Bamirësia e Nënë Terezës e parë nëpërmjet etikës mjekësore
Dr Gëzim Alpion, Universiteti i Birminghamit
Nënë Tereza është shpesh kritikuar si nga kundërshtarët e tipit të Christopher Hitchens (1995) dhe Aroup Chatterjee (2003) ashtu edhe nga disa admirues dhe vullnetarë që punuan në qendrat e saj të bamirësisë se, sipas tyre, ajo nuk bëri aq sa duhej për të ndihmuar të braktisurit që kishte nën kujdes. Në këtë kumtesë, pasi identifikoj shqetësimet e para në lidhje me dështimet e Nënë Terezës në fillim të viteve 1980-të, unë përqendrohem në natyrën e akuzave ndaj kësaj ikone të humanizmit dhe përkushtimit fetar gjatë viteve 1990-të, veçanërisht pas transmetimit në Britaninë e Madhe në Kanalin 4 në vitin 1994 të programit Engjëlli i Ferrit.
Në pjesën e dytë të ligjëratës unë argumentoj se kundërshtarët e Nënë Terezës nxjerrin konkluzione të gabuara për natyrën e aktivitetit të saj misionar sepse ata nuk arrijnë të kuptojnë motivet e vërteta që e shtynë atë të behej murgeshë në vitin 1928. Për mendimin tim, qëndrimi i Nënë Terezës ndaj njerëzve të pavlerë qartësohet po qe se i kushtohet vëmendje gruas private po aq sa dhe murgeshës publike. Këtë gjë mund të bëhet në mënyrë të efektshme po qe se kuptohet si duhet rëndësia e thirrjes së sociologut C. Wright Mills për të ndërlidhur biografinë me historinë.
Kjo ndërlidhje përbën thelbin e asaj që Mills e quan imagjinatë sociologjike, që duhet të përbëj thelbin e çdo studimi social, pavarësisht nga përkatësia apo lidhja me një disiplinë të veçantë, për të përmbushur qëllimin e tij intelektual. Në fund, unë konkludoj se në rastin e Nënë Terezës, kjo ndërlidhje është e një rëndësie parësore për të kuptuar shkallën në të cilën karizma (forca tërheqëse e personalitetit) e Nënë Terezës buronte nga karizmi (thirrja shpirtërore) i saj si dhe nga roli që të sëmuret dhe të vobektët përmbushën në misionin e saj si murgeshë.