E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baloteli: Ky derbi, më i mirë se Real-Barcelona

Mario Baloteli duket se ka ndryshuar shumë kohët e fundit, teksa ka nisur të shënojë rregullisht për Mançester Sitin, por edhe të mos ketë probleme jashtë fushe që zakonisht e kanë vënë në qendër të vëmendjes. Në prag të supersfidës së të dielës, tifozët e Sitit presin një Super Mario në formë, i aftë të bëjë diferencën në zonën e Mançester Junajtid.

“Do ta shihni që ky derbi ka për të qenë më i ndjekur dhe më emocionues se klasikja mes Realit e Barcelonës, por edhe derbi mes Milanit e Interit, - deklaroi ai. – Ju siguroj se shumë shpejt do të jetë një nga derbet më prestigjioze në nivelin botëror”. Ekuilibri që ka gjetur Baloteli kohët e fundit ka tërhequr shumë vëmendjen e mediave. “Me Mançinin ndjehem shumë mirë. E njoh prej shumë kohësh dhe është një menaxher i shkëlqyer. Ka besuar gjithnjë te mua, madje edhe atëherë kur askush në Angli nuk e ka bërë. Unë nuk kam ndryshuar mënyrën e të jetuarit, por disa gjëra të vogla. Tani jetoj jashë qytetit dhe jam i lumtur, ndonëse moti ende ta shpif”, deklaroi Baloteli.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›