E Diel, 1 Nëntor 2026

Balta përçarëse e LSI-së

Një skenografi e bukur, një sallë e mbushur plot. Një raport i mirë mes burrash, grash e të rinjsh, të shpërndarë në sallë nën kujdesin e një regjie televizive. Por, nëse do të ngresh volumin e zërit, do të kuptosh se eleganca e pallatit të Teatrit të Operas, pak lidhje kish me ashpërsinë e gjuhës së përdorur.

Ka qenë java e një sulmi frontal, ku e gjithë kryesia e LSI është rreshtuar për të hedhur baltë, në fillim mbi reformën zgjedhore, e më pas mbi PS.

LSI, i është larguar dukshëm këto ditë argumenteve, logjikës dhe parimeve, për t'ia lënë vendin një gjuhe që pak lidhje ka me përfaqësimin e qytetarisë në Parlament. Pikërisht, prandaj vlen që, në vend të një kundërpërgjigjeje me të njëjtën monedhë, të analizohet thelbi i shumatoreve të fjalëve të Ilir Metës.

Prej një kohe relativisht të gjatë tashmë, Meta i referohet kryetarit të Partisë Socialiste me termin "kryetar i radhës", duke dashur të lërë të kuptojë se Rama është vetëm një fazë kalimtare për PS. Por pa dashje, Meta bën dy gabime. Së pari, fakti që Rama është thjesht një "kryetar i radhës" i partisë më të madhe opozitare nuk përbën asgjë të çuditshme, pasi ashtu siç ndodh rëndom kudo në Europë, krerët e partive të mëdha udhëheqin partinë për sa kohë janë fitues në zgjedhje dhe në rast humbjeje dinë t'ia lënë stafetën politikanëve të tjerë. Ndaj, fakti që Rama e drejton Partinë Socialiste prej vetëm dy vjetëve dhe në një të ardhme, në varësi të rezultateve zgjedhore, kjo parti do mund të ketë një kryetar tjetër, është gjëja më normale që mund dhe madje duhet inkurajuar të ndodhë në çdo parti. Nga ana tjetër, nëse aludimi i mësipërm buron nga Meta, ndodh automatikisht një kombinim mes identitetit dhe të shkuarës së Metës dhe frazës "kryetar i radhës". Krejt natyrshëm shfaqet dhe diferenca; Meta, ndryshe nga Rama, nuk është kryetar i radhës i LSI, ashtu si më parë nuk ka pranuar të jetë një Kryeministër i radhës i PS. Tenton me çdo kusht të jetë i përhershëm? Pikërisht, prandaj argumenti i "kryetarit të radhës" që Meta po tenton të përdorë kundër Ramës, rrezikon të kthehet në një bumerang, duke përforcuar idenë se partia e Metës, më shumë se si një forcë politike, drejtohet si një kompani private me një numër të vogël aksionerësh.

Akuza tjetër e LSI, është se Rama po bashkëpunon me Berishën për të ndryshuar reformën zgjedhore. Edhe në këtë argument, ka disa momente të cilat nuk flasin në favor të Metës. Së pari, nevoja që sistemi zgjedhor në Shqipëri të ndryshojë është reale, dhe është artikuluar, jo pak herë, edhe nga vetë Meta. Ndaj, parë në këtë prizëm, negociatat mes PD dhe PS mbështeten në një kërkesë legjitime, që ka ardhur nga të gjithë aktorët e përfshirë në politikë, të cilët nuk mbajnë më shpresa tek "Dushku" për t'u përfaqësuar në Kuvend. Në të njëjtën kohë, edhe fakti që negociatat kryesore zhvillohet mes dy partive më të mëdha është gjithashtu brenda rregullave të lojës. Nëse dy lojtarët kryesorë nuk do të binin dakord për rregullat, atëherë nuk do të kishte lojë. Ndaj, edhe pse mirë do të kish qenë që të gjithë t'i pëlqenin rregullat, pa filluar ende loja, parakusht është që këto rregulla të pranohen në fillim nga lojtarët kryesorë, ata të cilët, në fund të fundit, kanë dhe peshën më të madhe për të pranuar apo delegjitimuar rezultatet e zgjedhjeve.

Përveç argumenteve logjikë, ekziston edhe të paktën një argument moral, që shkon në disfavor të Ilir Metës: Bashkimi i votave të LSI dhe PD, për shkarkimin e kreut të Këshillit Bashkiak në Fier. Edhe pse në pamje të parë duket diçka e parëndësishme, aleanca lokale LSI-PD tregon në radhë të parë se, për Metën nuk është e rëndësishme partneri tjetër i një marrëveshjeje, por rezultati pragmatik që kjo marrëveshje jep. Kësisoj, Meta mund të bëj pakt me Berishën për të emëruar në krye të Ujësjellësit të qytetit një "të tij", por kur vjen puna për reforma të domosdoshme që nuk shkojnë në favor të Metës, socialistët tregohen me gisht si tradhtarë.

Për të vënë pikat mbi "i", duhet thënë se ndryshe nga negociatat e mëparshme të kryera mes të majtëve dhe të djathtëve ato të reformës zgjedhore mbartin një nivel më të madh transparence, qoftë brenda kampeve politike, qoftë në raport me publikun. Ndryshe nga raste të mëparshme, kur negociatat kryheshin fshehurazi dhe më pas kurorëzoheshin, procesi i reformës zgjedhore ka ndjekur rrugë kushtetuese, duke respektuar plotësisht institucionet.

Reforma që propozohet nga dy partitë e mëdha shihet nga Meta si një reformë jodemokratike. Së pari, përkufizimi jo demokratik, nuk mund të përdoret për aq kohë sa sistemi proporcional rajonal përdoret prej vitesh në shumë vende demokratike. Ajo çka mund të debatohet është nëse ky sistem i shkon për shtat Shqipërisë. Duke patur parasysh se në vendin tonë, historia e zgjedhjeve ka treguar se sa më kompleks është sistemi aq më shumë rriten mundësitë për ta manipuluar atë; është normale që të kërkohet një sistem sa më i thjeshtë. Nëse sistemi mazhoritar i pastër, do sillte automatikisht në parlament vetëm përfaqësues të dy partive, në rastin e proporcionalit kombëtar do të humbte tërësisht lidhja mes përfaqësuesve dhe të përfaqësuarve, mes deputetëve dhe votuesve. Ndaj dhe sistemi proporcional rajonal, edhe pse jo sistemi ideal e pa asnjë të metë, është sistemi më i përshtatshëm, pasi ofron thjeshtësinë e kërkuar, mundësinë që në parlament të përfaqësohen më shumë se vetëm dy parti dhe sigurisht, krijimin e lidhjes së domosdoshme mes deputetëve dhe zgjedhësve.

Një pjesë tjetër e debatit mbi reformën zgjedhore është edhe diskutimi mes listave të hapura dhe atyre të përcaktuara. Nëse do duam që edhe në parlamentin e ri të ketë deputetë të cilëve kurrë nuk i dëgjohet zëri, (përveç rasteve kur godasin një gjyqtar futbolli apo rrahin një gazetar), mund të zgjedhim listat e hapura. Pasi përmes listave të hapura "tenderi" për përzgjedhjen e deputetëve funksionon fort mirë.

Qarkullon gjithmonë e më shumë ideja se këto sulme burojnë nga ambicia e Metës për t'u bërë Kryeministër. Nëse sulmet e Metës janë tashmë reale, mirë do të qe që burimi i tyre të mos ishte i tillë. Pasi në të kundërt, do të dukej sikur taktika e ndjekur nga kreu i LSI është "ose vepro ashtu siç them unë, ose hidhemi të gjithë në erë". Dhe kjo njëherë tashmë ka ndodhur.

*Marrë nga AGV - (Albanian Global Voices), faqe interneti që ofron hyrje në disa prej blogerave më të njohur shqiptarë dhe përpiqet të grumbullojë dhe amplifikojë bashkëbisedimin global shqip në internet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›