E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një virtuoz nga Varshava

Pianisti polak Stanislaw Drzewiecki-in për herë të parë në koncert në Akademinë e Arteve, shoqëruar nga Orkestra Simfonike e RTSH. Një skerco nga Thoma Gaqi, pastaj fjala për 22-vjeçarin me Dvorzhak dhe Shopen, nën drejtimin e Czeslaw Grabowskit
Një artisti i lindur, po aq sa inteligjent që ia mbërrin të krijojë balancë të admirueshme mes teknikës perfekte dhe emocioneve.


Kështu shkruhet në të përditshmet e huaja për Stanislaw Drzewieckin, pianistin polak që vjen për herë të parë në Shqipëri, sot, 14, maj për të dhënë një koncert recital, ora 19.00, në Akademinë e Arteve.

Edhe pse repertori i tij nuk njeh kufij, në Shqipëri ka ardhur me një program të veçantë me pjesë nga Shopen dhe Dvorzhak. Mbrëmja hapet me "Skerco për orkestër" nga Thoma Gaqi ekzekutuar nga Orkestra Simfonike e RTSH, nën drejtimin e dirigjentit polak Czeslaw Grabowski, vjen radha e Drzewieckit me "Koncert për piano" nga Shopen dhe "Simfonia nr 8" nga Dvorzhak. Duhet nënvizuar këtu, se muzikanti më përzemër i pianistit është Shopeni, të cilin e ka luajtur pafund në skena të Evropës.


"E vështirë të mos e admirosh teknikën madhështore dhe muzikalitetin e thellë. Kur ai luajti në piano në koncertin e Disney Hall-it, audienca rrethoi skenën dhe të gjitha anët e sallës ishin përplot me dëgjues", shkruan në vitin 2004 kritikja Maja Trochimczyk e "Polish Daily News".


Koncerti i parë i Stanislaw Drzewieckit ka qenë në moshën 6-vjeçare, i shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Varshavës, me dirigjent Volker Schmidt-Gentenbach.
Performancat e para ndodhin në koncerte të rëndësishme në Londër (Victoria & Albert Museum), Vjenë (Schnbrunn Palace), Meksikë, SHBA, Çikago, Japoni etj.


Më 26 janar 2003, në moshën 15-vjeçare Drzewiecki interpretoi me sukses në një vend prestigjioz për cilindo muzikant karriere, Carnegie Hall (Isaac Stern Auditorium) në Nju Jork, ku u prit me entuziazëm nga audienca dhe kritika.


CD e parë e realizoi në moshën 10-vjeçare, janë koncerte për piano me muzikë nga Bah, Moxart, Bethoven).


Në vitin 2000 realizon CD me Koncertin për Piano të Shopenit, e regjistruar me
Simfoninë e Varshavës nën drejtimin e Grzegorz Nowak. Koncerti i regjistruar në këtë CD ishte i një niveli të lartë ndaj u quajt CD e artë.


Vjen viti 2003 kur debuton si kompozitor. I frymëzuar nga Gëte shkruan pjesën "The King of Alders", e cila ekzekutohet atë vit në Lalka Theatre në Varshavë.


Dy vjet më vonë ekzekutohet premierë pjesa e fundit që Drzewiecki shkroi: "Duo koncert për violinë, piano dhe orkestër". Me koncertet e tij ka inauguruar shumë ngjarje prestigjioze kulturore. Më 2004 ai hapi koncertet e sezonit me Orkestrën Simfonike "Yomiuri Nippon" në Kitara Hall, Japoni.


Një vit më vonë, në shkurt 2005, ai performoi me të njëjtën orkestër në Suntory Hall and Metropolitan Art Space në Tokio, nën drejtimin e Alexander Lazariev, një nga dirigjentët më të njohur në botë.

Repertori i tij përfshin 18 koncerte për piano, në të cilët ka bashkëpunuar me dirigjentë të mirënjohur Simon Young, Jury Alperten, Philippe Jordan, Volker Schmidt-Gertenbach, Michael Zilm, Fernando Lozano, Albert Kaiser.

E megjithatë Drzeëieck vazhdon të shkollohet. Aktualisht është student në
Akademinë e Muzikës në Varshavë nën udhëheqjen e Andrzej Jasinskit.


Kritika
Te Drzewiecki gjen Poloninë


"Talenti i tij është i mahnitshëm dhe duket që ai nxjerr çdo ngjyrim ndjenje nga muzika e kompozitorëve të mëdhenj për piano. Shopeni vodhi muzikën e rruzullit dhe e luajti atë në piano.


Drzewiecki mori shpirtin e pianos dhe e lidhi me tingujt e Polonisë, duke shprehur me muzikën e tij të gjithë krenarinë dhe shqetësimet e vendit të tij. Drzewiecki është njëri nga interpretuesit më të mëdhenj, dhe interpretimit i tij përmban gjithçka që çdonjeri pret në një shfaqje muzikore të Shopenit."


Alasdair Crobsy (The Jersey Evening Post)
Një mrekulli e natyrës


"Një mrekulli e natyrës, që filloi të luante që në moshën 4-vjeçare, krijoi në moshën 5-vjeçare, dhe udhëtoi nëpër botë në moshën 6-vjeçare, Drzewiecki është një artist i kompletuar.


Është kënaqësi të shohësh zhvillimin e talentit të tij dhe personalitetit të tij si muzikant, dhe kemi ende për të dëgjuar prej tij. Ai mund të luajë gjithçka: si muzikë antike dhe atë moderne. Ai ndihet rehat në repertorin e Shopenit, ai ka teoritë e tij edhe në interpretimin e muzikës së kohës."
Maja Trochimczyk, "Polish Daily Neës"


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›