Bambi, më i përforcuari
Të enjten ka përfunduar mini-afati kalimtar për basketbollistë, gjatë të cilit në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) klubet kosovare i kanë bërë 14 kërkesa për regjistrimin e përforcimeve të tyre.
Ekipi serb nga veriu i Mitrovicës, Bambi është më i përforcuari gjatë këtij mini-afati kalimtar, për dallim prej ekipeve tjera të Superligës. Kjo skuadër ka parashtruar kërkesë në FBK për t’i regjistruar katër basketbollistë: Nenad Stojanoviç, Dejan Bjeliç, Dushan Vuletiç dhe Milos Martinoviç.
Ndërsa kampioni vjeshtor, Sigal Prishtina është përforcuar me Blerim Mazrekun dhe Elvan Ilazin. Dy përforcime i ka bërë edhe Bashkimi, i cili zhgënjeu në pjesën e parë të kampionatit. Ekipi prizrenas është përforcuar me dy lojtarët amerikanë, Samuel Liggins dhe Zackary Atkinson.
Kurse Kolegji EuroSport është përforcuar me ish lojtarin e Sigal Prishtinës, Enver Dili. Ekipi prishtinas në atë të Bardhoshit i ka huazuar edhe këta dy basketbollistë: Berti Bihina dhe Driton Bajrami. Bardhekaltrit po ashtu në Kosovën e Vushtrrisë e kanë huazuar Granit Makollin. Kastrioti i Ligës së parë është përforcuar me Ahmed Jahan dhe Muhamed Berishën.
Ndërkohë, në konkurrencën e femrave është bërë vetëm një lëvizje. Fjala është për Iliriana Berishën, e cila nga Bashkimi ka kaluar te Penza. FBK-ja nëpërmjet një kumtese për media ka njoftuar se të gjitha këto kërkesa do t’i shqyrtojë Komisioni për Kalim dhe Regjistrim.