtaria e tij do të jetë ajo e një porti nafte, gazi dhe e nënprodukteve të tyre, i cili i shtohet hartës detare shqiptare.
...