E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, pranë Orebros

Valdet Rama mund t’i bashkohet Orebros në fundjavë. Sulmuesi kosovar ka marrë një ofertë të mirë nga klubi suedez, të cilën vështirë se mund ta refuzojë. Nëse shkon në Orebro, 23 vjeçari premton se do ta japë maksimumin. Në klubin suedez, përfaqësuesi kosovar do ta ketë mundësinë të luajë në vazhdimësi. Nga Moral Pozhegu moral.pozhegu@gazetaexpress.com më 18 shkurt 2011 në ora 12:00

Mungon vetëm zyrtarizimi, por Valdet Rama mund të bëhet shumë shpejt lojtar i ri i Orebros. Sulmuesi kosovar i Hannoverit e ka marrë një ofertë të mirë nga klubi suedez, të cilit do t’ia japë përgjigjen definitive të shtunën ose të dielën.

Dhe, sipas të gjitha gjasave, kjo përgjigje do të jetë pozitive, pasi që 23 vjeçari ka nevojë për të luajtur në vazhdimësi, të cilën mundësi e ka të mohuar te klubi gjerman, pasi trajneri Mirko Slomka nuk e preferon sulmuesin me prejardhje nga Mitrovica, të cilin përveç që nuk e ka inkuadruar në lojë, rrallëherë e ka ftuar edhe në 18-sh.

“Jemi duke biseduar me menaxherët e mi dhe me familjen. Kemi marrë një ofertë të mirë nga Orebro. Duke e ditur se situatën nuk e kam dhe aq të mirë në Hannover, mendoj se klubi suedez do të ishte ideal për mua për momentin. Madje, ky klub luan edhe në garat evropiane”, deklaroi Rama për Express.

Orebro e ka përgatitur një ofertë për dy vjet e gjysmë ose tri vjet, por përfaqësuesit e futbollistit kosovar preferojnë një kontratë më të shkurtër. Objektiv i Ramës është që të luajë një vit rregullisht në Orebro, e më pas të shikojë për ndonjë ofertë më të mirë.

“Unë nuk di shumë për kampionatin suedez, por kam marrë fjalë të mira. Në Suedi gjendet trajneri im Albert Bunjaku, pastaj ka edhe futbollistë shqiptarë. Nëse shkoj në Orebro, do ta jap 100 përqindëshin tim, pasi kam nevojë për të luajtur. Trajneri Slomka nuk më inkuadron asnjëherë në lojë, nuk e di arsyen, edhe pse e kam kërkuar atë nga trajneri. Më vjen shumë rëndë ta them, por duket se ka ardhur koha të largohem”, vazhdoi Rama.

Edhe menaxheri i futbollistit kosovar, Bjorn Bezemer, insiston se Rama meriton të luajë rregullisht, duke mos e përjashtuar kështu mundësinë që asistuesi i tij t’i bashkohet klubit suedez.

“Valdeti është një sulmues me përvojë që luan në Bundesliga. Është nga Kosova, por i rritur në Gjermani. Posedon dribling, është i shpejtë dhe agresiv. Tashmë e ka zhvilluar edhe lojën e tij defanziv”, u shpreh Bezemer për ueb faqen fotboll.expressen.se.

Bezemer e ka pranuar se palët kanë krijuar raporte të mira, gjë që do ta lehtësojë punën e këtij transferimi, për të cilin ai tregon se nuk do të jetë në formë huazimi. Përpos Orebros, ky menaxher shpjegon se për Ramën ka oferta edhe nga disa klube gjermane, por edhe nga skuadrat tjera suedeze Malmo e Kalmar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›