E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fizikantët: S’po kontrollohet trafiku i lëndëve bërthamore

• Reformimi i strukturave të kërkimit shkencor pas shkrirjes së Akademisë së Shkencave ka ngecur keq.

zirina llambro

 Janë shkelur me të dyja këmbët vendimet e qeverisë, të marra disa muaj më parë. Shumë bujë u bë për këtë proces, por faktet dëshmojnë të kundërtën. Punonjës që nuk e dinë në i ka kapur reforma, pa paga që prej disa muajsh. Veç kësaj, paralizim i të gjithë veprimtarisë kërkimore, të cilën qeveria e ka quajtur si një nga prioritetet e saj për zhvillimin e vendit. Stafi i ish-Institutit të Fizikës Bërthamore, i cili analizon materialet me rrezik ndërkombëtar e jo vetëm kombëtar i është drejtuar kryeministrit me një letër publike duke i kërkuar të ndërhyjë për të zgjidhur problemin e krijuar. “ I nderuari z. Kryeministër, në kuadrin e reformimit të strukturave të sistemit të kërkimit shkencor në vendin tonë, Instituti i Fizikës Bërthamore në Akademinë e Shkencave u transformua në Qendrën e Fizikës Bërthamore të Zbatuar, (QEFIB) pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës (VKM nr. 563, dt. 22. 08. 2007). Në bazë të VKM nr. 661, dt. 18. 10. 2007, pika 1, i gjithë ky proces duhej të kishte përfunduar brenda datës 31. 12. 2007”, thuhet në letër. Sipas profesorëve të qendrës, për fat të keq, asnjëri nga këta vendime nuk u zbatua. Pasojat e paaftësisë, papërgjegjshmërisë së organizmave të caktuara kanë qenë jashtëzakonisht të rënda. “Megjithëse është hartuar një plan pune i vitit 2008 me një numër studimesh e projektesh, shumë nga të cilët me kooperimin,  mbështetjen financiare apo rekomandimet këmbëngulëse të organizatave të rëndësishme të vendit e botës, qendrës sonë nuk i është caktuar buxhet për asnjë nga veprimtaritë më minimale, që garantojnë ekzistencën normale dhe operativitetin e një institucioni (ujë, energji, telefon, transport”, theksohet në letrën drejtuar kryeministrit. Si rezultat, tashmë janë paralizuar plotësisht veprimtaritë e këtij instituti në luftën e zbulimit, luftimit të trafikut ilegal të materialeve bërthamore, që përbën prioritet ndërkombëtar dhe detyrim shtetëror për luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar; kontrollin dozimetrik të 600 punonjësve në shkallë vendi, që punojnë me rrezatime bërthamore jonizuese, duke rrezikuar seriozisht sigurinë dhe shëndetin e tyre; ruajtjen fizike të materialeve radioaktive e bërthamore, duke i bërë potencialisht synime të planeve kriminale dhe terroriste; gatishmërinë e rrjetit nacional të monitorimit e të përgjigjes ndaj emergjencave të mundshme radiologjike të çdo shkalle. Punonjësit theksojnë se,  është gjetur, nga struktura të posaçme, një mekanizëm “ligjor” për t’i shkelur “ligjërisht” përcaktimet e bëra në vendim të Këshillit të Ministrave. “Kjo u arrit me hartimin e një kontrate njëmujore me gjithë punonjësit e qendrës, në skadim të së cilës (më 30 prill 2008) punëdhënësi (Rektori i UT) deklaron se, nuk mban më asnjë përgjegjësi për ata që duhet të lënë vendet e tyre të punës. Kështu, punonjësit u përfshinë në kontrata shtesë pa asistencë juridike”, shprehen punonjësit. Por megjithatë sërish 53 punonjësit aktualë të qendrës janë pa rroga që prej gati katër muajsh. “Të ndodhur në këtë gjendje absurde dhe të sigurt se Ju, z. Kryeministër, nuk keni fare dijeni ose, të paktën, nuk jeni informuar në mënyrë objektive për problemet tona e të qendrës sonë, kërkojmë: Heqjen urgjente të bllokadës së turpshme të bukës për familjet tona”, nënvizojnë specialistët. Ata kërkojnë gjithashtu zbatimin e VKM nr. 563, dt. 22. 08. 2007, për mekanizmin e përzgjedhjes së punonjësve që do të mbeten aktivë në qendër, shtyrjen e afatit për shkurtimin e numrit të punonjësve në kuadrin e reformës, në mënyrë që kjo procedurë të zbatohet konform përcaktimeve të Kodit të Punës (neni 151) dhe legjislacionit përkatës në fuqi.

Fjalori enciklopedik, 10 milionë për botimin

Për botimin e “Fjalorit enciklopedik shqiptar”, do të shpenzohen 10 milionë lekë. Qeveria vendosi dje shtesën e fondit për Akademinë e Shkencave: “Akademisë së Shkencave, në buxhetin e vitit 2008, zëri “Shpenzime operative”, të shtohet fondi prej 10 milionë lekësh, për të përballuar shpenzimet për botimin e “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”, thuhet në vendim. Për botimin janë parashikuar 6.5 milionë lekë, ndërsa për paga dhe honorare 3.5 milionë lekë. Fjalori enciklopedik vjen për herë të parë në vendin tonë dhe për hartimin e tij janë dashur vite të tëra pune. Vepra përmban zëra për 2300 figura të shquara të historisë sonë kombëtare e me merita të veçanta. Ndërkaq në total bashkë me pjesën ndërkombëtare ai përmban 7500 zëra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›