E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballkano-egjiptianet e Shqipërisë solidarizohen me rezolutën çame

15-02-2013 / Nga Behar Sadiku

Ballkano-egjiptianet e Shqipërisë, solidarizohen me të gjitha pikat e paraqitura nga përfaqësia politike e komunitetit çam, e organizuar edhe në formacion politik, i cili tashmë ka arritur ta ndërkombëtarizojë çështjen e vet deri në Kongresin Amerikan. PDIU formuloi Rezolutën që ju paraqit këto ditë parlamentit. Aty janë formuluar drejt dhe me qartësi të gjitha problemet që kanë të bëjnë me rivendosjen e të drejtave themelore të shtetasve shqiptarë të Çamërisë ish-shtetas grekë, siç janë: Rikthimi i pronave, njohja e të drejtës së riatdhesimit, njohja e të drejtës së rimarrjes së shtetësisë, si dhe të të drejtave të tjera të pakicave kombëtare, të njohura në të gjitha kartat e të Drejtave të Njeriut. Në këtë dokument të rëndësishëm historik, është kërkuar shfuqizimi i Ligjit grek të Luftës, nr. 2636 dhe 2637/1940, i shpallur me dekret mbretëror në vitin 1940, i cili i trajtonte çamët si bashkëpunëtorë të forcave të boshtit të së keqes. Është provuar se ky ka qenë vetëm një pretekst i shëmtuar dhe pa asnjë bazë reale. Shovinistët grekë me këtë ligj (të cilin e kanë akoma në fuqi) përzunë me forcë nga tokat dhe shtëpitë e tyre qindramijë shqiptarë të besimit islam, duke shënuar një faqe të errët për vetëdemokracinë e shtetit fqinj. Është gjithashtu e vërtetë tronditëse fakti se në Çamëri sot jetojnë rreth 70-100 mijë çamë të besimit ortodoks, që sipas PDIU-së, s’kanë asnjë të drejtë ta shfaqin identitetin e tyre etnik, pasi i janë nënshtruar një procesi të gjatë dhe të dhunshëm asimilimi.
Ndër faktorët që çuan  në këtë spastrim etnik të këtyre viseve shqiptare të Çamërisë ishte përpjekja e kahershme e hordhive ekstremiste shtetërore e kishtare që nuk lanë mjet pa përdorur, që nga kërcënimet e deri në vrasjet masive që çamëve të besimit islam, që ata të ndërronin emrat, të ndërronim fenë, e mësë fundi të ndërronin flamurin dhe kombësinë e kësisoj të bëheshin grekë. Por shqiptarët çamë, këta burra dhe gra që kishin kontribuar realisht në shtetformimin grek nuk e bënë kurrë këtë gjë. Sjelljet vulgare dhe diskriminuese të anëtarëve të kohëve moderne janë shfaqur me rreptësi (ndonëse këtë herë më pak me armë, por sidomos me mospunësim dhe përzëniet masive të shqiptarëve që nuk pranonin të ndërronin emër e fe. Faktet janë të gjalla dhe të prekshme. Listat e të vrarëve janë më shumë se dhjetra. Natyrisht që goditjet e fashistëve të “Agimit të artë” në shkolla e spitale janë gishti tregues i ngritur lart.
Lind natyrshëm pyetja: përse komuniteti ballkano-egjiptian i Shqiperise është aq i sensibilizuar me kërkesat e drejta dhe legjitime të shqiptarëve çamë, të paraqitura në 13 pikat e Rezolutës. Natyrisht përgjigja jonë nuk është e re, por është e kahershme.
Deri-diku, në një periudhë të caktuar të zhvillimeve të historisë së re (e kam fjalën për gjysëmshekullin e diktaturës komuniste) sjellja e regjimit komunist të Tiranës ndaj çamëve të vrarë, të privuar e të shkretuar nga falangat monarko-fashiste greke, janë parë me sy jo të mirë. Ka qenë kjo përbuzje në pritjen ndaj kësaj mase të madhe njerëzore që na ka bërë të jemi më të afërt në bashkëvajtje dhe në diskriminimin që u shfaq thekshëm sidomos në vitet 60, pas të ashtuquajturës “tradhëtia e madhe e çamëve”. Nuk ka pse të mos i cekim sloganet e nënzëshme, por hera-herë edhe të zëshme që na etiketonin me të njëjtin mbiemër përbuzës edhe ne, edhe çamët. Është gjithashtu po kaq e vërtetë që ne ishim afër tyre edhe në gjeografinë e vendbanimeve, por edhe në hallet e jetës së përditshme. Kan’qenë shqiptarët çam’, që e kanë thyer të parët tabunë e lidhjeve jetësore me ne ballkano-egjiptianët, shqiptarët me ngjyrë.
Në kushtet e reja që ndodhemi, para faktit tashmë të shtuar përzgjidhje: njohjen e të gjitha të drejtave dhe detyrimeve nga ana e shtetit grek për çamët e dëbuar me dhunë nga trojet e tyre, është ora që të gjithë shqiptarët të ndalen e të riverifikojnë qëndrimet ndaj dukurive të shëmtuara që kanë në thelb të tyre fobinë e përçmimit për shkak të ngjyrës. Të kërkosh mirëkuptim duhet ta japësh provën se ti vetë di të mirëkuptosh dhe të pranosh  pa mëdyshje atë që ke afër teje dhe të largohesh përfundimisht nga shfaqja e personalitetit të dyfishtë, dukuri kjo që për fat të keq ende gjallon në forma e kurba të ndryshme në shoqërinë tonë.
E ngrejmë zërin në këtë moment, pasi edhe prova e parë e “fuqisë së verbër” të fashistëve grekë, anëtarë të famëkeqes organizatë “Agimi i artë”, u eksperimentua te të ndryshmit për shkak të ngjyrës. Ballkano-egjiptianët e Shqipërisë janë të mendimit se dita e ratifikimit të Rezolutës Çame duhet të pranohet nga Parlamenti Shqiptar si Dita Kombëtare e Faljes së ndërgjegjes njerëzore, ku të pushojnë së ekzistuari të gjitha format e diskriminimit, të dhunës, dhe të shënohet në memorien e kombit si dita e parë e erës së re paqësore, e fqinjësisë mbi baza të shëndetshme demokratike. Prandaj martirja Çamëri është e gjallë, prandaj do të rikthehet në trojet e veta historike, se ky amanet i të parëve, kjo piskamë e të vdekurve është detyrim i të gjallëve.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›