E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakmarrja, historia e një bande me sfond politik

Nga “krijimi” në tetor të vitit 1996 tek dënimet maksimale të dhëna nga gjykata e Tiranës pak muaj më parë

TIRANË- “Hakmarrja për drejtësi” është një organizatë kriminale që ka nisur aktivitetin e saj gjatë viteve 1990. Ajo është akuzuar për shumë krime të rënda dhe akte terroriste. Në gusht të këtij viti gjykata i ka dhënë fund një procesi maratonë duke dënuar dy prej organizatorëve, Orik Shyti dhe Altin Arapi, me burgim të përjetshëm dhe të tjerët me dënime maksimale. Ata janë dënuar për 8 vrasje, 17 plagosje dhe 13 vjedhje të kryera gjatë viteve 1992 – 1996. Shumë krime të tjera që i janë atribuuar kësaj organizate kriminale nuk janë provuar dot në gjykatë. Historia e organizatës filloi pasditen e datës 12-tetor të vitit 1996, kur TVSH transmetoi lajmin se "në një apartament në qendër të Tiranës ishte zbuluar një arsenal i madh armësh". Lajm i cili shoqërohej me sekuenca filmike, që tregonin një arsenal armësh të llojeve të ndryshme, por, nuk thuhej asgjë për adresën ku ndodhej ky apartament dhe kujt i përkisnin dhe kush u arrestua për këto armë. Tre ditë më pas, mediat e asaj kohe njoftuan se "vrasja e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, akuzë kjo e cila më pas iu adresua anëtarëve të "Hakmarrjes për Drejtësië", ishte urdhëruar nga burgu i Bënçës. Në shkrimin e asaj kohë nuk identifikohet urdhëruesi, por, një gjë dihej se në atë kohë në burgun e Bënçës ndodheshin duke vuajtur ditët e burgut, ish-kryeministri Fatos Nano dhe ish-Ministri i Brendshëm në qeverinë e parë të Nanos, Aredin Shyti. Këtu filloi edhe dalja në skenë e emrave të parë të të akuzuarve si pjesëtarë të kësaj organizate. Më 16-tetor të vitit 1996, në një emision special doli para mediave Ministri i Brendshëm i asaj kohe, për të dhënë "haberin" se është zbuluar një "organizatë terroriste me karakter politik për të rrëzuar demokracinë", e krijuar në vitin 1992 nga Orik Shyti, djali i Aredin Shytit, ish-zv/ministër dhe Ministër i Brendshëm për periudhën janar-korrik 1991, i dënuar me 17-vjet heqje lirie me akuzën "vrasje me dashje indirekte" për ngjarjen e ndodhur në Shkodër më 2-prill 1991". Hetimi zgjati dy vjet dhe më 14 tetor 1998 u dërgua zyrtarisht çështja në gjykatë. Por që nga viti 1996 e deri më sot, kjo ka qenë edhe organizata “e preferuar” e kryeministrit Berisha. Ai ka dalë në dhjetëra konferenca shtypi duke akuzuar kundërshtarët politikë si të lidhur me organizatën. Asnjë nga akuzat e tij të shumta nuk është vërtetuar. Pas deklaratave të tij më të fundit të bëra në sallën e Kuvendit, vëllezërit Orik dhe Leart Shyti kanë reaguar me atë një letre që “Shekulli” po e boton të plotë.

ANËTARËT

Altin Arapi ka fituar azil politik në Belgjikë, prokuroria kërkoi dënimin e tij me burg të përjetshëm

Orik Shyti ka fituar azil politik në Zvicër, prokuroria kërkoi dënimin e tij me burgim të përjetshëm

Kreshnik Spahiu ka fituar azil politik në Zvicër, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 22 vjet burg

Nikolin Novruzaj, ka fituar azil politik në Holandë, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 24 vjet burg

Pasho Novruzaj ka fituar azil politikë në Holandë, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 21 vjet burg

Roland Shyti, në kërkim ndërkombëtar, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 25 vjet burg

Leart Shyti, në kërkim ndërkombëtar, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 22 vjet burg

Gentian Caka në kërkim ndërkombëtar, prokuroria kërkoi dënimin e tij me burgim të përjetshëm

Dritan Hate gjykohet në gjendje të lirë, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 21 vjet burg

Gëzim Gjoni, gjykohet në gjendje të lire, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 8 vjet burg

Berisha po na përdor për fushatë elektorale

Është mundim të ulesh të shkruash, sidomos për t’iu përgjigjur shpifjeve të Sali Berishës. Pasi heshti përgjatë tre vjetëve, dy muajt e fundit ka nisur të përdorë personalisht krijesën e tij “Hakmarrja Shqiptare e Drejtësisë”. Së pari e përdori në Kuvend për të “treguar” lidhjet e “Hakmarrjes” me opozitën dhe “tentativën” e përbashkët për të ndikuar në çështjen e të ndjerit Kosta Trebicka. Herën e dytë e përdori në fillim të këtij muaji, duke folur në TVSH. Ky rast iu duk i volitshëm për të pasuruar CV-në e tij edhe me një betejë tjetër të pabërë. Afërsisht tha: “Kur erdha në pushtet vendin e gjeta të pushtuar nga bandat, “Bllokun” e kishte pushtuar “Hakmarrja për Drejtësi”. Sali Berisha e filloi qeverisjen në shtator 2005, kur ne kishim më shumë se një vit që ishim legalë në vendet që jemi sot dhe, pikërisht, atë ditë ne iu drejtuam botërisht me një letër. Por Saliu, që e shet veten si lexues të thekur, nga “Don Kishoti” nuk ka mësuar gjë tjetër veçse të imitojë vetë personazhin, Don Kishotin.

Pas deklaratave që shqiptoi vetë, ka vënë zëdhënësin t’i lexojë shpifjet. Shpifjet bëjnë fjalë për pallatet “e ndërtuara” në Tiranë nga “Hakmarrja për Drejtësi”, për “kontributin” e Edi Ramës në larjen e parave të “Hakmarrjes” nëpërmjet lejeve të ndërtimit etj., të cilat, para korrikut 2008, i kanë lexuar me dhjetëra herë të gjithë pararendësit e zëdhënësit të sotëm.

Letra jonë e 12 shtatorit 2005, i kujtonte Kryeministrit shpifjet që kishte bërë Sali Berisha për pallatet e ndërtuara nga ne “me paratë e krimit” tek ish-kinema “17 Nëntori” etj.; i kërkonte kryeministrit Sali Berisha që të ushtronte kompetencat e tij ligjore dhe, brenda njëqind ditëve të para të qeverisjes, të sekuestronte të gjitha pronat tona dhe vlerën ta arkëtonte për fëmijët tropojanë, të mbetur jetimë për shkak të intrigave të tij kriminale.

Kaluan tre vjet dhe Sali Berisha nuk tha asnjë fjalë për pallatet dhe pronat e tjera të “Hakmarrjes”. Po përse “gojëlidhurit” iu zgjidh gjuha pas tre vjetësh? Po afrojnë zgjedhjet dhe “Hakmarrja...” është përdorur në çdo fushatë, mund të thotë shumëkush. Nuk është pa vend ky arsyetim, por ka një përjashtim që e kundërshton. Gjatë tre vjetëve të fundit u zhvilluan zgjedhjet për pushtetin vendor dhe “Hakmarrja...” nuk u përdor. Mospërdorimin në këtë fushatë nuk mund ta përligjë tretja morale nga përdorimi i tepërt, se Sali Berisha ka dhënë prova që nuk e njeh masën as kur shpif, as kur gënjen. Mospërdorimi nuk mund të shpjegohet as me faktin se në kohën e zhvillimit të zgjedhjeve vendore ne nuk ishim në Shqipëri. Kjo nuk mund të jetë arsye për të, sepse dihej, kaq mirë sa sot, që ne ndodheshim këtu ku jemi edhe në kohën që zëdhënësit e tij mbushnin Tiranën me shpifje se biznesmenin e ndjerë Lame e vrau “Hakmarrja...”; sepse dihej që nuk ishim në Shqipëri edhe atëherë kur thotë se çliroi “Bllokun” nga “Hakmarrja” etj. Është edhe më e pabesueshme që të mendosh se shkaku i heshtjes së gjatë qëndron tek turpi që e zuri ngaqë nuk i gjeti pallatet dhe pronat e “Hakmarrjes”. Është e pabesueshme sepse Sali Berisha nuk e njeh turpin.

Shkaku është tjetër. Çështja penale është duke u gjykuar në Gjykatën e Apelit. Qëllimi i Sali Berishës është të ushtrojë presion mbi gjyqtarët që, në mos më shumë, të lënë në fuqi dënimet, që arriti t’ia impononte gjykatës së Shkallës së Parë.

Dënimi ynë do të thotë të mbyllen njëherë e mirë disa krime, siç mbylli vrasjet e 2 prillit 1991. Po përmendim disa të vërteta:

1. Ne nuk e dimë se kush e vrau Arben Brocin dhe djemtë e tjerë në 2 prill 1991 në Shkodër, për të cilat Sali Berisha dënoi babanë tonë. Por dimë që ai ka dijeni se kush i ka bërë ato vrasje. Këtë e ka thënë vetë disa herë dhe ne, si shumë të tjerë, e kemi lexuar në gazetën e tij qysh më 19 gusht 1994 dhe në vazhdim, deri në vitin 1997. Për të mbyllur gojën e atyre që nuk i bindeshin, u kujtonte se ishin autorë të vrasjeve të bëra “para dhe në prag të 22 marsit 1992”. Edhe mund të ketë shpifur, por deri tani nuk ka thënë se ka shpifur.

2. Ne nuk e dimë a ka dorë Sali Berisha në shpërthimin e autobombës dhe vrasjen e drejtorit të Burgjeve, sikundër analistët shkruan në atë kohë, por e dimë se, për të dalë nga situata e vështirë që krijoi me duart e tij më 26 maj 1996 dhe në ditët që pasuan, vendosi që këto krime dhe të tjera duhet t’i ngarkoheshin një organizate kriminale, që emrin duhet ta kishte “Hakmarrja Shqiptare e Drejtësisë”. Zgjedhja e emrit të “organizatës” ishte me rëndësi për të, sepse duhet të përcillte besueshmëri në opinion për vërtetësinë e akuzave për përmbysje me dhunë të pushtetit të tij etj. dhe për lidhjet e tyre me “fajtorin” e ngjarjes së 2 prillit 1991. Këto nuk po i themi ne, por mediat e tij në datën 16 tetor 1996 dhe më pas, të cilat njoftuan opinionin se: “urdhri ishte dhënë nga Bënça” (në atë kohë atje ishte mbyllur babai ynë), “.. në krye të organizatës ka qenë kupola e vëllezërve Shyti, Leart dhe Orik Shyti, djemtë e Aredin Shytit... i dënuar për krimin e 2 prillit në Shkodër...”.

Nuk mund të themi se sa e kanë ndihmuar komplekset e gjyqit të “2 prillit” për të gjetur emrin “Hakmarrja Shqiptare e Drejtësisë”, por emri pati jetë të gjatë edhe sepse, jo vetëm sipas mendjes së tij, “na shkonte për shtat”.

Procesi gjyqësor provoi edhe më shumë sesa provojnë mediat e tij.

3. Ne e dimë që platforma kriminale e “Hakmarrja Shqiptare e Drejtësisë”, prej shtatë faqesh (bllok shënimesh) nuk është shkruar nga ne, por nuk e dimë se cili nga shpura e shërbëtorëve të Sali Berishës mori si model shkrimin e Altin Arapit dhe me penë shkroi të shtatë faqet, që nuk u botuan kurrë nga shtypi i tij, përveç tre-katër pikave. Këtë të vërtetë e thotë ekspertiza e janarit 2008 dhe e pranon gjykata në vendimin e 1 korrikut 2008.

4. Ne nuk e dimë a ishin grumbulluar vërtet në apartamentin në qendër të Tiranës gjithfarë armësh, filluar nga pistoletat deri tek granatahedhësit, minat dhe eksplozivët etj, por e dimë, si gjithë ata që i kanë parë dy kronikat e transmetuara nga TVSH në datën 12 dhe në datën 16 tetor 1996, se mjediset ku ishin bërë filmimet ishin të ndryshme. Të ndryshme ishin edhe sasitë dhe llojet e armëve. Dimë, gjithashtu, se videokaseta e datës 12 tetor nuk është futur fare në arkivin e TVSH. Dhe çka është më e rëndësishmja, dimë se dy gjykata, ajo që dha vendim pafajësie në shkurt të vitit 2003 dhe kjo që dha dënime në korrik 2008, kanë arritur në të njëjtin përfundim: se ne nuk kemi asnjë lidhje me ato armë dhe se të gjithë procesverbalet e mbajtura për to janë të falsifikuar.

Nuk po vazhdojmë të paraqesim fakte të tjera nga falsifikimet marramendëse mbi të cilat janë ngritur akuza për krime nga më të rëndat. Këto që shënuam mjaftojnë për të shtruar pyetjen: A përbëjnë krim këto falsifikime? Në qoftë se po, atëherë, autori i krimit është Sali Berisha. Jashtë dijenisë së tij, askush nuk do mund të rrëmbente nga banesat e tyre, anekënd Shqipërisë, më shumë se 120 persona dhe t’i torturonte në male e pyje kinse si anëtarë të “Hakmarrja...” që kishin dashur të “destabilizonin rendin”, të vrisnin presidentin e vendit, që kishin kryer të gjitha krimet e rënda, të ndodhura në Shqipëri gjatë viteve 1992-1996.

Presioni mbi drejtësinë është mjeti që përligj qëllimin e Sali Berishës. Por dënimi ynë nuk është mbulesë vetëm për krimin që ka kryer personalisht ndaj nesh dhe për të harruar përfundimisht autorët e vrasjeve të 2 prillit 1991. Nga sa duket, ai ka interesa të drejtpërdrejta që të mbeten pa autorë edhe krimet që na ngarkon. Prandaj, pafajësia e “Hakmarrja...” është kthyer në një makth për të.

Presioni që ushtron i ka bërë gjyqtarët dhe prokurorët të mos guxojnë të deklarojnë botërisht krimin e vërtetuar që ky tiran, gjuhëhelm-e-thikë pas shpine, ka kryer, bashkë me banditët e tij vrasës e falsifikatorë.

Ka të ngjarë që Sali Berisha të vazhdojë të bëjë në Shqipëri çfarë i do qejfi. Sidoqoftë, pafajësinë tonë nuk do ta pengojë dot. Pafajësinë do ta marrim në Gjykatën e Strasburgut dhe do luftojmë deri në fund që faturën për dëmet që na ka shkaktuar të mos e paguajë shteti shqiptar, por ai vetë.

Leart dhe Orik Shyti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›