Bamir Topi, mesazh deputetëve: Kuvendi, tempull i debatit politik
TIRANË- Një ditë para nisjes së punimeve të Kuvendit e ndërkohë që socialistët kanë deklaruar bojkotin, Presidenti i Republikës, Bamir Topi i është drejtuar me një mesazh deputeteve të rinj që dolën nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Në fjalën e tij, Topi ka shprehur besimin se të zgjedhurit e popullit do të përmbushin misionin e tyre, ndërkohë që i ka bërë apel atyre të jenë pjesë e punimeve, pasi sipas Topit, kuvendi ka nevojë për kontributin e menjëhershëm të të gjithë të zgjedhurve politikë.
Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për popullin shqiptar, i cili 28 qershorin e memorizoi si ditën e qytetarisë, të denjë për një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për në Bashkimin Europian.
"Kuvendi i Shqipërisë është tempulli kombëtar i debatit politik ku ju duhet të zhvilloni angazhimin qytetar dhe kushtetues për të forcuar më tej demokracinë parlamentare pluraliste, për të ballafaquar politikisht vizionet, për të ndarë publikisht përgjegjësitë e respektin pozitë-opozitë, por sidomos për të bashkëbiseduar me njerëzit me përgjegjësinë e madhe politike, për t'u shërbyer atyre në katër vjetët e ardhshme"- tha Topi.
Ai ka theksuar më tej se Shqipëria nuk duhet të humbasë asnjë cast drejt rrugës së prosperitetit.
Ai ka kërkuar prej deputetëve të mendojnë si shtetarë të përgjegjshëm, që Shqipëria të mbyllë përfundimisht vitet e vështira të tranzicionit politik dhe të forcojë themelet e qëndrueshme të një shoqërie demokratike ku liria, respekti ndaj vlerave e meritave, të kthehen në çelësin e suksesit dhe sigurinë për të ardhmen e këtij vendi.
"Vetëm vullneti i përbashkët mund ta kthejë Kuvendin e Shqipërisë në një terren debati profesional e konstruktiv dhe jo në arenë beteje politike shterpë"- tha ai.
Topi renditi më pas detyrat dhe sfidat që i presin deputetët gjatë kësaj legjislature, duke pohuar se shpejtësia integruese në Bashkimin Evropian varet nga vazhdimi i reformave të guximshme për shtetin ligjor, për barazinë e vërtetë politike, për një drejtësi të standardeve europiane, për të luftuar korrupsionin e krimin e organizuar, për të zgjidhur përfundimisht çështjen e pronës, për të përsosur institucionalisht ndarjen dhe respektin e ndërsjellë të pushteteve e pavarësinë e tyre, për të ndërtuar ligje që zgjidhin probleme në mënyrë të drejtë, profesionale dhe efektive.
"Kuvendi i Shqipërisë ka nevojë për kontributin e menjëhershëm të të gjithë të zgjedhurve politikë. Kauza euroatlantike dhe e ardhmja e vendit mund të kërkojnë që, për interesa shumë të rëndësishme kombëtare, ju të ngriheni mbi interesat e partive që përfaqësoni, por të keni ndërgjegjen e qetë se nuk keni tradhtuar interesat e qytetarëve që ju kanë besuar të ardhmen e tyre duke kontribuar kështu edhe për rikthimin e besimit të humbur tek politika e politikanët"- tha më tej Topi.
Në fund, ai garantoi përmbushjen e misionit të tij si garant i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si ruajtës i respektimit të ligjit dhe i interesave të shtetasve të këtij vendi, si Kryetar i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit.
"Duke ju uruar suksese në misionin tuaj fisnik, mbetem me besimin se Kuvendi i Ri i sapozgjedhur, do të përmbushë me përgjegjësi detyrimin e tij kushtetues, ligjor, kombëtar dhe qytetar në shërbim të popullit shqiptar"- përfundoi presidenti.