E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rritje me 34% e aplikimeve për vërtetim xhiroje në e-Albania gjatë vitit 2025

TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Bizneset shqiptare po përdorin gjithnjë e më shumë rrugët digjitale për t’u pajisur me dokumentacionin e nevojshëm ligjor dhe financiar.

Një nga shërbimet më të kërkuara në platformën “e-Albania” është ai për vërtetimin e xhiros për tre vitet e fundit, dokument që tashmë gjenerohet automatikisht dhe me vulë elektronike.

Sipas të dhënave zyrtare, që prej vitit 2017 janë realizuar gjithsej 353.711 aplikime online për këtë shërbim.

Vetëm gjatë 8 muajve të parë të vitit 2025, janë regjistruar 125.924 aplikime, një rritje me 34% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ku u shënuan 93.961 aplikime.

Ky trend rritjeje është një tregues i qartë i rritjes së besimit dhe përdorimit të shërbimeve elektronike nga bizneset, si dhe i eficiencës që ofron platforma në lehtësimin e procedurave burokratike.

Sipas statistikave, mesatarja vjetore e aplikimeve për këtë dokument arrin në rreth 140 mijë, duke e renditur atë ndër shërbimet më të përdorura në “e-Albania” nga subjektet ekonomike në vend.

Ky dokument është thelbësor për aplikime në tendera, kredi bankare, apo marrëdhënie me institucione të tjera publike e private, çka e bën digjitalizimin e tij një lehtësi të rëndësishme për sipërmarrësit.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›