Përforcohet KOK-u
Të mërkurën mbrëma në Prishtinë është mbajtur Asambleja e rregullt e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), në të cilën kanë marrë pjesë 66 delegatë, prej 89 sa numëron gjithsej Kuvendi i këtij institucioni.
Mirëpo, kjo Asamble e rregullt është ‘shndërruar’ edhe në Kuvend Zgjedhor, pasi delegatët me vota të fshehta zgjodhën dy anëtarë të rinj për Komitetin Ekzekutiv, ndërsa dy anëtarë të tjerë pritet t’i zgjedhë në ditën në vijmë, sipas statutit, vetë presidenti i KOK-ut, Besim Hasani.
Në fakt, këta katër anëtarë të rinj do t’i mbulojnë pozitat që kanë mbetur bosh në Komitetin Ekzekutiv të KOK-ut, pas dorëheqjeve të Mexhit Devajës, Musa Selimit, Driton Kukës dhe Agim Ademit.
Kështu, Komiteti Ekzekutiv tani është përforcuar edhe me politikanë. Ministri në largim i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi me shumicë votash është zgjedhur anëtar i ri i Komitetit Ekzekutiv, sikurse edhe kryetari i Federatës së Mundjes së Kosovës, Naim Muja. Rexhepi në Kuvendin e KOK-ut ka hyrë nëpërmjet Federatës së Shenjëtarisë së Kosovës.
Ndërkohë, kandidat për këtë pozitë ishte edhe politikani tjetër kosovar, ish ministri i Sportit, Lutfi Haziri, i cili statusin e delegatit e ka fituar nëpërmjet Federatës së Kalërimit të Kosovës.
Mirëpo, Haziri nuk i fitoi votat e mjaftueshme për të hyrë në Komitetin Ekzekutiv. Por, Gazeta Express ka mësuar se Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani do ta shfrytëzojë të drejtën ekskluzive të tij, për ta futur edhe Hazirin në Komitetin Ekzekutiv të KOK-ut.
Po ashtu, në këtë organ, Hasani pritet ta inkuadrojë edhe kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, dhe në këtë mënyrë do të mbulohen pozitat boshe të Komitetit Ekzekutiv të KOK-ut.
Mësohet se dy politikanët kosovarë, Bajram Rexhepi dhe Lutfi Haziri janë joshur nga vetë Besim Hasani për t’u kyçur në KOK, sepse kryetari i këtij institucioni beson se Rexhepi dhe Haziri kanë ndikim në institucionet shtetërore për ta përkrahur më fort sportin kosovar.
Po ashtu, Rexhepi dhe Haziri janë figura të njohura edhe për ndërkombëtarët, andaj Hasani beson se të dy këta mund të ndikojnë në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të KOK-ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Edhe vetë Rexhepi, në një prononcim për Express konfirmoi se ka hyrë në KOK me qëllim që ta ndihmojë këtë institucion të ndërkombëtarizohet sa më parë.
“Tash kam edhe një obligim shtesë që ta përkrahi sportin kosovar. Përveç që do të mundohem ta përkrahi sportin në institucionet shtetërore, unë më tepër e kam marrë këtë detyrë që të ndihmoj në ndërkombëtarizimin e sportit”, deklaroi Rexhepi, i cili shprehu bindjen e tij se mund ta ndihmojë KOK-un në kë këtë drejtim.
“Unë kam një përvojë dhe kam emër, dhe në forma të ndryshme do të loboj dhe do ta shfrytëzoj çdo mundësi. Do të jem pjesë e delegacionit kosovar në pritjen e delegacioneve të huaja, por do të jem edhe pjesë e delegacionit tonë në shkuarje jashtë vendit. Mendoj se mund të kontribuoj në këtë drejtim”, theksoi ish kryeministri i Kosovës, i cili kujtoi se edhe vetë merret me sport.
Kjo ishte pika më e diskutueshme në këtë Asamble, pasi kishte edhe delegatë të atillë që nuk e preferonin përzierjen e politikanëve me sportin.
Njëherësh, Kuvendi aprovoi edhe raportin e punës dhe atë financiar të KOK-ut. Ndërkohë, edhe Besim Hasani e ka mbajtur një fjalim para delegatëve. Ai ka pohuar se sportin kosovar e pret edhe shumë punë për t’u bërë.
Hasani tërthorazi bëri me dije se ka marrë shenja nga ndërkombëtarët se këta të fundit do ta zbusin qëndrimin karshi ndërkombëtarizimit të sportit kosovar. Ai përsëriti se objektiv i KOK-ut mbetet pjesëmarrja e sportistëve tanë në Olimpiadën ‘Londra 2012’.
Katër Federata të reja anëtarësohen në KOK
Kosovës iu kanë shtuar edhe katër federata të reja sportive. Bëhet fjalë për Federatën e Shigjetarisë, Federatën e Kalërimit, Federatën Sportive të Punëtorëve dhe atë të Shkollave Sportive.
Këto Federata janë pranuar edhe në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), pasi për këtë kanë votuar delegatët e Asamblesë së këtij institucioni.
Mendohet se këto Federata do ta ndihmojnë KOK-un të inkuadrohet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, pasi federatat e lartpërmendura e kanë më lehtë të anëtarësohen në Federatat përkatëse ndërkombëtare. Deri më tani tri federata kosovar janë ndërkombëtarizuar me drejta të plota. Posa të ndërkombëtarizohen edhe dy tjera, atëherë KOK-ut i hapet rruga për aplikim për inkuadrim në KON.