Përgjegjshmëri a papërgjegjshmëri në qeverisje?
Përgjegjshmëria në qeverisjen e institucioneve dhe zyrtarëve shtetërorë është jo vetëm gur themeli i demokracisë, por edhe mekanizëm kryesor që siguron efektivitet të lartë në funksionimin e sektorit shtetëror. Zbatimi në praktikë i kritereve të përgjegjshmërisë në qeverisjen e shtetit demokratik është një sfidë madhore, e cila gërshetohet me luftën kundër korrupsionit. Prishja e qeverisjes vlerësohet sot nga shumë shkencëtarë si shkak kryesor i korrupsionit në vende në zhvillim. Kjo prishje e qeverisjes shtetërore i dedikohet mungesës së dhënies llogari të pushtetarëve para popullit. Qeverisja e qendërzuar te populli, nënkupton që çdo pushtetar të japë llogari sistematikisht para popullit. Kjo dhënie llogarie është shumëdimensionale, sepse edhe qeverisja në demokraci është shumëdimensionale.
Marrëdhënie matematike të rëndësishme ndërmjet përgjegjshmërisë në qeverisje dhe korrupsionit në shtete demokratike janë zbuluar përkatësisht në vitet 2002 dhe 2006 nga profesori i shquar amerikan Robert E. Klitgaard, dhe nga ne.
Një veprimtari njerëzore, pavarësisht nëse ajo është shtetërore, private ose jofitimprurëse dhe pavarësisht nëse ajo zhvillohet në Amerikë, Francë, Gjermani, Itali, Hungari, Bullgari, Greqi ose Shqipëri, ka prirje të bëhet e korruptuar në qoftë se një person ose një grup njerëzish ka monopolizuar fuqinë mbi një mall ose shërbim, gëzon lirinë e gjykimit dhe të veprimit për të vendosur ofertën dhe kërkesën e këtij malli ose shërbimi dhe ky person, ose grup njerëzish, nuk mban përgjegjësi për zhvillimin e veprimtarisë. Në kuptim metaforik, korrupsioni shprehet me formulën elegante të Klitgaard-it: K = M + L - P, ku K tregon korrupsionin, M monopolizimin e fuqisë, L lirinë e gjykimit dhe veprimit, ndërsa P-ja përgjegjshmërinë. Një rast i veçantë, i studiuar nga Prof.Klitgaard dhe bashkëpunëtorë të tij, është korrupsioni në shtete në tranzicion, kur korrelacioni në pushtet dhe ai opozitar janë përkohësisht të pafuqishme (për shkaqe të ndryshme) për të çrrënjosur korrupsionin politik ose në sistemin e drejtësisë, etj. Ky rast paraqet interes edhe për Shqipërinë.
Zbulimi i korrupsionit të nëpunësve shtetërorë, i bazuar në monitorimin e veprimtarisë së tyre me ndihmën e indikatorëve të korrupsionit, është një metodë shkencore e cila harmonizon arritje bashkëkohore të Kërkimit Shkencor në Kriminologji me Teorinë e Probabilitetit dhe Statistikën Matematike. Ne kemi zhvilluar një model matematik për të llogaritur probabilitetin e zbulimit të korrupsionit të çdo nëpunësi shtetëror. Kjo metodë shkencore e zbulimit të korrupsionit është e fuqishme sepse zbatohet në çdo fushë të veprimtarisë njerëzore (në politikë, ekonomi, sistemin e drejtësisë, sistemin e arsimit, sistemin e shëndetësisë, sistemin e mbrojtjes etj.), duke ndëshkuar konform ligjit zyrtarë të korruptuar, pavarësisht nga bindjet politike, pozita shoqërore, seksi, mosha, etj. Nëpunës me ndërgjegje të sëmurë do të kenë frikë të kryejnë korrupsion, sepse veprimtaria e secilit do të monitorohet me anën e indikatorëve të korrupsionit. Zbatimi në praktikë i këtij studimi do të mundësojë, brenda 5-10 vitesh, ndryshimin e konceptimit të korrupsionit nga "një veprimtari me rrezik të vogël dhe përfitim të madh" në "një veprimtari të rrezikshme dhe pa përfitim". A do të pranojnë Presidenti, Kryetarja e Kuvendit, Kryeministri, deputetët tanë, Prokurorja e Përgjithshme, etj., që puna ose sjellja e secilit prej tyre të monitorohet me anën e indikatorëve të korrupsionit? Theksojmë se ky monitorim është transparencë më e plotë se deklarimi i pasurive të pushtetarëve në Komisionin (institucionin) përkatës.
Karl Popper, David Brin dhe Helmut Druke kanë theksuar se përgjegjshmëria është parim bazë në qeverisjen e shoqërive demokratike. "Vetëm duke këmbëngulur në përgjegjshmërinë ne u kujtojmë vazhdimisht Kryeministrit, Ministrave dhe Deputetëve në shtete demokratikë se ata janë, në radhë të parë, shërbëtorë të popullit". Në qoftë se politikanët dhe pushtetarët kryesorë udhëhiqen nga dëshira për t'u pasuruar (me anën e aktiviteteve korruptive ose jokorruptive), atëherë ata bëjnë mëkat të pafalshëm ndaj popullit. Ndryshimet e qeverive në shtete demokratike në tranzicion janë shoqëruar shpeshherë me rritjen e presionit popullor për ndëshkimin e ish-ministrave, kryebashkiakëve, prokurorëve ose gjyqtarëve të korruptuar.
Sipas shkencëtarit të shquar A.Shah (v.2007), në shtetet demokratike bashkëkohore vlejnë kriteret e mëposhtme: Qeverisja e mirë ka përgjegjshmëri të lartë / Qeverisja e keqe ka përgjegjshmëri të ulët. Niveli i korrupsioni varet nga cilësia e qeverisjes. Korrupsioni politik është simptomë e qeverisjes së papërgjegjshme dhe të dështuar.
Shkencëtarët kanë zbuluar se burimet kryesore të papërgjegjshmërisë në qeverisjen e shteteve demokratike janë: Moszbatimi i ligjeve dhe rregullave të punës nga disa ministra; kapja e disa ministrave nga krimi i organizuar, mafia ose korrupsioni; tendencioziteti (paramendimi) i disa ministrave për të favorizuar grupe të caktuara; paaftësia profesionale e disa ministrave, që pasqyrohet kryesisht në efektivitetin e ulët dhe rendimentin e ulët të institucioneve të drejtuara prej tyre.
Shkaktarë kryesorë të qeverisjes së keqe janë ministra, liderë politikë ose deputetë të korruptuar. Këta persona mund të venë gjoba marramendëse ndaj disa bizneseve të fuqishme të huaja ose vendase. Ka disa mënyra të aferave korruptive: duke bashkëpunuar me kompani private për të siguruar fitime të mëdha, duke lëshuar leje ose licenca, duke mbrojtur biznese të paligjshme, duke penguar konkurrencën e lirë dhe të ndershme, duke u pozicionuar padrejtësisht kundër disa kompanive private të huaja ose vendase, duke zhvilluar tendera jo korrektësisht, duke shpëtuar nga falimentimi disa kompani, etj.
Në Amerikë zbatohet ky kriter: Përgjegjshmëria vlerësohet "e gjelbër" në qoftë se Qeveria i realizon me sukses të gjitha objektivat kryesore të saj; "e verdhë" në qoftë se qeveria realizon me sukses disa objektiva kryesore dhe "e kuqe" në qoftë se qeveria dështon në realizimin e ndonjë objektivi kryesor. Lexuesi bën dallimin ndërmjet koncepteve "realizim i suksesshëm", "realizim i pjesshëm" dhe "dështim". Një parim bazë i demokracisë është ky: Para së gjithash, i takon popullit të vlerësojë me objektivitet përgjegjshmërinë e qeverisë dhe realizimin e programeve qeveritare.
*Bashkautor, Ll.M.Eniel Kolaneci