E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria pret informacionin nga bankat Amerikane

"Kartat e klonuara"
Të dhënat e kartave dhe të biletave të udhëtimit, rezultonin të ishin lëshuar në shtete të ndryshme amerikane dhe kineze


TIRANË- Dëmi ekonomik i shkaktuar nga falsifikimi i biletave të udhëtimit nga veprimtaria e tetë personave të arrestuar gjatë operacionit "Concord", pritet të jetë më tepër se dëmi fillestar prej 112 mijë eurosh, e denoncuar nga kompanitë ajrore që veprojnë në Tiranë.


Kjo pasi në total nga verifikimet e kryera nga prokuroria janë në total 19 banka nga shtete të ndryshme të SHBA-së, nga të cilat janë emetuar 32 kartat e kreditit me të cilat janë kryer pagesat e biletave të udhëtimeve të personave të ndryshëm të blera në agjenci të ndryshme udhëtimi në Tiranë. Në një rast, rezulton se është dëmtuar edhe një bankë kineze me qendër në Shangai.


Nisur nga ky fakt, dyshimet e hetuesve janë se dëmi mund të jetë edhe më i madh, pasi të dyshuarit mund të kenë kryer tërheqje parash, nga bankomate të ndryshme. Po ashtu ata kanë kryer udhëtime dhe pushime në vende të ndryshme si Turqi Maqedoni e Kosovë, ku edhe mund të kenë kryer shpenzime të mëdha.


Fakte të tilla janë komunikuar nga prokuroria gjatë marrjes së masave të arrestit në mungesë ndaj të arrestuarve si dhe gjatë verifikimit të tyre në gjykatë, të cilët janë në masën e sigurisë burg pa afat.


Nga verifikimi i i biletave të udhëtimit rezulton se të dhënat e kartave të kreditit në disa raste kishin mospërputhje me të dhënat e numrave të telefonave apo të adresave të imeileve, të cilat në shumë raste ishin adresa inekzistente.


Këto verifikime prokuroria i ka kryer në bashkëpunim me një bankë të nivelit të dytë në vend, së cilës i është drejtuar organi i akuzës për të kryer verifikimet e saj, lidhur me grupin e kartave dhe biletave të klonuara të goditur pak ditë më parë nga antikrimi ekonomik i policisë në bashkëpunim me prokurorinë.


Veprimtaria e grupit prej tetë vetash, u zbulua pas kallëzimit në policinë, nga përfaqësuesi i një shoqërie fluturimesh, që mund të jetë më e dëmtuara nga falsifikimi i biletave të udhëtimit, apo pagesat nëpërmjet këtyre kartave.


Më pas dyshimet e policisë janë rritur kur biletat e falsifikuara nuk rezultonin në sistemin elektronik të aeroportit.


Nga përgjimet e kryera një prej të arrestuarve, Zenel Buzhala, ka pasur biseda të shpeshta me përfaqësuesit e rreth gjashtë agjencive të udhëtimit. Ai fundit është prezantuar tek disa persona me të cilët bashkëpunonte, si drejtues i një agjencie biletash në Kosovë.


Nga dëshmitë e njërit prej të arrestuarve mësohet se Buzhala ofronte favore, duke i marrë paratë i biletave në fund të muajit. Ndërkohë ai bashkë me të arrestuarin, Ken Koromani, kanë prerë dy bileta udhëtimi në drejtim të Turqisë, që dyshohet të jenë prerë me karta krediti të klonuara. Por këta të fundit kanë udhëtuar së bashku edhe në drejtim të Maqedonisë.


Zenel Buzhala, 39 vjeç, nga Kosova, banues në Tiranë dhe Ken Koromani, 45 vjeç, nga Presheva me banim në Tiranë, dyshohet se kanë qenë dy personat që kanë arritur të ndërtojnë skemën e falsifikimit të biletave të udhëtimit, nëpërmjet mashtrimit kompjuterik nëpërmjet klonimit të kartave të kreditit dhe prerjes on -line të biletave të udhëtimit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›