E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: “Topi të fillojë konsultimet me Kuvendin për anëtarët e Gjykatës së Lartë”



Vetëm një ditë pas rrëzimit në Kuvend të pesë dekreteve të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ka ftuar publikisht kreun e shtetit që të konsultohet me Kuvendin për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Gjatë një deklarate për shtyp, Topalli tha dje se shkaqet e rrëzimit në Kuvend të dekreteve të presidentit janë komplekse. Ajo bëri të ditur se është i nevojshëm bashkëpunimi midis Kuvendit dhe Presidentit, bazuar dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Parlamenti dje nuk dha pëlqimin për gjyqtarët e dekretuar nga Presidenti i Republikës. Shkaqet e këtij votimi janë komplekse dhe nuk jam këtu për t’i analizuar ato, por jam këtu para jush për të ftuar Presidentin e Republikës që, në frymën e Kushtetutës dhe Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të cilat parashikojnë luajalitetin kushtetues dhe bashkëpunimin institucional në procedurën e emërimit të gjyqtarëve, të nisë konsultimet me faktorët kryesorë parlamentarë, në përputhje me një traditë tashmë të konsoliduar të mëparshme”, - është shprehur Topalli. Më tej ajo theksoi se institucioni i Kuvendit gëzon respekt të plotë ndaj institucionit të Presidencës.

18 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›