E Shtunë, 31 Tetor 2026

ZMQ: Zgjedhja e Presidentit nga populli

 

Në sondazhin e realizuar nga ZMQ, ekzekutivi është shume larg institucioneve tek të cilat qytetarët kanë besim

TIRANË- Përpos qëndrimit të Partisë Demokratike për të shmangur mandatin e ardhshëm, zgjedhjen e Presidentit nga populli, sondazhi më i fundit i organizuar nga Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve vërteton se pjesa më e madhe e shqiptarëve kërkojnë të kundërtën. Pikërisht në një sondazh të kryer nga ZMQ, qytetarët e pyetur kërkojnë që pjesë e debatit për reformën, të jetë edhe zgjedhja e Presidentit nga Populli. Përmes sondazhit të realizuar, duket qartë se qytetarët kërkojnë me ngulm që të jenë pjesë e vendimmarrjeve kryesore, që nga zgjedhja e Presidentit nga populli e deri tek mënyra e leximit të votës. Reforma zgjedhore

Në sondazhin e realizuar, vërtetohet se ka një rënie të gatishmërisë së qytetarëve për të votuar, ndërkohë që shfaqin interes shumë më të madh për t'u përfshirë në zgjedhjen e presidentit, reformën në drejtësi dhe sistemin zgjedhor. Nga tabelat e pyetësorëve të bërë publike dje nga ZMQ evidentohet se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të pyetur janë pro sistemi mazhoritar dhe jo asaj të miratuar pak ditë më parë, sistemit proporcional rajonal. Rreth 36% e të pyeturve janë pro sistemit mazhoritar, duke i dhënë rëndësi në këtë mënyrë përzgjedhjes së kandidatëve si ndikim në procesin zgjedhor, ndërkohe që 17% janë për proporcional-rajonal dhe 18% për proporcional-kombëtar. Ndërkohë, shumica e qytetarëve të pyetur, nuk kanë besim se sistemi zgjedhor është garant i votës së lirë.

Reforma në drejtësi

Shqiptarët vazhdojnë të mos kenë besim tek drejtësia, duke e cilësuar atë si jo të pavarur, 61% e të pyeturve. Ndërkohë ekzekutivi duket shumë larg institucioneve tek të cilat qytetarët kanë besim. Kështu, institucioni më i besueshëm për 32% e të pyeturve është Presidenca, e ndjekur më pas nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me 26% dhe Prokuroria, me 12%, ndërsa besimi tek Ministria e Drejtësisë është vetëm me 9%. Qytetarët besojnë se reforma në drejtësi është e rëndësishme në forcimin e shtetit ligjor. Elementet kryesore që, sipas qytetarëve të pyetur, do të ndikonin në një reformë të mirë janë: konsensusi politik midis palëve; gjithëpërfshirja e palëve të interesuara; koha me e gjatë në hartimin e reformës. Për qytetarët është e rëndësishme që reforma të përqendrohet në përmirësimin e shërbimeve në gjykata, prokurori etj., dhe rritja e llogaridhënies ndaj publikut.

Qytetarët nuk besojnë se reformat do të kenë jetëgjatësi

Shqiptarët: Politika, jo e interesuar për reformat

TIRANË- Përpjekjet e qeverisë për realizimin e reformave kanë mbetur vetëm në letër. Kjo është e dukshme edhe për qytetarët, ku pjesa më e madhe e tyre mendojnë se klasa politike nuk është e interesuar për kryerjen e tyre sa më shpejt dhe sa më mirë. Kështu sipas rezultateve të ofruara nga ZMQ, 55% nga qytetarët e pyetur shprehen se klasa politike nuk është e interesuar për reformat. Po ashtu, ata janë skeptikë edhe për rezultatet e reformave. 61% e tyre nuk janë dakord për mënyrën se si po kryhet procesi i reformave ndërkohë që kanë dijeni shumë të pakët për draftet që lidhen me zbatimin e tyre, 51%. Ndërkohë, 54% nga qytetarët e pyetur besojnë se reformat nuk do të kenë jetëgjatësi. ZMQ i është drejtuar drejtpërsëdrejti qytetarëve, të shprehin me zërin e tyre atë që ata mendojnë në lidhje me diskutimin mbi reformat, për të kuptuar se sa larg nevojave të tyre qëndron politika shqiptare. Pikërisht, përmes sondazhit të realizuar, ashtu siç u shprehën edhe përfaqësuesit e ZMQ-së, shqiptarët nuk e ndjejnë veten të përfshirë në procesin e diskutimit dhe vendimmarrjes mbi reformat, nga ku rrjedh edhe përfundimi tjetër, se ata nuk besojnë se këto reforma do të kenë jetëgjatësi dhe se ato bëhen me qëllim konsolidimin e shtetit ligjor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›