Rama-Topit: Mos dekreto Ligjin për Legalizimet
Kreu i selisë rozë vlerësoi se ligji ka vetëm qëllime politike, për t'u përdorur gjatë fushatave elektorale
TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i bën thirrje kreut të shtetit Bamir Topi që të mos dekretojë ligjin "Për disa shtesa në ligjin për legalizimin dhe urbanizimin e zonave informate". Në vazhdim të procesit të konsultimit "Me Dyer të Hapura", Fondacioni "Qemal Stafa" ia kushtoi mbledhjen e radhës pikërisht çështjes së pronësisë dhe informalitetit, ku kreu i PS-së, Edi Rama ka shprehur rezervat e veta për Ligjin e Legalizimeve të ndryshuar pak ditë më parë nga Kuvendi i Shqipërisë. "Ftoj Presidentin e Republikës, të mos e dekretojë paketën e ndryshimeve absurde me karakter thellësisht politik, me frymëzim tërësisht primitiv, bazuar vetëm e vetëm në nevojën e këtij pushteti për të mbledhur vota, duke manipuluar të gjithë qytetarët e këtij vendi, duke manipuluar edhe vetë ata që janë banorë të zonave informale dhe duke minuar në mënyrën më të papërgjegjshme të ardhmen tonë të përbashkët", - u shpreh kryesocialisti Rama gjatë fjalës së tij përshëndetëse në këtë takim, ku merrnin pjesë dhe ekspertë të fushës të angazhuar ose jo në politikë. Rama, në cilësinë edhe të kreut të Bashkisë së Tiranës e ka vlerësuar si të domosdoshëm realizimin e këtij procesi, por jo sipas zgjidhjes që ofron qeveria. Sipas tij, zgjidhja që ka ofruar shumica si në ligjin bazë, ashtu edhe me ndryshimet e reja të bëra në ligj, nuk krijon mundësi për zgjidhje përfundimtare të kësaj çështjeje, pasi lë të hapur një konflikt midis të ardhurve dhe pronarëve të vërtetë. I bindur në pamundësinë e zbatimit të këtij ligji, kreu i selisë rozë ka vlerësuar se ai ka vetëm qëllime politike, për t'u përdorur gjatë fushatave elektorale si një kartë për të fituar zgjedhjet. Rama nuk ka ngurruar që të cilësojë pasojë të kësaj politike të gabuar të qeverisjes edhe dëmet e mëdha të shkaktuara nga tragjedia e Gërdecit. Ndërtimi pa kriter dhe i pakontrolluar nga shteti, sipas tij, bëri që shumë qytetarë shqiptarë të investojnë paratë e tyre pranë një rreziku të tillë, siç ishte reparti ushtarak i Gërdecit. Ndërkohë që drejtori Ekzekutiv i Fondacionit "Qemal Stafa", Saimir Tahiri, duke folur në këtë tryezë, vuri në dukje se ndryshimi i shpeshtë i ligjit të legalizimeve tregon qartë dështimin e politikave të qeverisjes në këtë drejtim.