Ballsh, normalizohet situata e të helmuarve nga uji
Gjatë ditës së djeshme janë shtruar në spital vetëm 37 njerëz. Mjekët: uji duhet pirë i zier, jo siç vjen nga çezma
BALLSH- Fluksi i pacientëve të helmuar nga uji i pijshëm në spitalin e Ballshit është zvogëluar ndjeshëm dje paradite. Kjo tregon që më e keqja ka kaluar dhe nuk po vihet re shtim i numri të të prekurve nga helmimi.
Sipas infermieres Emanuela Myftari, nga ora 12.00 e mbrëmjes deri në orën 07.30 minuta janë paraqitur ne spital për të marrë mjekimin e nevojshëm 27 veta. Ndërsa pas kësaj ore janë paraqitur në spital edhe 10 persona të tjerë, të cilët janë shtruar për të marrë mjekim.
Ulja e fluksit duket qartë edhe te shumë shtretër që ndodheshin bosh ndërsa sanitaret po bënin ndërrimin e çarçafëve dhe lanin dyshemenë. Nga 10 të shtruarit e paradites së djeshme ndodheshin edhe tre fëmijë të moshës katër deri në shtatë vjeç.
Prindërit e tyre Flutura Mema dhe Fiqrete Muskaj janë shprehur se kanë shkuar në spital në orët e paradites ndërsa dhimbjet e barkut dhe të vjellat u kanë nisur fëmijëve që në orët e mbrëmjes. Si gjithë të sëmurët e tjerë edhe këta persona kanë fajësuar ujin e pijshëm si shkaktar të sëmundjes.
Ky i fundit, sipas Drejtorit të Shëndetit Publik Ballsh, Shahin Zaçe, nuk është ndërprerë asnjë ditë edhe pse është thënë nga drejtues të tjerë institucionesh deri te ministri i Shëndetësisë se uji është ndërprerë për disa orë. Sipas tij, ndërprerja e ujit në të tilla raste dhe në këtë situatë nuk lejohet pasi, sipas specialistëve, do të shkaktonte më shumë probleme në shëndetin e qytetarëve.
"Më mirë një uji i ndotur por ky të zihej para përdorimit se sa në tubacionet kryesore të mos rridhte uji",- tha drejtori. Ai shton se për këtë ujë është bërë edhe thirrje në mediat lokale që të mos pihet ashtu siç është, por të zihet më parë.
Ndërkohë, ai shton ashtu si në rastin e Ballshit me të tillë virus ka ndodhur edhe para dy vjetësh në Malin e Zi dhe flitet që ky virus qarkullon edhe në Ballkan. Ndërsa lidhur me përgjigjen e analizave ai është shprehur se duhen dokumente zyrtare për të vërtetuar këtë. "Për këtë situatë kanë ardhur të gjithë specialistët nga më të mirët që ka Ministria e Shëndetësisë.
Deri tani ato tregojnë se kemi të bëjmë me një bakter i quajtur Efteria Coli, i cili zakonisht ndodhet në trupin e njeriut, në zorrë. Por ai ndodhej edhe në ujë duke bërë që qindra vetë të helmohen dhe të shtrohen në spital. Deri dje numri i të sëmurëve ka qenë mbi 350 njerëz",- shprehet Drejtori i Shëndetit Publik, Shahin Zaçe. Në total numri i të prekurve nga helmimi po i afrohet 400 njerëzve.
Tiranë
Zonat problematike të ujit të pijshëm
TIRANË- Uji i pijshëm në disa zona të Tiranës rezulton me ndotje bakteriale. Sipas specialistëve të higjienës, zona më problematike ku kërkohet ndërhyrje e menjëhershme është ajo pranë sheshit "Avni Rustemi".
"Ka disa pika me ndotje, sidomos ajo që ndodhet tek sheshi "Avni Rustemi". Ka probleme me ujësjellësin e Tiranës, herë pas here kanalet janë të ndotura si pasojë e rrjetit të amortizuar dhe ndërhyrjes pa leje të qytetarëve", ka deklaruar inspektori Sazan Skuka.
Ndërkohë, probleme janë shfaqur edhe në "Rrugën e Durrësit", ku ndotja është përsëritur tre herë vetëm gjatë muajit prill, në rrugën "Thanas Ziko", që lidh "Rrugën e Dibrës" me shkollën "Partizani", në "Rrugën Bardhyl" dhe në Tiranën e Re.
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, u ka kërkuar të gjithë drejtorëve të shëndetit publik në rrethe të rrisin dozën e klorit në ato pika ku konsiderohet e nevojshme për të evituar kështu ndonjë epidemi të mundshme, siç ndodhi pak ditë më parë në Ballsh.