Guralumi: "Të çlirohet energji financiare nga bizneset"

Rikthehet diskutimi për strategjinë kulturore. Në fund të majit, grupi i punës, pothuajse i njëjti me atë të vitit 2006, duhet t'i dorëzojë qeverisë një program administrimi dhe financimi për kulturën shqiptare.
Iniciatori i diskutimit publik të strategjisë, Pjetër Guralumi thotë se ka ardhur koha të rishikohet dhe zbatohet Ligji "Për Sponsorizimet"
Në debatin për politikat kulturore nuk u tha ndonjë gjë e re. Ndonjë rektor e zëvendësrektor, ndonjë drejtues institucioni e ndonjë regjisor, disa burokratë nga ministria e Kulturës dhe ndonjë i ri që e ka herën e parë tek çarku i "politikave kulturore", u ankuan se buxhetet për kulturë dalin sa për fatura dritash dhe uji.
Ky takim shënon rikthimin në publik të diskutimit për strategjinë kulturore.
Në fund të majit, grupi i punës i përbërë thuajse nga të njëjtët, të vitit 2006, si Mark Marku, Gentian Çoçoli, Erion Kristo etj. duhet t'i dorëzojë qeverisë, në emër të ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, një program administrimi dhe financimi për kulturën.
Kjo është "fazë e mbledhjes së sugjerimve nga grupet e interesit" dhe quhet e mbaruar kur të jetë krijuar "një paketë rekomandimesh për institucionet shtetërore legjislative e ekzekutive".
Shqipëria është vendi ku miratohen ligje të shfuqizuara, ku ngrihen strategji nga të njëjtët njerëz që i rrëzojnë. Shtypi është dëshmitar i kësaj ulengrihu.
Po ia lemë fjalën një protagonisti. Violonçelisti Pjetër Guralumi, që prej disa vitesh drejton shoqatën "Miqtë e Muzikës" u bë iniciator i diskutimit të hapur të kësaj faze përgatitore të strategjisë.
Ka mbi dhjetë vjet që ka nisur kjo histori e një programi kombëtar për kulturën. Ju në ç'pikë po e rimerrni?
Ka pasur disa zhvillime. Ky debat bëhet për të nxitur strategjinë e politikave kulturore, pasi kjo punë po zgjat prej shumë kohësh. Duhen vendosur pikat mbi "i" në lidhje me strategjinë, drejtimet, prioritetet dhe vizionin për zhvillimin e kulturës në vitet që vijnë. Unë dhe një grup i vogël prej pesë vetësh morëm incitivën e sotme. Tani çështja është në duart e një grupi ekspertësh prej 15 vetësh të tjerë.
Në bashkëpunim me ekspertë të huaj të UNDP-së, është riparë strategjia për kulturën, janë bërë rekomandime, sugjerimet dhe rregullimet e nevojshme. Nga ana tjetër komuniteti i artistëve, akoma nuk është njohur me këtë strategji dhe ky takim synon pikërisht njohjen dhe rekomandime të mëtejshme.
Vrullin i fundit e ka marrë ish ministri i Kulturës Bujar Leskaj, më 2005-2006. Ç'ndodhi me atë strategji?
Prezantimi i strategjisë është nisur qysh prej vitit 2006. Por ky është një produkt që nuk mbaron me një e dy muaj. Ne jemi në programin e kulturës 2007-2013 dhe qysh tani fillojmë të thithim sugjerime, ide, nga grupe interesi ose dhe institucione të ndryshme që merren me politikën evropiane në fushën e kulturës, për të përgatitur fushatën e programit të ri.
Dhe si raportohet kultura përballë këtyre politikave evropiane që thoni ju, të paktën për fushën e muzikës që e njihni më mirë?
Janë disa elementë për t'u përgëzuar, dhe disa janë akoma në stadin që nuk na bëjnë konkurrentë.Nëse flasim për programin IPA, janë disa fonde që mblidhen jo vetëm nga fondi rajonal i Adriatikut, ku hyn Shqipëria, Kroacia, Mal i Zi, Bosnje-Hercegovina.
Në këto programe Shqipëria është në gjendje që të aplikojë, të marrë pjesë dhe të konkurrojë për projekte të caktuara, ku kultura është e futur në prioritetin numër dy të titulluar "Mbrojtja e resurseve natyrore dhe materiale".
Kurse programi evropian i kulturës 2007-2013, megjithëse Shqipëria është vend i lejueshëm për të marrë pjesë, akoma nuk mund të jetë në këto konkurse për aplikime në fushën e kulturës, për faktin që nuk ka nënshkruar akoma memorandumin e mirëkuptimit me BE. Unë e quaj minus të punës së insitucioneve tona apo instrumenteve të tjerë biletarale, për të mundësuar nënshkrimin e këtij memorandumi.
Përmendët një shifër skandaloze. Raporti 2009 i BE-së për kulturën në Shqipëri tregon se sa pak shpenzon shteti shqiptar për kulturën e një qytetari gjatë vitit...
Shteti shqiptar shpenzon 5.7 euro për frymë. Është një kuotë e ulët por që lidhet, le të themi, me mekanizmat e tjerë të qeverisjes së një vendi. Duhen bërë përpjekje që të lehtësohet financimi i artit përmes privatëve.
Pra përmirësimi i ligjit në fushën e fianancimit të artit do ishte një nga elementet lehtësuese. Së dyti, janë fondet evropiane, edhe ato janë instrumente për funksionimin integral të një shoqërie, qoftë dhe në fushën e kulturës. Edhe tek kjo pikë jemi të bllokuar pasi ende nuk është nënshkruar ai memorandum që ju përmenda.
Konkretisht çfarë propozimesh hidhni ju për strategjinë në kulturë, gjithnjë duke u nisur nga fusha juaj?
E them që në fillim se ne nuk mund të presim të financohemi gjithmonë dhe vetëm nga Ministria e Kulturës. Konkretisht për muzikën, për të gjitha llojet që lëvrohen këtu, duhej të kishte një xhep të veçantë në Ministri, një fond që të shikohej edhe muzika ndër prioritetet.
Megjithatë nga Ministria ne presim një rol të rëndësishëm mbi Ligjin "Për Sponsorizimet". Presim të bëjë politika të tilla të cilat të çlirojnë energji financiare nga fusha të ndryshme të shoqërisë, të krijojnë mundësi që fondet evropiane të mund të jenë të konkurrueshme nga shqiptarët.
Në këtë mes bizneset duhet të lehtësohen nga tatimet në kuadër të xhiros dhe jo në kuadër të fitimit. Kjo është ajo që e çliron një pjesë të energjisë që bizneset mund të kenë për të mbështetur artin.
Edhe Ligji "Për Sponsorizimet" ka disa vjet që është miratuar, por ndjeshmëria e biznesit ndaj kulturës nuk është ngjallur.
Biznesi për momentin nuk është shumë i interesuar, pasi, siç e thashë, niveli i përqindjes që i reduktohet në taksa lidhet vetëm me pjesën e fitimit të tyre. Këtë motor mund ta vënë në lëvizje qeveria, ministritë e Kulturës e të Financave.
Si do të reagonte poshtë tregu i kulturës - nëse mund të thuhet se ekziston një i tillë - nën tavanin e këtyre politikave?
Nëse flasim për tregun problemi është ky: ne nuk kemi treg për artin, na mungojnë institucionet, mungojnë tregtarët e artit, e thënë ndryshe menaxherët e artit. Kemi njerëz shpesh të improvizuar në fushën e menaxhimit të artit, por nuk kemi njerëz në menaxhimin e artit pranë institucioneve të mëdha artistike qoftë në Teatrin e Operës, në Teatrin Kombëtar etj.
Kur vjen puna, ndodh që gjithçka këto institucione ta bëjnë brenda për brenda, fjala vjen deri në çuarjen e artistit në hotel apo marrjen me çdo element tjetër të një produksioni artistik.
Përveç mungesës së tregut të artit, element i rëndësishëm është edukimi artistik i amatorëve që duhet të konsumojnë art. Njerëzit në Shqipëri e harxhojnë kohën në kafene dhe kazino. Kjo nuk është më gjë e re.
Gjithmonë përmendet me solemnitet fjala "komunitet artistësh" prej të cilëve pritet sugjerim idesh. Harrohet që artistët në Shqipëri vetëm komunitete që nuk përbëjnë dhe aq më pak të jenë aktivistë idesh. Ju cilëve ju referoheni?
Në hartimin e strategjive siç e tha Mark Marku ishte një grup. Teknikisht ky forum ofron mundësinë me shkrim që secili që mendon se ka një kontribut për t'ia dhënë këtij grupi pune, le ta depozitojë.
Nga ana tjetër po ky grup asistohet edhe nga ekspertë për hartimin e strategjisë nga UNDP. Tek e fundit vetëm prurjet dhe pjesëmarrja e gjithpërfshirja e grupeve të interesit do të mund të japë një produkt.
Problemi nuk qëndron se po lodhemi, apo pse po zgjat kjo punë dhe hajde të shkurtojmë kohë. Jemi këtu ku jemi edhe ngaqë ato mendime që janë dhënë nuk kanë qëndruar, janë fshirë.