E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush ka pagë mbi 14 mijë lekë, do të paguajë tokën me çmimin e tregut

• Qeveria ka miratuar dje kriteret e shitjes së truallit për familjet e pastreha.

 Sipas kritereve të miratuara nga Këshilli i Ministrave për familjet e pastreha me pagë mbi 14 mijë lekë në muaj që përfitojnë banesë me kosto të ulët, çmimin e truallit do ta paguajnë sipas vlerës së tregut. Ndërsa për qytetet, të cilat nuk është miratuar ende vlera e truallit, të përdoren për referencë vlerat e qytetit më të afërt. Për familjet me të ardhura, për frymë, nga 9 mijë lekë deri në 14 mijë, çmimi i shitjes së truallit të jetë sa 50 për qind e çmimit të tregut. Kurse për familjet me të ardhura nën 9 mijë lekë, qeveria ka vendosur që të mos u marrë asnjë lek për çmimin e truallit. Ndërtimi i banesave me kosto të ulët për familjet e pastreha ka qenë edhe një ndër premtimet elektorale të qeverisë demokrate. Sipas premtimit të bërë nga demokratët, deri në fund të mandatit të tyre 4-vjeçar do të përfundojnë së ndërtuari 4 mijë apartamente për të pastrehët. Me këtë kontingjent apartamentesh, zgjidhen rreth 70% të problemeve më të mëdha që ka Tirana, ndërkohë me statusin e të pastrehëve janë rreth 3600 familje. Nga ndërtimi i këtyre banesave pritet të përfitojnë 9 bashki, konkretisht: ato të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Elbasanit, Fierit, Beratit, Kavajës dhe Peshkopisë. Pjesën më të madhe e ka Bashkia e Tiranës dhe e Durrësit, si dy bashkitë  që kanë numrin më të madh dhe të të pastrehëve, dhe të popullsisë në përgjithësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›