Berisha: Kutitë nuk do hapen
ADI SHKEMBI
Kryeministri Sali Berisha reagon për grevën e urisë së deputetëve të opozitës, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të rrëzuar vendimet e gjykatave. Duke folur në një konferencë për shtyp në ditën Ndërkombëtare të Mediave, kreu i ekzekutivit ftoi sërish opozitën që të ulet në tryezën e bisedimeve për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit sipas Kushtetutës. "Më duhet të theksoj, se z.Rama ka ndërmarrë këtë veprim si një përpjekje për të përmbysur vendimet e gjykatave me mjete politike. Dhe kjo është në kundërshtim të hapur me themelet e një shoqërie të lirë. Vendimet e gjykatave, në çdo vend të lirë dhe në interesin më jetik të çdo qytetari, edhe të atyre që protestojnë, mund të ndryshohen vetëm në gjykata, me asnjë mjet tjetër", u shpreh Kryeministri. Sipas Kryeministrit Berisha, dy janë rrugët e zgjidhjes së krizës, dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese dhe Komisionin e Venecias, si dhe pjesëmarrja e opozitës në komisionin hetimor parlamentar. I pyetur mbi grevën e urisë së 22 deputetëve, një prej të cilëve, deputetja e Durrësit, Klodiana Spahiu u dërgua në spital, kreu i Qeverisë tha se detyrë e Qeverisë është garantimi i shërbimit shëndetësor dhe atij të sigurisë. "Ajo është zgjidhje vullnetare e gjithsecilit. Historia e vetëflijimeve është histori e gjatë sa vetë njerëzimi. Secili bën zgjedhjen e tij. Detyra ime është të jap gjithë mbështetjen humane, njerëzore, sepse çdo grevë ka dy aspekte: njerëzor dhe politik. Aspekti politik është tjetër gjë. Po të kishte të bënte me Qeverinë dhe jo me Gjykatën, ajo do të ishte zgjidhur 100 herë. Kur ka të bëjë me Gjykatën, ajo zgjidhet vetëm në rrugë gjyqësore", theksoi Berisha. Ndërkohë, që për zgjatjen e protestës së opozitës, përtej afatit për të cilin u kërkua leje, Kryeministri kishte një tjetër koment. "Unë kam për detyrë të respektoj çdo vendim që përputhet me themelet e një shteti demokratik. Ato i ka të pavarura. Dëshiron të qëndrojë aty, me rotacion, me rotacion, si të dojë. Kjo nuk është çështja ime. çështjet e mija janë: garantimi i shërbimit shëndetësor dhe garantimi i sigurisë së tyre", vijoi më tej Berisha. Sipas tij, "po të ishin në një sallë do të ishte më e thjeshtë. Këtu është një shesh, paguhen më shumë, është e paligjshme, sepse ka thyer një ligj, por shpresoj që gradualisht ta realizojë. Kodi Penal ka një nen që ndalon bllokimin e rrugëve. Mendoj që gjakftohtësisht ta analizojë këtë. Por, detyrat e mia janë këto që thashë". Në fund, Berisha vlerësoi punën e policisë gjatë këtyre ditëve, teksa i kujtoi opozitës se ka shkelur nenin 293 të Kodit Penal mbi bllokimin e rrugëve. Të njëjtin qëndrim, Berisha mbajti edhe në mbledhjen e grupit të PD-së, ku pasi u kërkoi deputetëve të dalin në bazë për të sqaruar elektoratin, shtoi se "kryetari i PS-së, Edi Rama kërkon të bëhet Kryeministër nga rruga".