“Bamir Topi refuzon bashkëpunimin me Kuvendin, ka çuar në zero raportet institucionale”

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli/ Rama, me edukatën e fyerjes – në krye të PS po njeh vetëm
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli përsërit se Shqipëria humbi mundësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat nga bojkoti i opozitës dhe bllokimi i ligjeve me shumicë të cilësuar
“Opozita të ndërgjegjësohet, bllokoi integrimin në BE”. Kështu u shpreh dje Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, një ditë pas analizës vjetore të Kuvendit. Kryeparlamentarja vlerësoi se perspektiva e integrimit mbështetet nga 96 për qind e shqiptarëve dhe si i tillë ky projekt duhet të kishte avancuar, ndërsa e konsideroi të pajustifikueshëm sjelljen e opozitës gjatë dy viteve të bojkotimit të Kuvendit. “Integrimi në BE është ëndrra e 96 për qind të shqiptarëve. Por integrimi kërkon bashkëpunim të veçantë mes mazhorancës dhe opozitës. Opozita bllokoi disa ligje me 3/5. Parlamenti duhet të funksionojë si arenë debati, pasi është vendi ku merren vendimet e rëndësishme për të ardhmen e vendit. Pa votën e opozitës nuk plotësoheshin disa kushte, për të bërë një hap tjetër drejt integrimit. Dëm i është vendit, por opozita i ka bërë dëm edhe vetes. Pavarësisht, Kuvendi i Shqipërisë ka punuar, pavarësisht bojkotit apo bllokimit të PS. Ne kemi ecur përpara. Falë vendimmarrjes së Kuvendit të Shqipërisë, u vazhduan reformat në fushën e ekonomisë, shëndetësisë apo dhe të fushave të tjera. Nuk është lejuar që të bllokohej vendimmarrja për ligjet dhe vendimet me shumicë të thjeshtë. U liberalizuan vizat dhe ky është një realitet. Vetëm pak vite më parë Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në NATO”, u shpreh Topalli. Ajo theksoi se “e rëndësishme është që opozita i është kthyer punës dhe po merr përgjegjësitë e votuesve”. Duke u ndalur te akuzat e kryesocialistit Edi Rama dy ditë më parë, i cili e cilësoi analizën e Topallit për punën e Kuvendit gjatë 2011-ës si bilanc kooperative, kryeparlamentarja u shpreh se fyerjen Rama e ka problem psikologjik. “Është në psikologjinë e Edi Ramës për të fyer. Ai ka edukatën e fyerjes. Është një sjellje dhe një gjuhë e papërshtatshme”, tha Topalli, duke e cilësuar Ramën si dështakun më të madh në historinë politike të PS. “Edi Rama e ka çuar PS-në nga humbja në humbje, duke mos njohur kompromis tjetër përveç humbjes”. Kryetarja e Kuvendit kujtoi se 2011-a nisi në mënyrën më të keqe, me protestat e dhunshme të opozitës, por që po mbyllet me një konsensus të qëndrueshëm, për të ndërtuar reformat dhe afruar vendin me BE. “Padyshim që ky vit nisi shumë keq, u cenua rendi demokratik si dhe shteti ligjor”, tha ajo. Sa i takon rregullores së Parlamentit, Topalli tha se mazhoranca ka vendosur të shqyrtojë rregulloren e Parlamentit Evropian, apo edhe të vendeve të tjera evropiane. “Rregullorja aktuale është në përputhje me atë të parlamenteve të vendeve të BE. Pretendimi që ka ngritur PS është pse kaloi diskutimi i lirë, 60 minutësh, në pikën e fundit të rendit të ditës. Ndërsa për votimin e dekreteve të Presidentit, nisur nga faktorët dhe situatat, rritëm transparencën përballë qytetarëve. Mazhoranca është treguar e gatshme për të ndryshuar çdo nen të rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, që është në përputhje me rregulloren e Parlamentit Evropian”. Lidhur me reformën zgjedhore, Topalli tha se vëmendja do jetë e përqendruar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. “Do punohet mbi bazën e 53 rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Kjo kërkon përkushtim dhe afrimin e ekspertëve dhe njohësve të mirë të çështjeve zgjedhore. Partitë e vogla janë të përfshira në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore. Personalisht kam ftuar përfaqësues të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias”. Kryetarja e Kuvendit komentoi dhe raportet me Presidentin e Republikës. Sipas saj, kreu i shtetit ka çuar në zero raportet mes institucioneve, duke refuzuar bashkëpunimin. “Shqipëria është Republikë parlamentare. Në çdo vend të botës Presidenti thërret përfaqësues të grupeve parlamentare për konsultime të gjëra. Ndarja e pushteteve është detyrim kushtetues. Jo njëherë, por sa herë ka vendime të ndryshme, si për sistemin e drejtësisë, buxhetin apo dhe vendime të tjera të rëndësishme, në zyrën ftohen përfaqësuesit e parlamentit, për të dëgjuar mendimet. Bamir Topi ka zgjedhur një standard shumë të ulët, njerëzit që njeh, miqtë e tij, i dekreton në krye të institucioneve Kushtetuese. Ai ka vështirësuar dhe ka çuar në zero bashkëpunimin mes institucioneve. Ka refuzuar të bashkëpunojë, duke dalë përtej kushtetutës dhe shtetit ligjor. Mos-bashkëveprimi mes institucioneve dëmton dhe vështirëson funksionimin normal”, deklaroi më tej, Topalli.
...