E Diel, 1 Nëntor 2026

Fate të njëjta të dy artistëve shqiptarë me banim në Bruksel

28-03-2012 / Nga Eden Babani

Artan Seferi, piktor. Zenel Laçi, regjisor i artit dramatik. Që të dy artistë shqiptarë me banim në Bruksel. Që të dy kanë historinë e tyre të veçantë pse ndodhen jashtë Atdheut. Njëri, Artani, prej jo më shumë se trembëdhjetë vjetësh, kurse tjetri, Zeneli, i lindur këtu. Që të dy i ka mbledhur kati i pestë i së njëjtës ndërtesë, në njërën nga rrugët më të vjetra të Kryeqytetit Belg, Rue Haute, 136, 1000 - Bruxelles, ku punojnë gjatë ditës, njëri në atelie, tjetri në studion e vet, të cilat i veçon një mur ndarës. Qe të dy i kam njohur në Radion “Jehona e Shqipes” që e drejton prej më se njëzet vjetësh Sakip Skepi, veprimtar i spikatur i Bashkësisë Shqiptare të Belgjikës. Na mëkon çdo të diel pasdite me muzikë dhe me lajme prej të gjitha trojeve tona etnike, ndaj njihet Sakipi pothuajse prej të gjithë bashkatdhetarëve tanë këtu.
Me Zenelin jam takuar disa herë në mjediset e radios, thuajse çdo herë që kam qenë i ftuar për ndonjë bisedë. Si duket, është i shtëpisë në ato mjedise, i papërtuar për të biseduar lidhur me artin. Sepse “Jehona e Shqipes” ka një diapazon të gjerë informacioni. Artanin e njoha tashti vonë, para dy a tri javësh. Ishim të ftuarit e asaj së diele. Unë, për një bisedë lidhur me librin e kolegut gazetar e historian, Kastriot Dervishi: “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja e tij”. Artani, për një ekspozitë pikture që do të hapet në Romë gjatë prillit e majit të ardhshëm, ku është i ftuar edhe ai. Pas programit, ndërsa pinim nga një kafe së bashku me të zotin e shtëpisë në një kafene në Place Saint-Josse, pranë Radios, Artani, i cili e kishte ndjekur me vëmendje bisedën mes meje e Sakipit, më pyeti se përse regjimi komunist më kishte rreshtuar në anën e të deklasuarve. Për shkak të gjyshit të pushkatuar, iu përgjigja. Qenkemi kushërinj të parë, ma ktheu.
Më ngacmoi cytja e brendshme për t’u njohur më për së afërmi me të, për të njohur historinë e përndjekjes së familjes së tij. Është një cytje që s’po më lë të qetë që prej më se njëzet vjetësh. Historia që dëgjova, nuk ka paprecedent. Është e dhimbshme dhe e pabesueshme, por e vërtetë. Gjyshi i Artanit nga e ëma u arrestua si kundërshtar i regjimit, qysh me ardhjen e komunistëve në pushtet. Të shoqen, domethënë gjyshen e Artanit, e arrestuan gjithashtu, ndonëse shtatzënë. Ato ditë, u lind nëna e Artanit. Dhe e di se ku, i nderuar lexues? Jo në maternitet, pasi “armiqtë e popullit” zor se e gëzonin atë privilegj në Malësi, qoftë edhe jashtë mureve të burgut, jo më brenda tyre. Nuk u lind as në ndonjë shtëpi, si rëndom asohere. U lind në stallën e kalit të hetuesisë së Tropojës. Shtrati i saj i parë u bë sana e kalit. Ah! Ç’ bane! ( Çka bëre që u linde!), – kishte lëshuar ofshamën lehona, duke parandier të ardhmen e së bijës. Dhe foshnjës i mbeti emri Çbane. Me atë emër u pagëzua qysh minutën e parë të jetës, me atë u rrit, u martua e u bë nënë, me atë jetoi derisa ndërroi jetë, tregon Artani.
Për shkak të detyrave të mia si ish-kryeredaktor i gazetave të ish-të përndjekurve politikë, “Liria” dhe “Liria A”, unë kam pasur rast të njihem me lloj-lloj kësi ngjarjesh të rrëqethshme, të cilat e veja e diktatorit, Nexhmie Hoxha, vazhdon t’i quajë “disa gabime” të regjimit, pa e brejtur aspak ndërgjegjja e saj e nxirë dhe e molepsur rëndë. I kam parë me sytë e mi rrobat që malësorja e internuar në kampin famëkeq të Tepelenës, i qepte  me fijet e flokëve të vet. Ato gjenden sot në Muzeun Historik Kombëtar, në Tiranë. I kam shkelur me këmbët e mia barakat-burg buzë Bënçës, ku jetonin të internuarit “armiq të popullit” gjithë njësh, burra e gra, ndarë mjediset e secilës familje, me çarçafë e me thasë të vjetër. Kam biseduar goja-gojës me banorët e burgjeve dhe të kampeve të regjimit komunist. Kanë treguar thjesht jetën e tyre të mundimshme, çka u ka ushqyer revoltën ndaj regjimit. Por te secili, kam njohur dinjitetin, në radhë të parë, jo ankimet e pavend të Zonjës së Zezë, të cilën, edhe në pleqërinë thellë, e mban gjallë urrejtja për ata që vuajtën falë “disa gabimeve” të regjimit të saj. Rasti do të vinte të njihja historinë e Çbanes, së lindurës në stallën e kalit të hetuesisë, e cila, pa dashje mbajti gjithë jetën emër dhe jo emër, një emër-ofshamë.
Me sakrifica dhe me përkujdesjen e të atit, marangoz në Kukës, Artani ndoqi Liceun Artistik të Shkodrës dhe, më pas, falë pasionit dhe talentit të tij për pikturë, kreu Akademinë e Arteve, në Tiranë, pas rënies së diktaturës, në vitet ’93-’97, me kërkesën e Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë. Pas vrasjes së Dëshmorit Azem Hajdari nga dora e zezë kriminalen e pasardhësve të ish-regjimit komunist, piktori i ri mori rrugën e mërgimit, në kërkim të një vendi ku pasioni i tij për artin do të gjente hapësirat e nevojshme për t’u realizuar. Bandat e ardhura në pushtet nuk premtonin asgjë më të mirë se regjimi i përmbysur shtatë-tetë vjet përpara. Artan Seferi tregon me dhimbje për rrugën e mërgimit drejt së panjohurës. Me një gomone ku për jetën ose për vdekjen vendoste pesha e mjetit lundrues dhe humori i njeriut me maskë e me kallash në dorë, mbërriti brigjet e Italisë. Më tej, pas shumë peripecish, Brukselin. Jo se nuk kishte mundësi të blinte një vizë, që asohere shiteshin me 2000 - 2500 marka, por sepse nuk donte të abuzonte me kërkesën për azil politik, Artani zgjodhi ikjen nga vendlindja me mënyrën më të rrezikshme. Sot e ndien veten të lumtur që arriti të realizojë ëndrrën e tij. Tashmë, ai është pjesëtar i Rrjetit zyrtar të Artistëve të Rinj Galerie.be, që financohet prej Komunitetit Frankofon të Belgjikës, strukturë qê mbështet financiarisht veprimtari shkencore, artistike, sportive etj. Falë këtij statusi, është i ftuar në një ekspozitë ndërkombëtare të pikturës që do të mbahet në Vista & Vanio, via Ostillia, 41 Romë, prej 14 prillit deri 4 majin e ardhshëm. Piktori shqiptar do të përfaqësohet në ekspozitë me një dyptik, me temë mbi ikonat e kohës.
Përveç dashurisë e pasionit për artin, përveç përpjekjeve  për të vënë në jetë ëndrrat që i frymëzuan qysh në fëmijërinë e hershme, historinë e jetës së Zenel Laçit me atë të Artan Seferit, e lidh farefisnia dhe përndjekja politike e familjeve të tyre prej regjimit komunist. Gjyshi i Zenelit, imam në Tropojë, u arratis familjarisht në Jugosllavi. Të vëllain, gjyshin e Artanit, e arrestuan. Arrestuan edhe të shoqen, shtatzënën që do ta lindte vajzën në stallën e hetuesisë...
Ndërsa në Shqipëri do të vazhdonte përndjekja politike mbi familjen e Artanit, prindërit e Zenelit u vendosën në Bruksel në fillim të viteve ’60, ku, më 1962, u lind artisti i ardhshëm, i fundmi i fëmijëve. Paksa çapkën dhe i pashtruar për të ndjekur shkollën si gjithë fëmijët e moshës së vet, Zeneli ëndërronte letërsinë dhe artin dramatik. Po si? Prindërit ia këshillonin rrugën e zakonshme: shkollën, pastaj profesionin për të jetuar. Artin, në fund, pasi të kishte arritur minimumin e sigurisë ekonomike. Kurse ai... Vendosi të punonte në pronën e familjes, një friteri e akonshme, por në një prej vendeve turistike më të frekuentuara të Brukselit, bash katër hapa larg Grand Place-it të famshëm. Pesëmbëdhjetë vjet punë dhe, më 1997, në moshën tridhjetëvjeçare, iu vu shkollës së lartë për skenografi, të cilën e përfundoi në vitin 2000. Po atë vit, u regjistrua dhe ndoqi studimet për artin dramatik, në Centre d’ Etude Théâtrale (Qendra e Artit Teatror), të cilën e përfundoi më 2004, në moshën tridhjeteshtatëvjeçare.
Jo më kot solla në këtë shkrim çaste nga më domethënëset e jetës së dy artistëve shqiptarë që jetojnë në Belgjikë. Peripecitë e familjeve të tyre kanë të njëjtin shkak: atë politik. Kurse jeta artistike e secilit, tashmë mbart një listë suksesesh. Artani, me disa ekspozita të nivelit ndërkombëtar, kurse Zeneli me krijimin e Kompanisë “Fritland - Théâtre”.
 Me kompaninë e vet “Fritland – Theâtre”, Zeneli ka vënë në skenë performancën teatrale “Ditari i një gruaje nga Kosova” (1998 – 1999), sipas veprës me të njëjtin titull të Sevdije Ahmetit. Qysh në vitin 2001, deri sot, përkthyer dhe botuar në disa gjuhë, falë përkujdesjes së drejtpërdrejtë të Bernard Kouchner, “Ditari i një gruaje nga Kosova” ka tërhequr vëmendjen e përbotshme. Zeneli tregon se mësoi së pari në Paris për “Ditarin...” e veprimtares së njohur kosovare për të drejtat e njeriut, në përvjetorin e njëzetë të rënies së Murit të Berlinit. Ia rekomandoi gazetari i njohur francez Jean-Yves Potel. Adaptimin skenik, Zeneli ia besoi sociologut dhe politologut shqiptar Safet Kryemadhi (lindur në Belgjikë), ndërsa recitimin artistik aktores shqiptare me banim në Bruksel Anila Dervishi, tashmë e njohur në skenat e teatrove belge. Shfaqja ka pasur sukses në Belgjikë dhe jashtë saj.
Në një hapësirë të zbrazët skenike, kitaristi i talentuar me prejardhje nga Elbasani Afrim Jahja (edhe ky i lindur jashtë atdheut) dhe aktorja Dervishi, të zhytin në llahtarin e spastrimit etnik që ndërmorën forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe në Kosovë. Spektatori ka rastin të përjetojë me gjithë forcën e fantazisë së vet një ndër aktet më të shëmtuara të çmendurisë nacionaliste dhe të krimeve kundër njerëzimit, që njohu fundshekulli kaluar. Përjeton, njëherazi, një himn dashurie për  Njeriut dhe për Lirinë.
“Fritland – Théâtre” ishte i ftuar muajin e kaluar në Tiranë nga Teatri Kombëtar. Do të marrë pjesë, gjithashtu, në Festivalin Kombëtare të Teatrove që do të mbahet nëntorin e ardhshëm në Shqipëri, me rastin e Njëqindvjetorit të Pavarësisë. Kurse në datën 30 të muajit në vazhdim, do të shfaqë “Le journal d’une femme du Kosovo” (“Ditari i një gruaje nga Kosova”) në skenën e teatrit të njohur belg “La Balsamine”.
Artani, nga ana e tij, ka planet e veta, plot ambicie të bukura për të ngjitur shkallë të tjera të artit të pikturës. I frymëzuar nga ikonat e Onufrit, ai kërkon të futë në veprat e tij të ardhshme elemente artistike të piktorit tonë të famshëm mesjetar. Çfarë, fjala vjen? – e pyes. Nuk mendohet gjatë, pasi do të jetë menduar kushedi sa herë dhe kushedi sa gjatë, më përpara. Në një kuptim filozofik, - më përgjigjet, - ikona duhet vlerësuar edhe si tentativë për të shprehur njësimin e jetës lëndore me atë shpirtërore. Njeriu, gjatë gjithë ekzistencës së vet, ka filozofuar për të shpjeguar të përditshmet e jetës. Arti e ka ndihmuar përjetësisht. Kështu, sipas Artanit, ngjyra e arit në ikonat e Onufrit është, tentativë për të përjetuar një botë jashtëtokësore, botë ari. Në njërën anë, portreti sa statik, aq edhe dinamik, sipas kodeve artistike të atëhershme. Në anën tjetër drita e perëndishme që buron prej ngjyrës së arit. Nuk të ngjajnë përpjekje për të gjetur pika takimi mes njerëzores dhe së perëndishmes? – më pyet befas. – Dhe, nëse Onufri pruri risinë e së kuqes së tij të papërsëritshme në artin e ikonave mesjetare, pse ne, pasardhësit e tij të artit të pikturës, të mos kërkojmë rrugë të reja për t’u integruar në artin bashkëkohës?
Le t’i lëmë artistët tanë në botën e tyre - Zenelin, në dinamikën e në statikën e artit skenik; Artanin, në botën e artit të ngjyrave, të formave e të dritë-hijeve – dhe t’u urojmë që të dyve punë të mbarë, duke hedhur vështrimin gjithë përpara, por pa harruar ta kthejnë kryet ndonjëherë edhe prapa. Ndoshta jo rastësisht, por bash për këtë arsye studiot e tyre ndodhen në të njëjtë rrugë me shtëpinë e piktorit të famshëm të shekullit XVI, Pietër Bruegel i Vjetri.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›